Plani italian për të vënë në tutelë call center; 12 kompani: Nuk sjellim më punë në Shqipëri

Apr 3, 2017 | 9:29
SHPËRNDAJE
Ligji Italian “anti delokalizim” i sektorit të call center, pjesë përbërëse e ligjit të Buxhetit (ndër më kufizueset në BE) po jep rezultatet e para. “Vetëm në muajin janar janë vënë 20 sanksione, kundrejt 30 gjatë vitit të kaluar”, ka pohuar pak kohë më parë ministri Italian i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda, sipas  për të përditshmes italiane Il sole 24ore.
Call Center
Call Center
Sipas tij, hapi i dytë do të jetë mbështetja që do t’u jepet kompanive të mëdha italiane për t’u vetërregullar me objektivin për të minimizuar sa më shumë zhvendosjet, qofshin këto edhe brenda Europës, për të shmangur kalimet e mundshme nga Shqipëria drejt Rumanisë. “Deri tani kemi rënë dakord me 12 subjektet kryesore dhe duam që ta çojmë këtë numër në 15. Nga ana tjetër do të përpiqemi që të ofrojmë një përdorim më korrekt të tenderëve publikë”, deklaroi ministri.

Qeveria italiane po tenton që të vlerësojë kriterin e kostos mesatare të punës dhe jo atë të ulët për të mosinkurajuar fenomenin ‘dumping’ mes konkurrentëve të ndryshëm.

Në skenarin aktual ekonomik, shkruan e përditshmja italiane, sektori i call center ka nevojë për mbrojtje të veçantë.

Ministria e Punës po shikon planin për të ndihmuar 1,666 persona (1.621 + 45 në mëmësi) të cilët mbetën pa punë pas mbylljes së zyrës së Almaviva-s në Romë (bëhet fjalë për largimin kolektiv më të madh të ndodhur në Lacio në vitet e fundit, e ndjekur nga Alitalia në 2014 (1,199 të larguar) si dhe Videocon më më pak se 1,000).

Masat për të papunët e Almaviva-s do të nisin shpejt: do të hapen sportele të dedikuara, pesë në Romë dhe nga një për çdo provincë tjetër. Këtë e bëri të ditur presidenti i rajonit të Lacios, Nicola Zingaretti.

Për ata që do të pranojnë të përfshihen në politikat mbrojtëse

( futja në mënyrë vullnetare) afati i thirrjeve do të jetë deri prill, në mënyrë individuale apo në grup.

Për ddo punonjës do të jetë në dispozicion një buxhet prej 15,000 euro për të financuar zhvendosjet, trajnimet apo shpërblimet. Për vetëpunësimin shteti italian do të vërë në dispozicion ndihmë që shkon në 18,000 euro, 15,000 për hapjen e bizneseve, 3,000 euro për asitencë. Për të pushuarit që janë mbi moshën 60 vjeç rajoni i Lacios do të ofrojë deri në 10,000 euro për të nxitur punët në shërbim të komunitetit ( maksimumi 20 orë pune për 500 euro në muaj). Skemën e bëri të ditur president i Anpal ( Agjencia Kombëtare e Politikave Aktive në Punë), Maurizio Del Conte. Të gjithë të interesuarit do të vazhdojnë të marrin mbështjeje (për vitin e parë 75% të pagës së fundit me një tavan prej 1,300 euro).

Reduktimi i kontratave me Shqipërinë

Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Ka dy lloj biznesesh të lidhur me ketë fushë. Së pari janë operatorët direk call center (që punësojnë të rinjtë me njohuri italiane) dhe që zhvendosin fizikisht aktivitetin dhe së dyti janë sipërmarrjet e tjera, që operojnë në Itali, por u japin punë operatorëve call center (psh kompanitë e telekomunikacioneve, televizionet, të internetit etj). Tek këto të dytat duket se e ka përqendruar vëmendjen qeveria e shtetit fqinjë.

Ndërkohë Shqipëria ka nisur të ndiejë efektet. “Monitor” raportoi pak kohë më parë se TIM, Sky, Fastweb kanë reduktuar kontratat në Shqipëri, duke vënë në vështirësi operatorët që veprojnë fizikisht në Shqipëri dhe disa prej tyre raportuan se e kanë mbyllur tashmë aktivitetin.

Call center ishte një biznes që lulëzoi në Shqipëri 10 vitet e fundit, për disa arsye. Së pari, kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe së dyti, njohja e mirë e gjuhës italiane. Së treti, ky është një biznes që ka kosto minimale, me koston minimale për hapjen e një vendi pune prej 500-700 euro (mund të hapet edhe me 10 mijë euro, me 20 të punësuar). Ambientet merren me qira, blihen kompjuterat dhe mjafton një kontratë me një operator Italian (telekomunikacion, internet etj) për të filluar aktivitetin. Por, aq kollaj sa hapen, po aq e lehtë është edhe të mbyllen, në momentin që nga pala italiane nuk u rinovohet kontrata.

Në total, në sektor në Shipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Por, të dhënat e punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se janë 6-7 kompani kryesore, që kanë së bashku rreth 10 mijë të punësuar. Sipërmarrjet e mëdha vlerësohet se do të arrijnë t’i bëjnë ballë presionit Italian dhe do të diversifikohen, ndërsa më të vështirë do ta kenë të voglat. Edhe përpara se qeveria italiane të miratonte sanskionet në dhjetor të vitit të kaluar, sektori kishte shfaqur probleme. Norma e fitimeve ka rënë, të mëdhenjtë nuk po rriten më dhe sipërmarrjet e vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë përballen me largime të kontraktorëve ose mospagesa nga ana e tyre. Ka raste që investitorë italianë vijnë dhe hapin dy tre call center dhe i mbyllin brenda një kohe të shkurtër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura