“Pjesa më energjike e shoqërisë”, Kisha Katolike mbështet protestën e studentëve: Mbështesim çdo kërkesë

Dec 8, 2018 | 18:49
SHPËRNDAJE

Kisha Katolike e Shqipërisë, ka reaguar sot në lidhje me protestën e studentëve, të cilët kanë 4 ditë që po vijojnë qëndresën kundër taksave të larta për arsimim.

Ipeshkvijte ne Shqiperi

Me anë një njoftimi për shtyp, Kisha Katolike shkruan se  “Studentët, e të rinjtë në përgjithësi, janë pjesa më energjike e shoqërisë si dhe duhet të mbështeten në rritjen dhe zhvillimin e tyre. Ne inkurajojmë studentët dhe institucionet arsimore dhe universitare në gjetjen e një gjuhe dialoguese për të mirën e të rinjve universitarë”.

NJOFTIMI I PLOTË

Kisha katolike në Shqipëri po ndjek me kujdes protestën e studentëve universitarë këto ditë si dhe është në dijeni të kërkesave të tyre.

Ne, barinjtë dhe udhëheqësit shpirtëror, shprehim vlerësimin tonë për mënyrën civile dhe paqësore me të cilën kjo protestë po zhvillohet nga ana e tyre.

Të gjithë të rinjtë, e në mënyrë specifike studentët universitarë, janë një vlerë e madhe për të ardhmen e vendit tonë. Zëri i tyre duhet të dëgjohet nga institucionet përgjegjëse dhe kërkesat e tyre legjitime duhet të zgjidhen.

Kujtojmë rolin e tyre vendimtar në dhjetor të vitit ‘91 ndërsa diktatura komuniste përpëlitej në grahmat e fundit të saj.

Studentët, e të rinjtë në përgjithësi, janë pjesa më energjike e shoqërisë si dhe duhet të mbështeten në rritjen dhe zhvillimin e tyre.

Ne inkurajojmë studentët dhe institucionet arsimore dhe universitare në gjetjen e një gjuhe dialoguese për të mirën e të rinjve universitarë.

Mbështesim çdo kërkesë legjitime nga ana e studentëve dhe çdo reformë që synon t’u vijë në ndihmë sidomos shtresave më të varfra të shoqërisë.

Shprehim sigurinë tonë se ardhja në ndihmë të studentëve nga ana e institucioneve, gjetja e një gjuhe të përbashkët, përmirësimi i kushteve për të pas një kohë studimore më të frytshme, do të ndalonte edhe ikjen e shumë të rinjve jashtë Shqipërisë, fenomen ky shumë shqetësues i viteve të fundit.

Lutja e jonë, lutja e bashkësisë së krishterë, i lartësohet vazhdimisht Zotit për një Shqipëri të drejtë e të begatë.

Ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare

Tiranë, 08-12-2018

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura