Plani B

SHPËRNDAJE

REDI SHEHU redi shehu

Ishte një “Jo”, e cila në pak minuta shkërmoqi ëndrrën disadekadëshe të shqiptarëve për t’u integruar në bashkësinë e vendeve të standardizuara, të cilën e quajmë BE. Franca, një ndër kolonat kryesore të Bashkimit Europian vendosi të refuzonte hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me justifikimin e një rikonceptimi që BE duhet të bënte për mënyrën se si ky ingranazh gjigant të mund të funksionojë. Pra, me pak fjalë nuk ishte një “jo” që lidhej më reformat dhe mënyrën se si Shqipëria do të duhej të sillej, por ishte një “jo” ndaj vetë Europës. Në këtë pikë, pyetja më legjitime që të vjen në mend është: “A është vërtet Europa e integruar në vetvete?” Si mundet të integrohen vende të reja në një organizëm, që nuk është akoma i integruar tërësisht brenda vetes?

Kjo qasje as që e justifikon fare qeverinë shqiptare për paaftësinë dhe padëshirën për të bërë minimumin e krijimit të frymës politike kombëtare të integrimit, pa kriza administrimi, imazhi dhe skandalesh korrupsioni e kriminaliteti. Ne duam të kuptojmë pse BEja, pas premtimesh për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor, tani ndodhet në një kolaps politik dhe identitar duke vënë në dyshim të ardhmen e saj dhe mënyrën se si ky organizëm po e koncepton veten dhe rolin e vet. Për hir të së vërtetës, politika e Bashkimit Europian ka qenë e tërhequr nga dy kahe të ndryshme. I pari ka qenë krahu që tërhiqte drejt zgjerimit dhe krahu tjetër ka qenë ai, i cili tërhiqte drejt identiteve nacionale dhe politikave nacionale të shteteve anëtare. Deri më tani, partitë me politikat e tyre pro zgjerimit kanë qene dominante në BE, por vitet e fundit, me shfaqjen dhe rritjen e ndikimit të partive të djathta me bazë nacionale, drejtimi i kundërt me zgjerimin ka qenë edhe politika e fundit e vendeve që përbëjnë boshtin e BE-së, si Franca dhe deri diku Gjermania.

* * *

Kishte disa vite që procesi i zgjerimit të BEsë kishte kaluar nga faza e natyrshme e saj në fazën e sforcimit. Në një sforcim që buroi nga dëshira për të konsumuar më shumë sesa kapaciteti prodhues politik i Brukselit. Kjo bëri që vitet e fundit, Bashkimi Europian t’i ngjajë asaj tullumbaces së fryrë fort, e cila ka dy rrugë: ose të fryhet (zgjerohet) deri në pëlcitje, ose të shfryhet deri në rrudhosje. Fakti që kriza e fundit ka filluar aty ku nisi, pikërisht me Gjermaninë dhe Francën si dy promotorët e marrëveshjes së viteve ’50 për qymyrin dhe çelikun, dhe tani me mosmarrëveshjet e tyre për zgjerimin, shtuar edhe fenomenin e Brexit-it, të bën të mendosh se tullumbacja europiane ka më shumë gjasa të shkojë drejt shfryrjes sesa pëlcitjes.

* * *

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se vende si Shqipëria dhe të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë vende të vogla dhe të paafta të prodhojnë demokraci burimore dhe standarde. Janë vende ku fisi, të fortët dhe grupet kriminale përcaktojnë natyrën dhe mënyrën e pushteteve. Duke qenë kështu, këto vende janë vende me sistem parapolitik, pra më primitive se një sistem i konsoliduar politik dhe demokratik i standardeve të larta. Si të tilla, pra parapolitike, vendet e rajonit e kanë të domosdoshme një ombrellë apo një faktor të fuqishëm përcaktues që t’i udhëzojë, t’i monitorojë e në fund edhe t’i detyrojë ata që të dalin nga parapolitika drejt politikës dhe standardeve. Pikërisht roli i BEsë në këtë pikëpamje ka qenë roli më i rëndësishëm, i cili do të nxirrte vendin tonë nga parapolitika edhe kundrejt dëshirës së establishmentit politik, që e ka mbajtur peng këtë vend prej tri dekadash. Zhvlerësimi i këtij faktori do të zhvlerësonte çdo përpjekje për të dalë nga parapolitika dhe do e kthente vendin tonë në batakun e primitivizmit provincial. Ndërsa në marrëdhëniet rajonale ballkanike do avullonte çdo iniciativë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe do ta kthente rajonin të pamotivuar pa një pikësynim, të prirur drejt plagëve të së shkuarës.

* * *

Ne, kohët e fundit, në sajë të zhvillimeve integruese, po kalonim nga faza e konsiderimit të BE-së si mit, në fazën e konsiderimit të saj si realitet. “Jo”-ja franceze rrezikon ta zhbëjë këtë realitet dhe ta rikthejë jo tashmë në mit, por në një strofull skepticizmi dhe pesimizmi degradues. Kjo ndodh në një kohë kur boshtet e mëdha civilizuese përplasen në Ballkan për dominim. Boshti kryesor euroatlantik si përfaqësuesi i fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake të kohës, ka qenë prej kohësh faktori kryesor në këtë rajon. Qasja politike e këtij boshti bëhej përmes zërit të Brukselit, duke përdorur narrativën e integrimit si projektin politik të së ardhmes të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ky projekt u shndërrua në thelbin e gjallimit politik të rajonit, nga i cili u përcaktuan të gjitha reformat në fushat e politikës, ekonomisë, drejtësisë dhe deri në krijimin e një kulture të integrimit, e cila ngjasoi pothuaj me një religjion të ri që duhej ndjekur, respektuar dhe pse jo, edhe adhuruar deri diku.

* * *

Shqipëria ndodhet në një zonë, ku aktualisht tri boshte civilizuese takohen në të njëjtin rajon: aksi euroatlantik tashmë i rrënjosur si realitet politik, ekonomik dhe deri diku kulturor (Ballkanin Perëndimor); aksi rus si realitet historik kulturor dhe së fundmi edhe ekonomiko-ushtarak (Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Greqi); aksi me qendër Turqinë si realitet historik e kulturor dhe së fundmi edhe ekonomik (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), Serbia, Mali i zi, Maqedonia tërhiqen politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nga aksi euroatlantik; por tërhiqen kulturalisht e ushtarakisht dhe deri diku ekonomikisht edhe nga aksi rus; ndërsa joshen ekonomikisht dhe kulturalisht (gjysma e Maqedonisë) nga aksi turk. Shqipëria, Kosova dhe gjysma e Maqedonisë tërhiqen politikisht, ekonomikisht ushtarakisht nga aksi euroatlantik, tërhiqen ekonomikisht, kulturalisht dhe pjesërisht politikisht nga aksi turk dhe joshen nga aksi rus. Pra, të qenurit satelit i një boshti është problematik se je gjithmonë nën presionin forcës shtytëse dalëse, e cila është në drejtim të kundërt me qendrën. Ndërsa të jesh satelit i tri boshteve njëkohësisht, të bën të jesh “vend i shqyer” nga të gjitha pikëpamjet. Çfarë do të ndodhë së afërmi kur forca gravitacionale e tri boshteve është shtuar së tepërmi? Shqipëria, nëse nuk shton peshën e vet specifike të rëndesës si faktor gjithëshqiptar politik dhe ekonomik, rrezikon të hidhet tej si leckë e shqyer?

Urojmë që projekti i integrimit europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve të vazhdojë. Por sjellja e Francës duhet të shkundë të gjitha elitat politike dhe kulturore të vendit për të menduar përtej asaj që askush nuk guxonte të mendonte, për planin B. Nëse fatkeqësisht një gjë e tillë do të duhej të ndodhte, askush nuk di të thotë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria në terma politikë. Cila duhet të jeta sjellja e saj? Pra, në këtë situatë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në njëfarë mënyrë ngrenë të njëjtën pyetje të tipit “si duhet të jetë dhe sillet një qytetar posteuropian i rajonit?” Kjo bëhet akoma më aktuale tani që balanca e boshteve po lëkundet dhe ku të parët që fluturojnë jashtë forcës gravitacionale të tyre janë vendet e vogla.

* * *

Sot është koha më shumë se asnjëherë tjetër që politikanët t’u thonë të vërtetën njerëzve. Ata duhet të pranojnë se dështuan t’u sigurojnë të gjithëve ëndrrën e shumëpritur. Kjo qeveri i vuri kapakun gjithë kësaj historie. Në këto kohëra, shprehja “Ç’më duhet mua, çfarë bëj unë” duhet çinstaluar nga memoria e secilit. Këto janë kohëra, të cilat thërrasin për një angazhim real për të rritur peshën specifike të vendit tënd dhe për të ulur sa më shumë koeficientin e të qenurit satelit bosh. Angazhimi real vjen nëse ndërtohet një vetëperceptim i duhur për veten. Kjo vjen nga ndërtimi i një mendimi të unifikuar pozitiv për vetveten. Nëse arrihet kjo, ajo çon drejt një mendimi të unifikuar pozitiv për ne si shqiptarë. Duhet ta rizbulojmë Shqipërinë. Ta konsiderojmë vendin tonë jo tashmë si vend transiti drejt një destinacioni tjetër ekonomik, arsimor apo edhe kulturor. Ta transformojmë nacionalizmin tonë futbollistik drejt atdhedashurisë si flamur në zemër dhe jo në shkallët e stadiumeve apo kofanot e makinave sa herë ka ndeshje. Duhet një vetëvlerësim realist dhe i ndershëm për mundësitë tona drejt një bashkimi kombëtar, duke rritur kapacitetin tonë demografik, ekonomik, politik dhe atë të mbrojtjes. Kështu, rrisim peshën tonë si shqiptarë në rajon dhe rëndesa jonë e bën më të vështirë të qenurit satelit i vogël, por edhe krijon më shumë qëndrueshmëri.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.