Pjetër Budi, përshtatës apo letrari i parë, botohet proza origjinale

Mar 10, 2020 | 11:55
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ I kemi quajtur tekstet e para të shqipes së shkruar dokumente të ekzistencës së gjuhës shqipe në mesjetë, por sot ka ardhur koha t’i shohim nën një tjetër këndvështrim.

Jo si dokument, por si letërsi mirëfilli. Pikërisht, botimi së fundmi i prozës së Pjetër Budit është një ftesë për të gjithë studiuesit, që të marrin në duar dhe të shqyrtojnë veprën e këtij pararendësi të letërsisë shqipe.

antoni

Titullohet pikërisht “Proza e Budit”, përgatitur nga studiuesi, prof. dr. Anton Nikë Berisha, një botim i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”. Për studiuesin Behar Gjoka, është koha që këto vepra që i përkasin shek. XVII të trajtohen si letërsi mesjetare arbënore, ashtu sikundër quhet edhe në vendet e tjera europiane.

“Pjetër Budi nuk është thjesht një përshtatës apo një përkthyes. Budi është poet, autor i 3 mijë vargjeve dhe prozator, autor i 100 faqeve në prozë”, thotë Gjoka. Në këtë botim vijnë tekstet origjinale të Budit, parathënie, pasthënie dhe letra, të përfshira në veprat e tij “Doktrina e kërshtenë” (1618), “Pasqyra e t’rrëfyemit” (1621), “Rituali roman” (1621). “Më në fund lexuesi, studiuesi i letërsisë së periudhës së parë të letrave shqipe, njohësit e Budit kanë në dorë edhe prozën e tij.

Busti-i-Pjetër-Budit-në-Burrel

Botimi i prozëshkrimit të Pjetër Budit pason botimin e librit “Poezia e Budit” të vitit 1986, përgatitur nga prof. dr. Rexhep Ismajli, ku janë përmbledhur më vete poezitë e autorit (ribotuar më 2006).

Në botimin ‘Proza e Budit’ janë përfshirë parathëniet, pasthëniet, testamenti poetik i Pjetër Budit, marrë nga librat ‘Doktrina e kërshtenë’ (1618), ‘Pasqyra e t’rrëfyemit’ (1621), ‘Rituali roman’ (1621) dhe letra nisur kardinal Gocadinit, që krijojnë mundësinë e leximit të ri dhe të studimeve të ndryshme të tyre. Rëndësi më vete, që madje e sjell në një dritë të mëvetësishme prozën e Budit, ë munguar gjer më tani, ka studimi prirës, i detajuar, thellësisht shkencor, për vlerat dhe shtresimet artistike të shumëfishta të prozës së Budit, hartuar nga prof. dr. Anton N. Berisha”, shprehet Behar Gjoka, me shpresën që ky botim të krijojë.

mundësi të shumta komunikimi edhe me prozatorin, krahas poetit, “njërin nga autorët e parë të shquar të letërsisë arbënore”.

11209375_418322365006493_974206801494519980_n

PROZA E BUDIT

Për studiuesin Anton Nikë Berisha, vepra e Budit është subjekt i hershëm i punës së tij. Më herët ka marrë në shqyrtim veprën e tij poetike, duke bërë një punë të hollësishme krahasuese me tekste biblike e krijimtarinë gojore. “Për të ndriçuar burimin kryesor ku u mbështet Budi për hartimin e poezive dhe të prozave të tij, i krahasova ato me tekstet biblike, sidomos me Psalmet dhe me Letrat e Shën Palit, po dhe ndriçova lidhjen e tyre (të poezive) me poezinë tonë gojore”, thotë ai.

Por këtë herë ai ndalet te proza, që vetë Budi ia servir në veprat e tij. Tekstet e prozave botohen sipas transkriptimit të albanologut Gunnar Svane, por ndryshe prej këtij të fundit, Berisha zëvendëson zanoret dyshe të Budit me zanoret me theks të rrafshët, për ta bërë tekstin më të thjeshtë për t’u lexuar. “Pa dashur të mohoj rëndësinë e punimeve dhe studimeve të deritanishme të prozës së Pjetër Budit, ose ato pak botime ku janë dhënë pjesë të veprave të tij, tekstet e parathënieve dhe të pasthënieve që botohen të plota për herën e parë në një vëllim, dëshmojnë mirëfilli rëndësinë dhe vlerën e tyre letrare poetike dhe teologjike; qenësia e mesazheve teologjike dhe kulturore të këtyre krijesave të Budit mbetet aktuale edhe sot e gjithë ditën.

proza

Dhëntë Zoti që botimi i prozave të Budit, që bëjnë fillesën e zhvillimit të prozës sonë të shkruar (pas Pasthënies së ‘Mesharit’ (1555) të Gjon Bdek Buzukut), të nxitë edhe studimin më të mirëfilltë të prozave të tij, po edhe të tri veprave të përkthyera e të botuara nga Budi, ‘Doktrina e krishterë’, ‘Pasqyra e të rrëfyemit’ dhe ‘Rituali roman’, të cilat brenda tyre kanë edhe tekste të hartuara nga vetë Budi, pra nuk janë të përkthyera nga asnjë vepër tjetër, si fjala vjen, teksti për gjamën botuar në “Rituali romak” (i sjellë në fillim të këtij libri), po dhe shtesat e ndryshme e të shumta të teksteve që ai i përktheu”, thotë Berisha.

Me botimin e këtyre teksteve hapet një rrugë e re studimore, që hedh dritë mbi një periudhë për të cilën informacioni është i pakët, por i domosdoshëm për të lidhur atë zinxhir me hallka të shkëputura të zhvillimit të letërsisë shqipe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura