Plani italian i rikthimit

Apr 14, 2021 | 9:31
SHPËRNDAJE

Zeneli_Valbona

VALBONA ZENELI

Ndërsa Italia përgatitet të mbajë presidencën e radhës së G20, ka një mundësi të përsosur për të ushtruar një rol udhëheqës në zhvillimin e reformave ndërkombëtare, të nevojshme për të udhëhequr rimëkëmbjen ekonomike globale ne epokën postpandemike.

Italia është prekur më rëndë se çdo vend tjetër europian nga pandemia e koronavirusit dhe efektet e saj. Katastrofa shëndetësore dhe ekonomike u përkeqësua fillimisht nga përgjigjja e dobët e institucioneve të Bashkimit Europian. Kjo situatë krijoi mundësi që ftoi një fushatë masive dezinformomi kineze, për të mbipromovuar ndihmën e saj dhe për të minuar besimin e qytetarëve italianë në BE.

Rezultatet, ashtu siç pritej, krijuan një pamje të favorshme të publikut italian ndaj Pekinit. Një vit më vonë, shumë gjëra duket se kanë ndryshuar. Një nga pasojat kryesore të pandemisë që solli paralizim të përgjithshëm të ekonomisë, ishte kriza politike që çoi në krijimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Mario Draghi, një ekonomist me famë botërore, qeverisja e të cilit mbështetet nga më shumë se 60% e Italianëve.

Nëse Plani aktual i Rimëkëmbjes, i financuar nga Bashkimi Europian, zbatohet mirë, atëherë ky mund të jetë një moment kthese për Italinë, por edhe një test për të ardhmen e BE.

EKONOMIA MBI TË GJITHA

Vitin e kaluar, ekonomia italiane u tkurr dy herë më shumë se shumica e vendeve të tjera të Eurozonës me gati 11% rënie ekonomike, duke shkaktuar kështu recesionin më të thellë në historinë moderne te Italisë.

Efektet e pandemisë kanë sjellë pasoja shkatërruese për ekonominë italiane. Sipas studimeve, 55% e italianëve mendojnë se kriza ekonomike është kërcënimi më i madh për vendin, krahasuar me vetëm 22% që e shohin pandeminë si kërcënimin më të madh. Në vitin 2020, të ardhurat për frymë (bazuar ne fuqisë blerëse) në Itali ishin vetëm 37,900 dollarë, krahasuar me 43,000 dollarë në vitin 2000. Këto të dhëna thjesht tregojnë se standardi i jetesës së italianëve të mesëm është më i ulët se njëzet vjet më parë.

Do të ishte gabim të fokusoheshim në faktin se problemet ekonomike të Italisë janë thjesht rezultat i pandemisë. Në të vërtetë, çfarë vëmë re sot, është ndikimi afatgjatë i sfidave të adresuara dobët në të kaluarën. Italia ka pësuar tri recesione ekonomike në më pak se një dekadë e gjysmë (2008–2009, 2012–2013 dhe 2020–2021). Kriza aktuale po nxjerr në dritë problemet strukturore të rrënjosura thellë ne ekonominë italiane.

NARRATIVAT E PEKINIT

Italia ishte vendi i parë në Europë që përfitoi ndihmën kineze për të përballuar pandeminë, në formën e maskave, ventilatorëve dhe personelit të specializuar mjekësor. Kjo ndihmë u tejzmadhua përmes një fushatë të diplomacisë publike dhe mediave sociale, e përqendruar në festimin e “marrëdhënieve speciale” midis Kinës dhe Italisë, si një anëtare e Nismës së Pekinit, Belt and Road (Rrip dhe Rrugë).

Për këtë qëllim u vu re një kombinim i “zgjuar” i mjeteve të ndryshme, duke përfshirë “manipulimin” e bashkëpunimit ekonomik për të dominuar narrativen, si edhe instrumentalizimin e diasporës kineze.

Përgjatë gjithë fushatës diplomatike dhe përmes mediave sociale, Kina u portretizua si një vend mik dhe shpëtimtar, ndërsa përdorte mesazhe për të krijuar armiqësi ndaj aleatëve tradicionale perëndimore të Italisë. Nëse përqendrohemi te sondazhet e opinioneve për perceptimin mbi Kinën, ato tregojnë rezultate të përziera. Në fazat fillestare, u vu re një pamje e favorshme e opinionit publik italian, duke parë Pekinin si aktorin kryesor në luftën kundër virusit përkrah Italisë, me rreth 52% që shihnin Kinën si një vend “mik”.

Këto të dhëna tregonin një rritje mbresëlënëse e mbështetjes publike për Kinën, krahasuar me një vit më parë, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbanin vendin si partner i privilegjuar i Italisë. Për më tepër, 58% e italianëve shihnin Kinën si një aktor me ndikim të shtuar në botë. Në fund të vitit 2020, gjërat duket se kanë ndryshuar. Më shumë se gjysma e italianëve e konsiderojnë ndihmën kineze gjatë pandemisë si interes për rritjen e ndikimit politik në vend, ndërsa 62% e italianëve shprehin një mendim negativ dhe vetëm 38% një mendim pozitiv për politikat kineze. Nga ana tjetër, 75% e publikut kanë humbur besimin te Presidenti kinez, Xi Jinping, krahasuar me 54% në vitin 2019.

MARRËDHËNIET ITALI-KINË: PRITSHMËRITË DHE REALITETI

Qeveria e mëparshme italiane, e krijuar si rezultat i zgjedhjeve politike të marsit 2018, e mirëpriti Kinën si një aktor të tretë, midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Pikëpamjet pozitive për Kinën, që vinin kryesisht nga Lëvizja Pesë Yje, u zyrtarizuan kur qeveria italiane nënshkroi një memorandum gjithëpërfshirës të mirëkuptimit me Kinën në Mars 2019, duke u bërë një anëtare zyrtare e Nismës së Rripa dhe Rrugë të Pekinit(Belt and Road).

Marrëdhëniet bilaterale nuk kishin qenë kurrë më pare kaq të ngushta. Narrativa e marrëdhënieve përqendrohej kryesisht në rëndësinë e tregut kinez për eksportet italiane. Kjo fillimisht krijoi jehonë pozitive ne publik, 57% e të cilëve e konsideruan Kinën si ekonominë më të rëndësishme në botë.

Në fakt, marrëdhëniet dypalëshe tregtare midis Italisë dhe Kinës janë rritur në dy dekadat e fundit, por shumë ngadalë. Eksportet italiane në Kinë u rritën më pak se 12% në dekadën e fundit, nga 11 miliardë dollarë në 2010 në 14.5 miliardë dollarë në vitin 2019. Është interesante të vërehet se eksportet italiane drejt Kinës kanë parë një rënie të vazhdueshme që prej vitit 2018.

Deficiti tregtar italian me Kinën po rritet, duke arritur 21 miliardë dollarë në 2019, duke pasur parasysh rritjen e importeve kineze drejt Italisë të cilat arritën në më shumë se 35 miliardë dollarë. Eksportet italiane drejt Kinës përbëjnë vetëm 2.7% të eksporteve totale të Italisë, krahasuar me partnerët europianë si Gjermania (12%) dhe Franca (10%), apo Shtetet e Bashkuara me 10%.

Investimet kineze në Itali janë rritur, në veçanti pas krizës financiare të 2008- 2009, kur blerjet kineze synuan si kompanitë e mëdha, ashtu edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në kërkim të teknologjive të reja, inovacionit dhe markave italiane. Italia u bë ekonomia e dytë më tërheqëse, pas Gjermanisë, duke tërhequr investime kineze për një stok prej gati 16 miliardë eurosh (19 miliardë dollarë).

Pekini është gjithashtu shumë i interesuar në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve italiane. Gjatë vizitës së Xi Jinping në Itali në mars 2019, UniCredit-SACE Group dhe Exim-Import, Banka e Kinës, nënshkruan disa memorandume mirëkuptimi, të tilla si koncesioni për Cassa Depositi e Prestiti (CDP), për të zhvilluar një program të ri bonosh të quajtura “Panda”, në bashkëpunim me Bankën Popullore të Kinës, të destinuara për kompanitë italiane, të cilat investojnë në Kinë dhe që operojnë kryesisht në sektorët e financave dhe infrastrukturës.

PROJEKTET INFRASTRUKTURORE

Që prej vitit 2019, Italia ka nënshkruar një listë të gjatë marrëveshjesh me Pekinin, me qëllim krijimin e partneritete në infrastrukturë, industri, media, arsim dhe sektorin financiar.

Pekini zyrtar është përpjekur për muaj me radhë që të bëhet një lojtar i rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës italiane, si pjesë e Rrugës së Mëndafshtë Detare (pjesë e Iniciativës Rrip dhe Rrugë), duke u vëne syrin qendrave infrastrukturore të Triestes dhe Genovës, zhvillimi i të cilave parashikohet për Planin e Lidhjes Trans-Europiane.

Projektet e tjera të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në 2019 përfshinë hekurudha dhe aeroportet, por edhe sektorë të tjerë si telekomunikacioni dhe hapësira. Shtatorin e kaluar, qeveria italiane ngriu disa marrëveshje me ndërmarrjet e mëdha kineze në lidhje me infrastrukturën dhe hapësirë, të tilla si pjesëmarrja e Ndërmarrjes Kineze të Ndërtimit në planin e rinovimit dhe lidhjes së Portit të Triestes, pasi kompania gjermane HHLA u bë aksioneri kryesor.

Në mënyrë të ngjashme në lidhje me bashkëpunimin hapësinor, Italia u largua nga programi hapësinor kinez (Pallati Qiellor), duke anuluar furnizimin e një modeli me presion të teknologjisë së lartë të Tiangong-3. Që nga viti 2018, si rezultat i një kujdesi të shtuar në lidhje me shqyrtimin e investimeve të huaja, pas miratimit të mekanizmave të shqyrtimit të BE, është vënë re një rënie e Investimeve të Huaja Direkte kineze në Itali.

Por në kohët e fundit, Faë, prodhuesi më i madh kinez i makinave, njoftoi një investim prej më shumë se 1 miliard eurosh për një qendër të projektimit të makinave elektrike në Emilia Romagna.

Duket se fushata e dezinformimit kineze në Itali gjatë shpërthimit të pandemisë “shkatërroi” entuziazmin fillestar të qeverisë italiane ndaj Pekinit. Gjithashtu, si rezultat i asaj fushate masive, është vënë re një rritje e kritikës mediatike në Itali në lidhje me përpjekjet e Pekinit për të rritur ndikim politik dhe social në Itali.

Në frontin diplomatik, festimi i pesëmbëdhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Republikën Popullore Kineze, i cili u zhvillua në nëntor të vitit 2020, nuk pati asnjë lloj jehone në shtypin dhe mediat italiane. Shqetësimet në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut nga Pekini, veçanërisht në lidhje me Hong Kongun, janë kritikuar më hapur në media, duke rritur ndërgjegjësimin e publikut italian.

Gjithashtu, në një ndryshim dramatik të gjuhës qeveritare, Kryeministri i ri i Italisë, Kryeministri Draghi, adresoi këto çështje në fjalën e tij të inaugurimit, duke rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e njeriut, duke vëzhguar me kujdes “çfarë po ndodh përreth Kinës”, por gjithashtu duke rikonfirmuar aderimin italian në shtyllat e marrëdhënieve ndërkombëtare, në përputhje me spirancat historike të Italisë: Bashkimi Europian, Aleancën Atlantike dhe Kombet e Bashkuara.

QEVERI E RE, MUNDËSI TË REJA

Ndërsa fokusi kryesor i qeverisë së re italiane do të jetë menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë, formulimi i strategjive që ridizenjojnë rolin e Italisë në tabelën komplekse të shahut gjeopolitik është një domosdoshmëri. Forcimi i aleancave europiane dhe transatlantike është një objektiv që qëndron shumë lart në listën e përparësive të Kryeministrit Draghi.

Me pak fjalë, qeveria italiane po riafirmon spirancat e partneritetit historik të Italisë.

Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë do të lejojë Italinë të përdorë më shumë se 209 miliardë euro të Planit të Rimëkëmbjes së BE-së, të përqendruar në një model ekonomik në përputhje me Planin Europian të Investimeve të Marrëveshjes së Gjelbër (Green Deal). Nëse zbatohet mirë, atëherë do të jetë një levë e rëndësishme për modernizimin e vendit, por është gjithashtu një test litmus për stabilitetin e monedhës së përbashkët dhe projektin europian.

“Pandemia ka zbuluar nevojën për të ndjekur një shkëmbim më intensiv me partnerët, me të cilët ekonomia jonë është më e integruar” eshte shprehur Draghi në lidhje me këtë plan. Ai ka sjellë në bisedat politike shqetësimet në lidhje me strategjinë e zgjerimit kinez në Europë, por edhe në Afrikë, me investime në rrugë të reja detare dhe tokësore.

Ndërsa Italia përgatitet të mbajë presidencën e radhës së G20, ajo ka një mundësi të përsosur për të ushtruar një rol udhëheqës në zhvillimin e reformave ndërkombëtare, të nevojshme për të udhëhequr rimëkëmbjen ekonomike globale në epokën post-pandemike. Thelbësore për suksesin e Italisë do të jetë një përpjekje e vendosur që synon të punojë së bashku me partnerët transatlantikë për të forcuar institucionet e qeverisjes globale në një rend të bazuar në rregulla.

* Botuar te “The National Interest”

Dr. Valbona Zeneli është profesore e studimeve të sigurisë dhe drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall (Marshall Center)

Federica Santoro është analiste politike e specializuar në politikën e jashtme dhe ish-studiuese në Qendrën për Studime të Larta të Mbrojtjes së Ministrisë Italiane të Mbrojtjes.

Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politiken zyrtare të Marshall Center, të Departamentit të Mbrojtjes apo Qeverisë së SHBA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura