Plani i ri/ Ahmetaj: Çdo dokument që i kërkohet qytetarit, do sigurohet nga vetë shteti

Sep 13, 2017 | 14:46
SHPËRNDAJE

Çdo dokument që shteti i kërkon sot qytetarit, do të sigurohet nga vetë zyrat e shtetit. Qeveria e re nis reformën më të madhe antiburokratike, atë të derregullimit. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, tregoi gjatë fjalës së tij në Kuvend, se çfarë parashikon reforma e re, që do të çlirojë qytetarin dhe bizneset nga një barrë shumë e rëndë burokratike, shkruan “Panorama”.

ahmetaj

“Sot, në Shqipëri numërohen rreth 141 autorizime të ndryshme të lëshuara nga 19 institucione qendrore dhe 94 licenca. Vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, janë 140 mijë vërtetime të lëshuara në vitin 2016 për qytetarët dhe sipërmarrjen, për vetëm dy lloje vërtetimesh, të cilat mund të ofrohen online përmes nënshkrimit elektronik, duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe koston për përfituesit e tyre, por edhe nxitur bashkëveprimin mes institucioneve”, theksoi Ahmetaj dje.

REFORMA E DERREGULLIMIT

“Një nga reformat më transformuese të këtij mandati do të jetë reforma e derregulimit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kalvarit të gjatë e të mundimshëm të përsiatjeve nëpër zyrat e shtetit për përfitimin e një dokumenti, shërbimi apo të drejte nga shteti. Derregulimi është jetësimi i një përpjekjeje tejet serioze dhe këmbëngulëse për ta kthyer shtetin shërbëtor në shërbim të qytetarit dhe sipërmarrjes, duke ulur në maksimum peshën e burokracisë mbi ta”.

Por çfarë parashikon kjo reformë. Sipas Qeverisë, çdo dokument do të merret në një zyrë të vetme. Pra, nëse kërkon nga certifikata, apo dëshmia, apo vërtetim të çdo lloji, për të cilin sot duhet të rropatesh në disa zyra shtetërore, do të jenë vetë institucionet, që duke hedhur në një databaze të gjithë shërbimet e ofruara, do të garantojnë përgjigjen në një kohë rekord. Nga ana tjetër, krijimi i një sistemi të tillë, do të sjellë që institucione të ndryshme të mos kërkojnë nga qytetarët dhe biznesi certifikata që i lëshojnë drejtoritë e tjera, pjesë të së njëjtës qeveri.

“Ne do të garantojmë që çdo dokument që i kërkohet qytetarit apo sipërmarrjes nga shteti, vetë shteti ta sigurojë në një sportel të vetëm dhe në kohë minimale.”, theksoi Ahmetaj. Për të arritur këtë, duket se qeveria ka bërë një plan me tre etapa.

“Reduktimi i numrit aktual të lejeve, licencave dhe autorizimeve është aspekti i parë i reformës së derregulimit; Ofrimi i shërbimeve publike në një sportel të vetëm, sipas konceptit “Public Service Hall” është aspekti i dytë. Aspekti i tretë është dixhitalizimi, pra ofrimi i shërbimeve publike elektronike, që kërkon vazhdimin e riinxhinerimit të shërbimeve ekzistuese, përdorimin e një platforme për ndërveprimin e sistemeve dhe aksesimin e tyre drejtpërdrejt nga publiku”, sqaroi Ahmetaj dje për deputetët.

PARA DHE ANTIINFORMALITET

Investimet publike do të jenë sa 5 për qind e GDP, por duket se plani më i madh i qeverisë është projekti “1 miliardë USD”. Ahmetaj theksoi dje se do të ketë dy qasje ndaj sipërmarrjes. E para është ndihma që do i jepet nëpërmjet derregullimit, e dyta do të jetë aksioni final antiinformalitet.

“Jemi të vendosur për të vazhduar përdorimin e instrumenteve financiare, si Partneriteti Publik Privat, për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi, për të siguruar investime në infrastrukturë dhe shërbime publike të domosdoshme për qytetarët, projekte që synojnë të kenë impakt ekonomik pozitiv, duke sjellë vlerë të shtuar për ekonominë e mirëqenien.

Me paketën “1 Miliard” do të injektojmë më shumë se 1 miliard USD në ekonomi, nëpërmjet angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe zhvillimin e sektorëve prioritarë.”. Ky projekt pritet të ketë një impakt të shpejtë në rritjen ekonomike.

Ahmetaj premtori dje se në bazë të programit, rritja do të shkojë nga 4.5 deri në 6 për qind në fund të mandatit. Sigurisht që projekti “1 miliardë USD” është një nxitës i fortë. Por nuk ka vetëm “dhurata”. Qeveria parashikon të shtojë të ardhurat deri në 30% të GDP. Një objektiv ky, që sigurisht do të thotë mbledhje më e madhe në sasi, e taksave dhe tatimeve. Por si e parashikon ministri i Financave.

“Ky synim mbështetet në zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike, ku kontribut kryesor do të kenë rritja ekonomike, lufta kundër informalitetit, zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit të administratave fiskale, zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit legjislativ fiskal, si dhe forcimin e burimeve njerëzore të administratës”.

Dhe është pikërisht këtu, ku nis fushata e tretë kundër informalitetit. “Mandati i dytë do të jetë mandati i luftës kundër informalitetit që do të shtrihet në çdo sektor, në çdo sipërmarrje, punë- marrës e punëdhënës abuzues, në çdo cep të territorit. Kjo betejë do të vazhdojë edhe më fort, si një hallkë e domosdoshme në forcimin e shtetit, garantimin e konkurrencës së ndershme për sipërmarrësit, sigurisë dhe të ardhmes së punonjësve, por edhe si instrument nxitës për tërheqjen e atyre investimeve të munguara për shkak të informalitetit në ekonomi”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura