Plani i Presidentit Biden për rimëkëmbjen ekonomike

Jan 21, 2021 | 10:24
SHPËRNDAJE

AKADEMIK ANASTAS ANGJELI

Anastas-Angjeli

Zhvillimi i ceremonisë së  Betimit të Joe Biden si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte disi ndryshe (i veçantë) nga ai i paraardhësve të tij.

Jo thjesht dhe vetëm nga ana simbolike, protokollare e formale apo nga situata e krijuar nga pandemia dhe detyrimet për distancim social. Arsyet se pse kjo ceremoni betimi ishte e veçantë (të paktën në 8 dhjetëvjeçarët e fundit) janë thelbësisht politike. Si rrallë herë më parë situata politike para dhe pas zgjedhjeve ishte maksimalisht e elektrizuar dhe shoqëria amerikane përjetoi tendenca përçarëse. Pasojat e këtij fenomeni sigurisht që do të ndihen në shtetin amerikan, por pse jo edhe jashtë tij, ende për një kohë.

Rrjedhojë e situatës së pandemisë dhe pasojave ekonomike të saj, asaj elektorale dhe postelektorale për zgjedhjet presidenciale, e bëjnë jo shumë të lehtë rrugën e Presidentit Biden për të rimëkëmbur ekonomikisht, politikisht dhe moralisht një shoqëri që përballet me sfida të mëdha. Sfida që i detyrohen sa pandemisë së Covid-19, aq edhe vetë strukturës sociale amerikane. Në fjalimin e mbajtur ne ceremoninë e inaugurimit si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden u shfaq ashtu siç pritej; bashkues, (thirrja për unitet) i ndërgjegjshëm për vështirësitë që do të gjenden në rrugën e tij por tërësisht i vendosur për t’u bërë ballë këtyre vështirësive.

Dhe kjo duke vendosur në qendër të fjalimit të tij demokracinë, jo vetëm si një tërësi institucionesh, por si një proces ku rolin kryesor e luajnë qytetarët dhe betejat që ata duhet të japin, në mënyrë që demokracia të mbijetojë. Duke përdorur forcën e simbolikës, Biden mori shembuj bashkues, mbipartiakë, shembuj që historikisht kanë qenë shtyllat e bashkimit të popullit, që nga George Washington, tek Abraham Lincoln e deri te Martin Luther King.

Pavarësisht përmbajtjes së fjalimit të tij inaugurues, i cili ashtu siç ndodh në këto raste, ka më shumë vlerë simbolike sesa analizuese të politikave që do të ndërmerren, më e rëndësishme për zhvillimet e afërta ekonomike dhe sociale të SHBA-së ishte plani i rimëkëmbjes ekonomike.

PLANI I RIMEKEMBJES EKONOMIKE, I SHPALLUR ME 15 JANAR

Vetëm pesë ditë përpara betimit të tij si President i SHBA-së, Joe Biden shpalli planin e tij për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane, American Recovery Plan (ARC). Qasja e tij për shpëtimin e ekonomisë amerikane të goditur rëndë nga pandemia Covid-19 ishte e qartë dhe u bë e ditur gjatë fushatës elektorale presidenciale të zhvilluar vitin e kaluar.

Por vazhdimi i krizës së shëndetit publik me rritjen e numrit të të infektuarve dhe të humbjeve të jetëve, e shoqëruar kjo me efektet shkatërruese mbi ekonominë amerikane, e bën akoma më emergjent zbatimin e një plani të mirëdetajuar në nivel federal me qëllim normalizimin e situatës shëndetësore, lehtësimin e situatës ekonomike të familjeve amerikane të goditura nga kriza, si dhe mbështetjen e bizneseve të vogla (veçanërisht ato të komuniteteve të caktuara), të cilat paguan çmimin më të madh të krizës shumëdimensionale të shkaktuar nga pandemia (por jo vetëm). Këto janë tri shtyllat mbi të cilat mbështetet plani prej 1.9 trilionë dollarësh, të cilin Presidenti Biden shpreson ta zbatojë duke u mbështetur edhe te balancat politike në Kongres, të cilat e favorizojnë atë.

Situata e shkaktuar nga pandemia sigurisht që zuri një vend të rëndësishëm në debatin politik gjatë fushatës elektorale për President të SHBA-së. Qëndrimet e të dy kandidatëve ishin të ndryshme në lidhje me mënyrën se si duhej vepruar për të përballuar krizën e pandemisë. Ndryshimi i qëndrimeve u vu re në disa pika kyçe, siç ishte rihapja e ekonomisë, hapja ose jo e shkollave, mbështetja ekonomike e njerëzve dhe bizneseve, papunësia e shkaktuar nga pandemia, vendosja e maskave, testimet, vaksina, mjekimi etj. Situata aktuale, e cila konsiderohet më shumë se serioze, tregon se qasja dhe vendosmëria e treguar nga Biden gjatë fushatës ishte e drejtë dhe se plani për rimëkëmbjen duhet filluar të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia, Presidenti Biden do t’i kërkojë Kongresit 160 miliardë dollarë fonde të nevojshme për të zbatuar planin e tij për një program kombëtar vaksinimi, për të shtuar në mënyrë thelbësore numrin e testeve të kryera, për të punësuar personel në sistemin shëndetësor, si dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndërtuar kapacitete për të luftuar pandeminë. Gjithashtu, synon të marrë të gjitha hapat e nevojshëm në mënyrë që të sigurohet hapja dhe funksionimi normal i shkollave, si dhe për të paguar periudhën që qytetarëve u duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit. Të gjitha këto masa kapin vlerën e 400 miliardë dollarëve.

Në lidhje me programin kombëtar të vaksinimit do të investohen rreth 20 miliardë dollarë në bashkëpunim me shtetet dhe lokalitetet. Do të krijohen qendra vaksinimi në të gjithë vendin, si dhe njësi vaksinimi të lëvizshme për territore të vështira për t’u arritur. Vaksinimi do të përfshijë të gjithë popullatën (përfshirë emigrantët) dhe do të jetë falas.

Do të investohen 50 miliardë dollarë me qëllim përhapjen masive të testeve, duke siguruar fonde për blerjen e testeve të shpejta, investime për të zgjeruar kapacitetin laboratorik dhe mbështetje për të ndihmuar shkollat dhe qeveritë vendore për të zbatuar protokolle të rregullta të testimit. Testimi masiv do të bëjë të mundur rihapjen e sigurt të shkollave, do të mundësojë që burgjet dhe institucionet e kujdesit afatgjatë të mund testojnë rregullisht popullatat e tyre, si dhe që kushdo që të ketë nevojë të testohet ta bëjë.

Gjithashtu, do të financohet marrja në punë e rreth 100,000 punonjësve të shëndetit publik, të cilët do të punësohen për të punuar në komunitetet e tyre me qëllim kryerjen e detyrave jetësore, si bërja e vaksinave dhe gjurmimi i kontakteve etj.

Ndërsa 30 miliardë dollarë do të shkojnë për financimin e Fondit të Ndihmës së Fatkeqësive me qëllim sigurimin me furnizime të mjaftueshme dhe pajisje mbrojtëse, dhe për të siguruar 100% rimbursim federal për burimet kritike të përgjigjes ndaj emergjencave për shtetet. Gjithashtu, do të investohen 10 miliardë dollarë në ndihmë të prodhimit vendas për furnizime mjekësorë që lidhen me pandeminë.

Kujdesi për shkollat dhe sigurinë e mbrojtjes nga pandemia të nxënësve do të financohet me 130 miliardë dollarë, për të ndihmuar shkollat që të rihapen në mënyrë të sigurt. Këto fonde do të mund të përdoren për të zvogëluar madhësitë e klasave dhe për të modifikuar hapësirat, për të përmirësuar ventilimin, për të siguruar pajisje të nevojshme për mbrojtjen personale, për të punësuar infermierë dhe psikologë në shkolla, për të rritur transportin për shkollat etj. Do të sigurohen gjithashtu 35 miliardë dollarë për financimin e institucioneve publike universitare sidomos për kolegjet publike të komuniteteve afro-amerikane.

Për sa i përket mbështetjes direkte të ekonomisë së familjeve të goditura nga kriza, plani për rimëkëmbjen u dedikon pjesën më të madhe të fondeve, duke qenë se papunësia është rritur në shifra dramatike si pasojë e kufizimit të aktiviteteve të ndryshme ekonomike për shkak të pandemisë. Viti i kaluar (por jo vetëm) la pas plagë sociale që kërkojnë përgjigje të menjëhershme. Për këtë arsye parashikohet rreth 1 trilion dollarë për politika sociale që shkojnë në drejtim të rimëkëmbjes ekonomike të familjeve amerikane, politika të cilat parashikojnë të përgjysmojnë varfërinë e fëmijëve.

Më konkretisht, parashikohet një ndihmë prej 1400 dollarësh për familjet që janë në pamundësi për të mbuluar shpenzimet mujore, kjo do t’i shtohet ndihmës prej 600 dollarësh që u dha në dhjetor. Gjithashtu parashikohet kohëzgjatja e pagesës së papunësisë për rreth 18 milionë amerikanë, të cilët mbështeten pikërisht te kjo asistencë për të jetuar. Njëhershmi parashikohet mbështetje për ata të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë qiratë e shtëpive ose kreditë e shtëpive.

Ky është një problem me të vërtetë serioz, sepse 1 në 5 qiradhënës dhe 1 në 10 pagues kredie e kanë të pamundur të bëjnë pagesat e tyre dhe rrezikojnë të humbasin shtëpitë në të cilat jetojnë dhe të përfundojnë të pastrehë. Rreth 30 miliardë dollarë do të alokohen për mbështetje për qiratë, pagesën e ujit dhe energjisë elektrike. 5 miliardë në asistencë emergjente për ata qytetarë që rrezikojnë të mbeten të pastrehë. Parashikohen gjithashtu 13 miliardë dollarë për të ndihmuar shtetet që të përballojnë krizën ushqimore në SHBA, ku rreth 1 në 7 familje janë në vështirësi për të siguruar sasinë e nevojshme të ushqimeve. Në vazhdën e politikave sociale parashikohet rritja e pagës minimale në 15 dollarë në orë. Gjithashtu, rreth 25 miliardë dollarë parashikohen për të ndihmuar qendrat e kujdesit të fëmijëve dhe gjithë zinxhirin e këtyre institucioneve. Parashikohen gjithashtu edhe lehtësira të qenësishme fiskale për familjet me fëmijë.

Për sa i përket shtyllës së tretë të planit të rimëkëmbjes, parashikohen rreth 440 miliardë dollarë për mbështetjen e komuniteteve që u goditën më shumë nga kriza, duke përfshirë këtu mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të të punësuarve në profesione esenciale në kohën e pandemisë.

Tashmë edhe pse priten javët dhe muajt e parë të Presidencës Biden për të dhënë mendime dhe vlerësime konkrete për efektin e këtyre masave, për momentin mund të themi që me gjithë vështirësitë, këto masa pritet t’i japin ekonomisë amerikane ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen e shpejtë, aq thelbësore sa për Amerikën, ashtu edhe për pjesën tjetër të botës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura