Libri i Teutës Hoxhës për fëmijët e të birit, reagon ish gruaja e Ermalit: Nëna gjithmonë dihet, babai jo…

Jun 21, 2015 | 7:08
SHPËRNDAJE

Teksa djali 40-vjeçar, Ermali, iu arrestua në janar të këtij viti gjatë superoperacionit të policisë në Xibrakë të Elbasanit, si pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës, nëna e tij, Teuta Hoxha, duket se ka gjetur “ilaçin” për të harruar sadopak akuzat që mund t’ia lënë gjatë në burg të birin, edhe pse ajo beson se ai është i pafajshëm dhe gjithçka bëhet “për të diskretituar emrin e Enver Hoxhës”.

Dhe si për të “rehabilituar” emrat e të dyve, Enverit nga diktatura dhe Ermalit nga narkotrafiku, Teuta Hoxha sjell një libër, ku ka marrë përsipër të tregojë për dinastinë e familjes më dominante të regjimit komunist. Libri titullohet “Enveri në kujtimet e mia”, ku flet për njohjen me bashkëshortin Ilirin, takimin e parë me Enverin, shëtitjet, bisedat intime, marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes, fejesën e djalit të Mehmet Shehut, një letër të panjohur të Nexhmije Hoxhës, edhe dëshmi nga ditarët personalë të vjehrrit dhe vjehrrës dhe më pak nga vitet e pas ’90-s. Siç shihet, vepra është e fokusuar më tepër në ngjarjet e komunizmit, gjatë së cilit Teuta Hoxha ishte nuse për 18 vjet dhe 25 vjet në demokraci… 

Sonila Çaushi, ish-bashkëshortja e Ermalit me të birin Rei.
Majtas, Teuta Hoxha dhe Ermal Hoxha

PUBLICITETI I NUSES, REZARTA SHKURTA 

Por ende pa e nxjerrë librin në treg, nusja e Ermalit, këngëtarja Rezarta Shkurta, ka nisur publicitetin falas për vjehrrën. Në disa raste, ajo ka postuar pasazhe nga libri i nënës së bashkëshortit në Instagramin e saj personal, por edhe kopertinën e librit. Nuk i ka kursyer komplimentet për vjehrrën, ndërsa e ka cilësuar si miken e saj më të mirë. “Jam shumë me fat që të kam në jetën time. Je mikja ime më e mirë. Libri më i ri në treg: Enveri në kujtimet e mia, nga Teuta Hoxha. Ua kushton: Reit dhe Herës për të njohur stërgjyshin e tyre, Enver”, shkruan ajo, ndërsa entuziazmin ia mbajnë edhe komentuesit, duke i shkruar: “Mezi presim ta kemi në duar”. Në një tjetër postim, Rezarta vazhdon të bëjë tifozllëk për vjehrrën, ku herë duket sikur bën eksperten e letërsisë, e herë fansen besnike të saj: “Një libër që të rrëmben, një ndërthurje e bukur midis kujtimeve dhe copëza ditarësh… “Enveri në kujtimet e mia”.

Bashkangjitur me statusin, Rezarta ka hedhur edhe një pasazh nga libri i nënës së Ermalit, Teuta Hoxhës, ku ajo është e përfshirë në rrëfimin familjar. Aty, gjyshja Teuta tregon për nipin Rei dhe mbesën Hera, dy pasardhësve që ajo ua dedikon librin. Por siç do të mund të shihet nga pasazhi i mëposhtëm, libri është i shkruar në atë mënyrë, që të lë të kuptosh sikur këta janë të dy fëmijët e Rezarta Shkurtës. Ndërkohë që këngëtarja ka vetëm vajzën, Hera. Rei është djali nga martesa e parë e Ermalit me ish-Miss-in Sonila Çaushi, të cilën Teuta Hoxha nuk e përmend asgjëkundi. Ja çfarë shkruan saktësisht ajo: “Edhe pas viteve ’90 kur familja jonë u shtua me nuset e dy djemve tanë, Holtën dhe Rezartën, me nipin Rei dhe mbesën Hera, ne të dy çdo vit në atë tryezë të bukës ku kishim qëndruar dikur me Enver Hoxhën, përsërisnim urimin e bukur të tij: ‘Nga vit gëzuar!’. Atë natë të Vitit të Ri 1972, takimi me prindërit e Ilirit ishte një takim shumë i përzemërt. Atë gjysmë ore që ata qëndruan me miqtë e fëmijëve të tyre, mua më kushtuan një vëmendje të veçantë… Tani, çdo gjë po shkonte drejt ‘zyrtarizimit’ të lidhjes sonë”. 

Rezarta Shkurta me vajzen

REAGON NËNA E REIT, SONILA 

Faktin që mungon Sonila, nëna e Reit, në librin familjar të Teuta Hoxhës, qoftë thjesht duke e përmendur se është ajo që ka lindur nipin e saj apo se nuk duhet të kishte lënë të nënkuptohej se ishte biri i këngëtares, e kanë vënë re edhe disa komentues në Instagramin e Rezarta Shkurtës, përshtypjet e të cilëve janë fshirë më pas. Megjithatë, mungesa e saj në libër vetëm sa ka shtuar kuriozët për të ditur rreth ish-bashkëshortes së Ermalit, ashtu si edhe ne. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, ajo u duk shpërfillëse në telefon ndaj ish-vjehrrës dhe e painteresuar që të komentojë rreth librit të saj. Pas shumë këmbënguljesh, Sonilën e takojmë pranë RTSH-së, aty ku ajo punon prej vitesh në sektorin e Marketingut. Edhe nga afër, indiferenca e saj lidhur me familjen Hoxha ishte po njësoj si në telefon, duke lënë të kuptohet se ajo çfarë e lidh me atë mbiemër, është vetëm djali i saj Rei, tashmë 15-vjeçar.

“Unë jam tip aspak mediatik dhe as që dua të bëhem ‘personazh’, por kësaj here jam e detyruar që të jap një përgjigjje, duke qenë se bëhet fjalë për tim bir. Dua t’i them vetëm një fjali ish-vjehrrës: Që nëna dihet gjithmonë e shkruan apo nuk e shkruan ti, babai nuk dihet…”, thotë Sonila, e cila ka krijuar tjetër familje dhe Rei ka një vëlla 5-vjeçar.

Në fakt, ajo nuk të lë aspak idenë e një gruaje. E çuditshme se si një nënë me dy fëmijë rreth të 40-ve kishte një fytyrë e trup të atillë që e ngatërroje me gjimnaziste, maksimumi studente. Një bukuri e rrallë natyrale, që duket se kohën e kishte ngrirë në fillimvitet ’90, atëherë kur ajo mori pjesë në Miss-in e parë dhe u shpall ndër më “kinget”. Bukuria e Sonilës nuk është pjesë e debatit të këtij shkrimi, por nuk mund të mos e theksonim, derisa na bëri shumë përshtypje dhe për më tepër, që lexuesi ndër vite është kurioz për bashkëshorten e parë të Ermal Hoxhës. Në ato pak minuta bisedë me Sonilën, arritëm të mësonim për punën, familjen, pasionet, por sa herë kthejmë bisedën te familja Hoxha, Sonila bëhet hermetike.

“Ajo e ka biznes librin, se histori nuk di. Nuk është historiane, edhe pse pretendon. Uroj t’i shitet libri Teutës, sepse ka nevojë, do të ketë shpenzime”, e mbyll bisedën Sonila, ndërsa na përcjell me kortezi. 

Sonila Çaushi, ish-bashkëshortja e Ermal Hoxhës, me të birin, Rei

 

TEUTA DHE NUSET E DJEMVE 

Pavarësisht se Sonila nuk rrëfen asgjë për marrëdhëniet që ka pasur me ish-vjehrrën, nga burime pranë të dyja familjeve mësohet se ato kanë shkuar keq që në fillim. Teuta Hoxha nuk ka dashur që ta pranojë si nuse Sonilën, pasi Ermali i dukej “nivel i lartë”, ashtu siç ndodhi edhe me Rezarta Shkurtën, e cila iu prezantua zyrtarisht familjes vetëm pasi lindi vajzën. Sonila dhe Teuta kanë pasur grindje të vazhdueshme dhe Ermali jetonte në shtëpinë e nuses, që ishte shtylla kryesore e të ardhurave në familje, e cila ishte shtuar edhe me Rein. Por ndryshe nga Teuta, vjehrra e saj Nexhmije Hoxha mësohet se e kishte për zemër nusen e nipit, Sonilën. Familjarët e të dy palëve tregojnë se e veja e Enver Hoxhës ka pasur komunikime të herëpashershme me Sonilën, edhe pas ndarjes me Ermalin. Çifti u divorcua me iniciativën e Sonilës dhe që të dy, më pas, krijuan familjet respektive.

 

Teuta Hoxha: Pse po shkruaj kujtimet me Enverin

 Pak ditë më parë, Teuta Hoxha ka dhënë një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ku ka rrëfyer arsyet se pse vendosi që të shkruajë një libër me kujtime, me Enverin. Ja çfarë thotë e reja e Enver Hoxhës: “Mbas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, në vitet ’90, për Enver Hoxhën dhe familjen e tij, u trilluan e u fantazuan gjëra nga më të paqenat. Si pjesëtare e kësaj familjeje, e ndjeva për detyrë qytetare, por edhe shpirtërore, që përmes kujtimeve të sjell të vërtetat e asaj periudhe, që unë e kam jetuar vetë, ndaj dhe iu futa shkrimit të kujtimeve të jetës sime, që nga fëmijëria, gjithmonë lidhur me kujtimet që kam me Enver Hoxhën, dhe më pas, kur u bëra pjesë e familjes së Tij, me dëshirën dhe synimin që përmes tyre të ndihmoj sadopak për të hedhur dritë në jetën e vërtetë të familjes sonë dhe për të dhënë disa momente nga jeta private e Enver Hoxhës, e cila është më pak e njohur për publikun. Jam nga të paktët njerëz që di disa gjëra, që kam pasur fatin t’i shoh e t’i përjetoj personalisht në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe shumë pranë tij. E gjitha kjo punë, për të cilën unë ndieja përgjegjësi të madhe, kërkonte kohë që të finalizohej”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura