Pjesë e kartelit shqiptar të drogës, ja çfarë vendosi gjykata për shqiptarin e arrestuar (EMRI)

Sep 19, 2020 | 11:26
SHPËRNDAJE

Nje dite pasi pesë të arrestuarit në Shqipëri për llogari të operacionit “Los Blancos” të Antimafias italiane u vendos te rrine ne qeli për 40 ditë derisa të mbërrijë nga Italia kërkesa për ekstradimin e tyre, te njejtin vendim mori gjykata edhe per te arrestuarin Gentjan Gentian Manaj.los blancos

Ai ishte pjesë e kartelit shqiptarë të drogës, që merrej me trafikun nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.

Gentian Manaj u arrestua për llogari të autoriteteve italiane. Togat e zeza caktuan masën e sigurisë me afat, për shkak se pritet që të vijnë fashikujt e dosjes nga drejtësia e vendit fqinj.

VENDIMI I DJESHEM

Personat që janë në pritje për të mësuar nëse do të ekstradohen në Itali apo jo, janë shtetasit Gentjan Manaj, Elvis Jaupaj, Jorin Llambro, Rexhino Ibrahimi dhe Vladimir Lesaj. Gjykatat vlerësuan arrestimin e ligjshëm të këtyre personave në kuadër të operacionit ndërkombëtar që u vu në zbatim në Shqipëri, në prani të agjentëve të Antimafias.

Por pjesë e operacionit ishin edhe Policia Europiane, përfshi atë të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku në Dubai u arrestua Eldi Dizdari, i njohur dhe me emrin Denis Matoshi. Eldi Dizdari është konsideruar me rolin kyç në kartelin e kokainës “Bello”, për të cilin Italia u ka dërguar autoriteteve në Dubai kërkesën për ekstradim. Hetimet e nisura nga Prokuroria e Firences u finalizuan me 20 arreste, ku shumica ishin shtetas shqiptarë. Ndër ta përmendim Lek Colajn, 40 vjeç, arrestuar në Rumani; Gjergj Lesajn, 38 vjeç, arrestuar në Holandë; Sokol Alikon (Memetaj), 36 vjeç, arrestuar në Spanjë; Robert Vargën, 44 vjeç, arrestuar në Hungari dhe Altin Velsulën (Hoxha) 36 vjeç, ndodhet në burgjet e Norvegjisë.

Sipas Antimafies italiane, ky grup është përgjegjës për trafikimin e tonelatave kokainë në Europë dhe Shqipëri, ndërsa vetëm në pesë vite në operacione të ndryshme u janë sekuestruar miliona euro para cash si dhe 4 ton kokainë e pastër nga Ekuadori deri në portet italiane apo edhe ato holandeze. Pjesë e këtij grupi është edhe Dritan Rexhepi nga Vlora, i cili aktualisht ndodhet burg në Ekuador, përfolur dhe për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në Shqipëri, akuza të cilat i mohoi.

ORGANIZATORI

Biznesmeni Eldi Dizdari, i njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi, ishte një nga të arrestuarit si pjesë e kartelit të kokainës që u godit nga Europoli gjatë operacionit “Los Blancos”. Dizdari, emri i të cilit u përfol në nëntor të vitit 2018, kur edhe u shpall në kërkim policor për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok, u arrestua në Dubai. Policia e Dubait ka dhënë detaje për arrestimin e tij, si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Europës. Mediat vendase citojnë Policinë e Dubait, sipas së cilës, shqiptari Dizdari, i kërkuar nga autoritetet italiane, u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Los Blancos”. Ai akuzohet për bashkëpunim kriminal dhe drejtim të bandës së trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar.

Eldi Dizdari konsiderohet nga Policia e Dubait si një udhëheqës i bandës shqipfolëse “Kompania Bello”, një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafikimin e drogës dhe operacionet e kontrabandës midis Amerikës së Jugut dhe Europës me një vlerë prej 350 milionë eurosh. Duke zbuluar detajet e arrestimit, koloneli Saeed Al Qamzi, drejtori i Departamentit të Personave të Kërkuar në Policinë e Dubait, tha se ata e vendosën shqiptarin nën një vëzhgim të ngushtë për disa ditë, para se të merrnin “njoftimin e kuq” kundër tij. “Së bashku me drejtuesit e tjerë të bandave, i dyshuari arriti të kontrabandonte dhe transportonte qindra ton drogë në Europë përmes porteve detare dhe t’i shiste ato te përdoruesit e drogës”, shpjegoi koloneli i Policisë së Dubait, Al Qamzi.

VRASJA NE ISH-BLLOK

Afro dy muaj pas masakrës në ish-Bllok, që ndodhi 4 tetorin e vitit 2018, hetimet nisën të përqendrohen te prishja e pazareve të drogës. Grupi hetimor duket se u fokusua aty pasi arriti të mbledhë të dhëna të dobishme që konfirmonin një konflikt për çështje kokaine mes Ervin Matës, të fejuarit të Elvana Gjatës, dhe një biznesmeni që u shpall në kërkim nëntorin e atij viti. Bëhej fjalë për Eldi Dizdarin, i cili është bashkëshorti i ish-misit Suada Sherifi. Ai ishte identifikuar nga grupi hetimor prej disa javësh, por vetëm më 27 nëntor të vitit 2019 Prokuroria urdhëroi ndalimin e tij, e për rrjedhojë, Policia e shpalli në kërkim, ndonëse nuk arriti ta ndalonte asnjëherë për atë çështje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura