Pjesa e fundit e reportazhit nga Artan Fuga: Endërr pogradecare

Aug 17, 2018 | 12:28
SHPËRNDAJE

Artan Fuga/ Është Festa e Birrës në Korçë. Derdhet gëzueshëm pija e freskët në kriklla dhe në fyte njerëzish dhe sjell haré. Përpara një shisheje të hapur, unë vazhdoj ëndrrën time për Pogradecin.

Fuga ne Pogradec
Fuga ne Pogradec

Nuk i ndahem asnjëherë “Birrës Korça” dhe kuqalashes. Në fakt, me këtë të fundit më miqësoi reklama e saj. Kuqalashe pa turp! E gjetur bukur! Turpi, por jo vetëm, ai të skuq! Por të skuqesh se nuk ke turp – kjo është pastaj krejt e veçantë. Kurse me “Birra Korçën” më lidhin vitet e rinisë kur, bashkë me shokë e shoqe të rinisë, shijonim në verë te “Panda”, birrën e zezë korçare. Vizitohej atëherë fabrika. Dikur, një nga teknikët hapi cisternën në rubinetit e saj fundor, më mbushi një gotë birrë dhe ma dha që të më bënte mirë.

Liqeni i Pogradecit
Liqeni i Pogradecit

Ka ardhur dita e fundit për mua në Pogradec. Mbrëmja korçare më kujton se nesër do të kthehem. Përjetova mbresa të paharruara në Prespë, Korçë, Voskopojë, Pogradec. Veçanërisht në Pogradec.

Më duhet ta mbyll rrëfimin tim. Dhe vesi i universitarit nuk shqitet. E cili është përfundimi? Fati e ka sjellë që ëndrrën time për Pogradecin ta përmbyll paksa i vetmuar në Festën e Birrës në Korçë. Jep pak entuziazëm “Birra Korça”, asgjë më tepër, asgjë. Ka nevojë edhe për entuziazëm kur imagjinon të ardhmen. Jo me sot e me nesër, sepse dihet që afatshkurtër asgjë nuk do të ndodhë. Do të fillojnë shirat e vjeshtës dhe Pogradeci do të hyjë në sezonin e freskët dhe pastaj të ftohtë. Bora e bukur do ta mbulojë. Lum ai që ka një sobë dhe ca dru zjarri, që pogradecarët kujdesen që tani për t’i rehatuar në ballkone, bodrume a kasolle në fund të oborrit. Duhen shumë dru zjarri në dimër si në Korçë, ashtu edhe në Pogradec.

Por, afatgjatë, pse jo, duhet menduar.

Ne që e duam Pogradecin prej dekadash, ata që e kanë dashur prej shekujsh, qytetarët pogradecarë, banorët e tij, qofshin vendësit, si edhe të ardhurit rishtazi, pushtetarët, të zgjedhurit bashkiakë, sipërmarrësit, të gjithë pra ne, kemi nevojë ta mendojmë të ardhmen e Pogradecit, jo me ditë as me muaj, por për dekadat e ardhshme. Për ndryshe do të të ndërtojmë kuturu, pa plan, thjesht aq sa lejon një mandat në krye të bashkisë dhe kaq. Jo, nuk mendohet kështu jeta e një qyteti dhe e një krahine. Problemi është që kështu afatgjatë nuk mendojnë dot politikanët e cilësdo ngjyrë që të jetë. Politika në vetvete është dritëshkurtër sepse gjithmonë priret të marrë vota dhe votat janë pushtet, pushtet që duhet marrë si një sfidë pas një viti a tre vjetësh dhe jo pas disa dekadash. Ja përse politika është dritëshkurtër. Të vetmit që mund dhe duhet të mendojnë afatgjatë janë qytetarët, sipërmarrësit dhe menaxherët ose intelektualët.

poradec2

Kjo është arsyeja pse nuk duhet menduar si të menaxhohemi nga politika, por duke ftuar qytetarët, sipërmarrësit dhe intelektualët, menaxherët, në administrim. Politika qeveris, por nuk menaxhon dot. Janë dy koncepte që nuk duhen ngatërruar me njeri-tjetrin.

Fillimisht duhet menduar se çfarë privilegjesh i ka dhënë natyra dhe fati Pogradecit, ndryshe thënë, duhet menduar mirë se çfarë ka Pogradeci që nuk e kanë qendrat turistike verore buzë dy deteve që ne kemi, dhe që kanë bukuritë dhe vlerat e tyre të veçanta edhe ato.

Ndryshe thënë, menaxheri i zoti duhet të mendojë qartë dhe si ta bindë e ta bëjë të ndërgjegjshëm qytetarin për pozicionimin e specifikuar të sipërmarrjes, pra, të administrimit të vlerave të qytetit të tij.

Çfarë specifikash ka Pogradeci ndryshe nga qendrat e tjera turistike?

Së pari, Pogradeci është buzë një liqeni me ujë të ëmbël, në lartësi të konsiderueshme nga deti dhe me një diell që shoqërohet me një freski të thekur përgjatë muajve të nxehtë të beharit. Këto elemente natyrore u mungojnë qendrave turistike detare dhe nuk janë dot të konkurrueshme prej tyre. Le të shkojë jo ministri i Turizmit dhe të bëjë reklamë të fshehur nga lokalet në jug të vendit për vlerat e jugut, por, bashkë me të, të shkojë edhe ministri i Mbrojtjes, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe kush të dojë tjetër, nuk mund të jenë të besueshëm që vlerat natyrore që ka Pogradeci mund t’i krijojnë edhe në vijën bregdetare shqiptare. E pamundur.

Rrugë me lule në Pogradec
Rrugë me lule në Pogradec

Është krejt e veçantë që të jesh i pakonkurrueshëm në treg thjesht për shkak të vlerave që t’i ka falur natyra. Por, teoritë e marketingut paralajmërojnë që ky fat mund të ndikojë edhe negativisht në motivimin e menaxherëve për të zënë një vend strategjik në treg, sepse privilegji i falur zakonisht të vë në gjumë dhe të tjerët ta kalojnë. Kam përshtypjen se flenë pak në këmbë menaxherët e qytetit, madje edhe të disa sipërmarrjeve në Pogradec, meqë kanë disa vlera të pakonkurrueshme të falura nga natyra. Në një farë mënyre, e kanë klientelën e tyre për aq sa të fitojnë në verë dhe ta shtyjnë mirë dimrin pranë zjarrit.

Së dyti, ne kudo themi që turizmi duhet të jetë gjithëvjetor, por në vijën bregdetare është e vështirë të tërheqësh një klientelë vendase si edhe ndërkombëtare për të kaluar vjeshtën dhe dimrin atje. Prandaj, Saranda, në dimër, duket si qytet fantazmash sado i bukur që është, Durrësi dhe Vlora kthehen në gjendjen e tyre normale sepse çfarë do të bësh të veçantë në dimër atje. Kurse Pogradeci ka sharmin në verë, por ka sharmin edhe në dimër. Sepse është vend malor. Edhe nga kjo anë ai është i pakonkurrueshëm dhe këtë ia ka falur vetë natyra, a Zoti. Ku ka një qendër të madhe turistike bregdetare që të mund të jetë si Pogradeci, edhe vend ujor, edhe vend malor? Sigurisht, janë disa fshatra në jug, por ata janë fshatra dhe jo qytete. Se ka “malokë” veriu, por ka edhe “malokë” jugu, mos kini merak. Ka edhe në Skrapar, Gore, Mokërr, kudo mo. Mirë që i kemi.

Qilimi i blertë i rrjepur
Qilimi i blertë i rrjepur

Në jug, në zonat malore buzë detit, vështir se ka dëborë, kurse në Pogradec velloja e dëborës të fton për ekskursione, vizita, për peizazh, si edhe për ski.

Së treti, konfiguracioni i liqenit bën që investimet në infrastrukturë të jenë vendosur në formë rrethore dhe jo në vijë të drejtë, që u heq zonave të banuara privilegjin e qendrës dhe të baraslargimit prej saj. Skajet e zonave turistike në Pogradec janë shumë më afër njëra-tjetrës sa mund të ishin në Sarandë, Vlorë, Durrës etj. Kjo e bën turistin të jetojë dhe pushojë në një territor që është ndërtuar sipas parimit të vjetër pozitivist: “Qendra është gjithandej dhe periferia është askund”. Ky lloj konfiguracioni rreth e përreth liqenit bën që investimet në rrugë ose në sektorë të tjerë të jenë më me rendiment dhe me më pak shpenzime.

Së katërti, Pogradeci është përfshirë në një territor krahine ku ka disa qendra turistike, por asnjëra nuk konkurron nga afër njëra-tjetrën. Ndërkaq, kjo nuk ndodh në vijën bregdetare. Ksamili, me bukuritë e tij, sigurisht konkurron Sarandën, Saranda Butrintin, Butrinti plazhet e tjera bregdetare. Po në Durrës, plazhi i Durrësit konkurrohet nga Golemi, Qerreti, Mali i Robit e kështu me radhë, duke shkuar drejt Divjakës. Shëngjini konkurrohet nga Patoku. Vlora konkurrohet nga plazhet e bregut të Vlorës, duke nisur me Dhërmiun e përfunduar në Himarë. Ndërkaq, tjetër sharm dhe karakteristika ka Korça, të tjera Pogradeci, të tjera Mokrra, Voskopoja më larg, Prespa dhe kështu me radhë. Qendrat turistike në këtë zonë plotësojnë njëratjetrën dhe nuk mbivendosen mbi njëra-tjetrën. Klientela nuk segmentohet midis tyre, nuk ndahet midis tyre, por më tepër se sa kaq, krijohet një gjerdan qendrash, që tërheq fort turistin e huaj, duke e bërë këtë pol turistik edhe më atraktiv sesa të tjerët.

Së pesti, për një turist të huaj, plazhet dhe qendrat e turizmit bregdetar në zonën e deteve, ka shumë zgjedhje. Plazhet tona konkurrohen fort nga propozimet shumë herë më të përshtatshme dhe me më shumë tradita marketingu si plazhet italiane, greke, kroate malazeze, etj. Kurse, nëse mendojmë në dekadat e ardhshme zhvillimin e turizmit pogradecar, rezulton se konkurrenca ndërkombëtare është më e dobët dhe peshon më pak mbi operatorët e Pogradecit. Duhet thënë se Pogradeci do të vazhdojë të ketë konkurrentë Ohrin apo Strugën, etj., por gjithsesi jemi brenda një zone gjeografike koherente, rreth një liqeni, ku kalimi i turistëve nga njeri vend në tjetrin do të ishte një vlerë e shtuar.

Së gjashti, të mos harrojmë se nga Pogradeci hapësira tokësore e Bashkimit Europian është më afër sesa nga shumë qendra të turizmit bregdetar. Me disa pika kalimi kufitar në afërsi të vet, me mundësi për të kaluar në Greqi dhe pastaj në Bullgari me mjete transporti tokësore, si edhe për të shkuar më larg drejt Egjeut, Pogradeci jep mundësi lëvizshmërie shumë më të mira ndërkufitare se çdo vend tjetër bregdetar. Që andej kapet pa vështirësi Shkupi, Selaniku etj.

Së shtati, me Pogradecin janë të lidhur edhe një sërë produktesh rajonale që nuk gjenden në këtë densitet në zonën bregdetare, e cila ka veçori të tjera agro-ushqimore. Peshku koran që rritet në ujërat e ëmbla bëhet imazhi i zonës turistike për një klientelë të ngeshme dhe që gjurmon kuzhinën e mirë dhe të rrallë. Mjalti, mollët, patatet, gështenjat, arrat, etj., janë me nam në këto zona.

* * *

Gjithsesi, duke vazhduar ëndrrën time për Pogradecin e së ardhmes, është fare e dukshme që ka nevojë për zhvillime strategjike afatgjata. Nuk bëhen ato me buxhetet e pushtetit lokal që vijnë nga taksat. Sapo ndreq një rrugë, prishet një tjetër, sapo ndreq një trotuar prishet një tjetër, disa fasada lyen dhe të tjera rreckosen. Nuk i dilet kështu.

Është fjala për zhvillime strategjike, që kapin dekadat e ardhshme nëse nuk duam që Pogradeci të mbetet një qytet i ruralizuar, me bukuri natyrore, por pa infrastruktura turistike që do të tërhiqnin flukse të mëdha të një turizmi sa elitar aq edhe masiv.

Mbetet në radhë të parë konceptimi i një plani urbanistik i qytetit, që duke ruajtur karakteristikat e traditës qytetare pogradecare, të japë mundësi për zhvillime urbane të ardhshme. Deri ku do të ngjitet në kodrat përreth qyteti? Çfarë do të bëhet me infrastrukturën e banesave në formën e ndërtesave të vjetra me disa kate, që janë ezauruar dhe dalë jashtë kohe? Si do të zhvillohet qyteti si njësi turistike, agroushqimore, kulturore në mënyrë që të krijojë dinamika urbane dhe rurale të fuqishme? Ku do të kalojnë dhe si do të zhvillohen akset rrugore të qytetit për të përballuar flukset e transportit dhe ruajtur qetësinë karakteristike si vlerë e veçantë e Pogradecit ?

Mbetet së dyti, të mendohet fort sesi do të zhvillohet qyteti dhe hapësirat urbanistike turistike në të gjithë perimetrin e liqenit, që i takon pjesës shqiptare. Çfarë investimesh afatgjata duhen bërë në malësitë e Mokrrës si edhe në malet përreth për turizmin malor, skinë, dimërimin, gjuetinë, sikurse e lidhur kjo me zhvillimin e pyjeve dhe të pemëve frutore.

Duhet reflektuar, mendja të shkon, së treti, te Prespa, që gjithsesi është një zonë turistike fqinje dhe plotësuese e liqenit të Pogradecit. Është Park Natyror Kombëtar, sigurisht, por çfarë do të thotë kjo gjë realisht ? Nuk ka një kopsht zoologjik që mund të ishte më i madhi në vend. Nuk ka një akuarium gjigant që mund të bëhej me famë për nga riprodhimi në miniaturë i botës së gjallë nënujore. Infrastruktura e ndërtimit dhe ajo e hotelerisë në Prespë ka një potencial të jashtëzakonshëm. Lidhja e kodrave me njëra-tjetrën me sisteme rrugësh dhe urash, zhvillimi i plazheve sot të virgjëra, ndërtimi i qendrave urbane turistike sipas shembullit ta zëmë të Korfuzit, ku turisti të jetë njëkohësisht i zhytur në një mjedis sa ujor, po aq edhe pyjor, sa malor, po aq edhe urban, ashtu edhe rural, do të ishte pra një model që i ka vërtetuar potencialet e veta të suksesit.

Së katërti, mbetet për t’u menduar dhe përpunuar një strategji e tërë për të bërë që Pogradeci të ketë një model ekonomik të integruar midis turizmit, pra industrisë së turizmit, industrisë agroushqimore dhe vetë bujqësisë dhe blegtorisë. Ideja është që të krijohet një treg gjigant konsumi produktesh ushqimore, që në një pjesë sa më të madhe të ushqehet nga tregu lokal i rajonit.

Së pesti, duhet krijuar identiteti i një logoje dhe i kulturës së qytetit. Duke e tharë kulturalisht qytetin, për të nuk ka të ardhme. Infrastruktura e kulturës, e zbavitjes, e artit, e poezisë, pikturës, këngës dhe serenatave pogradecare ka nevojë të dalë në pah me të gjithë forcën e vet.

Së gjashti, Pogradeci, duke respektuar dhe mirëpritur të ardhurit që janë instaluar atje, si edhe një shtresë turistësh dhe pushuesish që ka karakteristikat e veta sociologjike, moshore, psikologjike etj., ka vend të hapet dhe një kategori pushuesish që shpenzojnë më shumë, më të rinj, më dinamikë dhe me kërkesa më të larta. E këtu duhet mbajtur parasysh që ka vend të rikthehet gjithashtu imazhi dhe forca e qytetit për të gjithë tregun kombëtar në produkte, që kanë pasur një vend sundues atje. Mobilieria, peshku, industria ushqimore në disa produkte veçanërisht të spikatur si reçelrat, turshitë, verërat etj., duhet të kthehen në vendin e tyre të nderit.

* * *

Por asnjë projekt madhor nuk mund të vihet në jetë nëse nuk ka një vullnet të mirë vendimmarrjeje. A mjafton vendimmarrja politike në nivel qendror? Ajo duhet, sigurisht, madje në shumë drejtime është e pashmangshme dhe me pasoja pozitive, por ka kufizimet e veta. Sepse është e politizuar, është në nivelin e influencave të lobive që mbase nuk kanë plane ambicioze për Pogradecin dhe nuk dihet sesi i vendos prioritetet.

Lobitë e tjera mund të ndodhi dhe ndodh të kenë më shumë influencë sesa lobitë pogradecare mbi politikat e qeverisjes qendrore. Edhe po qe se një ditë vjen një kryeministër pogradecar, sa do të qëndrojë ai në pushtet? Ja katër, ja tetë vjet. Po pastaj?

E njëjta gjë edhe në nivel lokal. Vendimmarrja në nivel këshilli bashkiak sigurisht është legjitime, por edhe ajo ka kufizime e veta nëse nuk shoqërohet, mbështetet, plotësohet me kontrollin dhe pjesëmarrjen qytetare. Qytetari vepron me anë të votës, por edhe nuk mund të konsiderohet e mjaftueshme një votë një herë në tre ose katër vjet dhe pastaj pushtetet publike të bëjnë si të duan.

Vendimmarrja qytetare ka vend të jetë organizuar në grupe presioni. Kryetari i bashkisë në dekadat që vijnë nëse dëshiron të jetë në lartësinë e rolit dhe besimit që i kanë dhënë, kushdo qoftë, ai ose ata, e ka të domosdoshme të kërkojë një vendimmarrje të koncentruar, pra në bashkëpunim me lobitë e aktorëve lokalë që kontribuojnë në zhvillimet e ardhshme.

Dhe këtu janë katër lobi të rëndësishme, që ka vend të organizohen dhe të bashkëveprojnë:

Së pari, shoqata e hotelierëve dhe operatorëve turistikë.

Së dyti, shoqata e agrobiznesit dhe e industrisë ushqimore.

Së treti, shoqata e banorëve që kanë apartamente dytësore, por që nuk kanë të drejtë vote për pushtetin lokal, kanë potenciale idesh, vlerash, njohjesh dhe përbëjnë kontributorë për qytetin e tyre.

Së katërti, shoqata e pogradecarëve emigrantë, kudo në botë apo nëpër Shqipëri, që kanë interes për zhvillimin e qytetit të tyre dhe ndofta edhe më shumë mjete për të kontribuar për të mirën e tij.

Të gjitha këto, në bashkëpunim me shoqatat e qytetarëve pogradecarë. Vendimmarrja e pushtetit lokal është në ditë të hallit. Prej andej, në qytetet tona është përjashtuar qytetari. Në fakt, duhet të legjitimohet që asnjë vendim këshilli bashkiak nuk mund të vihet në ekzekutim nëse për të nuk është marrë mendimi i shoqatave të aktorëve socialë, që veprojnë në atë fushë. Aq më pak mund të konsiderohet praktikisht si legjitim nëse këto shoqata janë kundër në parim. Kjo të konsiderohet veto.

Mbi të gjitha, në nivelin lokal kërkohet një politikë e drejtë në përdorimin e taksave të mbledhura dhe të tatimeve si nga ana e pushtetit qendror ashtu edhe nga bashkitë. Nuk mundet që një sipërmarrës turistik, ta zëmë të paguajë tatime dhe taksa dhe të mos shohë ndikimin pozitiv të kontributit të tij drejtpërdrejt mbi biznesin e tij. Kontributi për komunitetin është njëra anë, ndërkohë pasojat mbi biznesin e tij nuk mund të injorohen. Çfarë kuptimi ka që një operator turistik, ta zëmë paguan tatime dhe taksa dhe të mos ketë të drejtë që një përqindje e caktuar e tyre në marrëveshje me të, të riinvestohen në forma të ndryshme në të mirë të lidhur drejtpërdrejt me biznesin e tij. Tatime ose taksa të mbledhura mund të shkojnë në rregullimin për shembull të rrugëve të qytetit, por nuk ka kuptim që pikërisht rruga pranë taksapaguesit të madh të jetë në gjendje të mjerueshme. Kjo politikë vjeljeje dhe përdorimi i buxheteve do të ishte e padrejtë. Apo me taksat që paguan të pastrohet qyteti dhe të mos mblidhen dhe menaxhohen plehrat ose të mos urbanizohet mjedisi rreth e rrotull sipërmarrjes të tij!

Por, Pogradeci ka nevojë për një investim të madh që të ketë një impakt ndofta prej katër ose pesë dekadash mbi qytetin dhe rrethinat e tij në kthimin e tyre në një pol të madh turistik dhe ekonomik për vendin, por edhe për Ballkanin. Ne duhet të konkurrojmë në ekselencë. Ku do të gjendet ky buxhet ? Nuk shoh që buxheti i shtetit të jetë kthyer nga ajo anë sepse edhe nuk i ka mundësitë. Nuk shoh që banka private të huaja apo shqiptare në nivel agjencish lokale të kenë fuqi ta financojnë këtë projekt madhor të shekullit në atë zonë. Nuk shoh as fuqi nga ana e operatorëve financiarë dhe ekonomikë vendës. Të gjitha këto forca, po të mblidhen do të kërkonin një kohë e mund të gjatë dhe nuk dihej nëse do ia dilnin dot.

Duhet me qenë realist kur ëndërron.

Por një hua e madhe me afat shlyerjeje prej disa dekadash, pa interesa të leverdishme, negociuar me ndonjë nga bankat që financojnë projekte strategjike në Europë dhe në botë, duke vendosur si mortgage pasuri që nuk mungojnë në zonën që flasim, mund të ishte një dalje e mirë financiare në një oqean shpresash dhe zhvillimesh madhore.

Duket si iluzion, por guximtarët fitojnë në këtë botë, të tjerët janë shërbëtorë të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura