Plani për Gjykatën e Lartë/ Ndërkombëtarët do përdorin skemën e Kosovës

Nov 1, 2019 | 22:45
SHPËRNDAJE

“A ka Këshilli një plan konkret për mënyrën e menaxhimit e numrit të madh të dosjeve të pashqyrtuara dhe ngarkesën me të cilën përballet Gjykata e Lartë?”

Gjykata-e-Lartë

Naureda Llagami e lexoi vet pyetjen që i drejtohej asaj nga komisioni i reformës, por sidoqoftë ajo nuk pati asnjë përgjigje konkrete se si mendon qeveria e Gjyqësorit që të zhbllokojë 32 mijë dosje në Gjykatën e Lartë.

“Ky plan është pothuajse gati dhe shumë shpejt do të fillojë me emërimin e gjyqtarëve do të kemi edhe një plan konkret lidhur me hapat se si do të veprojmë për përshpejtimin e gjykimeve dhe evadimin e dosjeve në këtë Gjykatë”, shprehet Llagami.

Në këtë pikë veçse kësaj deklarate, kreu i KLGJ-së, znj. Llagami nuk dha asnjë detaj më shumë, pasi KLGJ nuk ka kaluar ende provën për plotësimin e kësaj Gjykate me 19-anëtarë.

Kur Gjykata e Lartë ka mbetur me vetëm një anëtarë, Ardian Voranin, që i ka përfunduar mandati, në KLGJ po kontrollohen ende garuesit për katër vendet vakante për pretendentët jo-gjyqtarë.

Por ndërkohë, siç pohon një burim jozyrtar për Top Channel, të huajt që asistojnë drejtësinë në Shqipëri po diskutojnë disa formula se si mund të zgjidhet stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë, menjëherë sapo të bëhet funksionale.

Skema e parë që gjendet në tryezën e ndërkombëtarëve është ajo e propozim-idesë duke kopjuar modelin e Kosovës.

Kjo nënkupton marrjen e së paku 50 ekspertëve juristë jashtë Gjykatës së Lartë, të cilët do kontrollojnë dosjet dhe do ti përgatisin, për t’ia dorëzuar gjysmë të zgjidhura këshilltarit ligjor të gjyqtarit të lartë.

Ideja tjetër ka perspektivën për të shtuar stafin e brendshëm të Gjykatës së Lartë. Por, derisa këto propozime të dalin në sipërfaqe, së pari ideale do të ishte që Gjykata e Lartë të plotësohet me numrin prej 19 gjyqtarësh të lartë.

Top Channel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura