Plagosja në Rrëshen, në burg vajza, i nguli 4 herë thikën ‘përdhunuesit’

Feb 12, 2016 | 8:24
SHPËRNDAJE

Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për vajzën 20-vjeçare, M.Gjonaj, që lidhi me natriban dhe qëlloi katër herë me thikë në trup të riun Severjan Tusha, të cilin e akuzon për tentativë përdhunimi.

M.Gjonaj, e arrestuar për plagosje
M.Gjonaj, e arrestuar për plagosje

Ndërkohë për djalin e akuzuar për tentativë përdhunimi gjykata caktoi dje masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Masa e sigurisë për shtetasin Severjan Tusha është vendosur për akuzën marrëdhënie seksuale me të rritur e mbetur në tentativë”, thanë burimet e Prokurorisë.

Hetimet dhe akuza e prokurorisë

Prokuroria e Lezhës ka dyshime se motiv i ngjarjes ka qenë “ftohja” e marrëdhënies mes dy të rinjve, ndryshe nga sa pretendon vajza se nuk kishin njohje. Në mënyrë jozyrtare dhe ende të bazuar mbi të dhëna paraprake, grupi i hetimit ka dyshime se e akuzuara M.Gjonaj dhe i dyshuari Severjan Tusha ishin njohur muajin e fundit.

Hetuesit dyshojnë se kohët e fundit i riu nuk kishte shfaqur interes, duke kërkuar të shkëpuste komunikimin me 20- vjeçaren M.Gjonaj, e cila katër ditë më parë i ka kërkuar të takoheshin “për një sqarim”.

Në këtë mënyrë, dyshohet se e reja ka shkuar e përgatitur në këtë takim, pasi ka marrë me vete thikën dhe natribanin ngjitës me të cilin ka lidhur të dëmtuarin. Gjykata ka zhvilluar dje seancën për caktimin e masave të sigurisë ndaj vajzës dhe djalit të akuzuar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë në Kodër Rrëshen.

Sipas prokurorisë, shtetasja M.Gjonaj akuzohet për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Kjo akuzë është ngritur ndaj saj për shkak të katër plagëve të rënda që ka pësuar shtetasi Severjan Tusha, i cili është akoma në spital në gjendje të rëndë.

NGJARJA

Katër ditë më parë, Policia e Mirditës arrestoi të riun Severjan Tusha dhe shtetasen M.Gjonaj.

Ata u akuzuan në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Kodër Rrëshen, ku vajza plagosi rëndë me thikë të riun, i cili, sipas saj, tentoi ta përdhunonte. Dyshohet se dy të rinjtë kishin komunikuar në telefon mes tyre, prej gati 1 muaji, dhe kishin lënë takim.

Vajza dyshohet se ka marrë thikën dhe natribanin me vete ndërsa kishte udhëtuar nga fshati Prosek, ku jetonte me prindërit e saj, deri në Kodër Rrëshen, për t’u takuar me 24-vjeçarin Severjan Tusha. Ky i fundit e ka pritur vajzën në fshatin e tij, për t’u takuar në një zonë të pyllëzuar, 1 km larg banesës së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura