“PISA 2012” vlerëson progresin e arsimit shqiptar

Dec 7, 2013 | 11:56
SHPËRNDAJE

MYQEREM TAFAJ

  Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim  (OECD) shpalli më 3 dhjetor 2013 rezultatet e raportit “PISA 2012” (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve 2012). Nga 65 vendet pjesëmarrëse në këtë program, Shqipëria është renditur në vendin e 57-të, duke shënuar një përmirësim me 3 shkallë në krahasim me “PISA 2009” dhe 8 shkallë në krahasim me “PISA 2000”. Vlerësimi “PISA” është vlerësimi me besueshmërinë më të lartë dhe me një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e politikave arsimore më mbarë botën. Ai ka disa komponentë thelbësorë që synojnë të ofrojnë një vlerësim kompleks, duke pasur në themel të këtij sistemi tri fusha të dijes: matematikë, gjuhë amtare (te lexuarit dhe të shprehurit) si dhe lëndët e shkencave natyrore. Vlerësimi “PISA” për vitin 2012 ka pasur në fokus matematikën. Është në praktikën e testit “PISA” që një nga tri lëndët e lartpërmendura të jetë objektivi themelor i vlerësimit. Megjithatë, ky standard nuk anashkalon edhe elementet e dijes së fushave të tjera, pavarësisht se përqendrohet në një lëndë të veçantë.
Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në “PISA” në vitin 2000 dhe është renditur e parafundit, midis vendeve pjesëmarrëse. Në vitet 2001 e 2004, Shqipëria nuk aplikoi për “PISA” e vitit 2003 dhe 2006. Në vitin 2006, vendi ynë aplikoi për vlerësimin “PISA” të vitit 2009 dhe 2012. Ligji i ri për arsimin parauniversitar e bën tani të detyrueshme pjesëmarrjen e vendit në vlerësimin “PISA”, çka i shërben vlerësimit internacional të progresit dhe orientimit të politikave arsimore kah standardeve të përparuara ndërkombëtare.
Në vlerësimin e “PISA 2012” vendi ynë ka ngjitur 3 shkallë në renditjen përfundimtare (në bazë të performancës së arritjeve të nxënësve, të matura nga ky vlerësim, në krahasim me vitin 2009) dhe 8 shkallë në krahasim me vitin 2000. Shqipëria, së bashku më Izraelin dhe Poloninë, është vlerësuar si një ndër tri vendet me rritjen më të madhe të numrit të nxënësve që arrijnë rezultate të larta (nivele 5 dhe 6) dhe, paralelisht, uljen e atyre që arrijnë rezultate të ulëta (nivelet 1 dhe 2), në krahasim me rezultatet e mëparshme në gjuhën amtare. Përkatësisht, Shqipëria është vlerësuar më 45 pikë (36+9) më shumë se në vitin 2000 në fushën kryesore (36 pikë nga 2000 deri 2009, dhe 9 pikë nga 2009 deri në 2012). Ky progres, për nga vëllimi i dijeve dhe aftësive të fituara, është i barabartë me së paku një vit shkollor.
Rezultatet e arritura janë inkurajuese për të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollave tona. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi ende nën mesataren e vendeve të OECD, por, unë jam i sigurt se jemi në rrugë të mbarë të rritjes së cilësisë dhe afrimit me standardet ndërkombëtare.
Raporti i “PISA 2012” evidenton disa faktorë parësorë që ndikojnë në rezultatet e vlerësimit për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Si faktor themelor, evidentohet statusi dhe përgatitja e mësuesve.
Është statusi i ri dhe përgatitja e re cilësore e mësuesve tanë që ka ndikuar edhe në arritjen e këtyre rezultateve të reja. Qeverisja e PD bëri reforma të thella në këtë drejtim. Mbidyfishimi i pagave të mësuesve e ka përmirësuar statusin social të mësuesve dhe e ka bërë profesionin e mësuesisë, dikur krejtësisht të përbuzur dhe të braktisur, tani ndër profesionet më të kërkuara. Kjo duket qartë edhe në rritjen e numrit të maturantëve me rezultate të larta që zgjedhin të studiojnë në drejtimet e mësuesisë.
Reformë tjetër në këtë fushë, që ka filluar qysh në vitin 2010, është reforma e studimeve universitare në mësuesi, mbështetur edhe në përvojën e vendeve ndër më të suksesshmet në këtë fushë, kryesisht të Finlandës, vend i cili edhe në “PISA 2012” rezulton shumë i suksesshëm në klasifikim. Fakultetet e mësuesisë së universiteteve tona publike kanë hartuar kurrikulat e reja të masterit në edukim sipas modelit të Finlandës. Ligji i ri “Për sistemin e arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” ka vendosur standarde të reja të krahasueshme me ato europiane, për nivelin e formimin universitar të kërkuar për konkurrim si mësues në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.  
Një standard tjetër shumë i rëndësishëm në formimin fillestar të mësuesve të rinj, është përfshirja, në vitin 2011, e profesionit të mësuesisë në grupin e profesioneve të rregulluara. Ka filluar implementimi i praktikës profesionale, pas studimeve universitare, e cila përmbyllet me një vlerësim nga mësuesit dhe prindërit në shkollën, ku kandidati për mësues ka kryer praktikën, si dhe zhvillimi i provimit të shtetit, sipas standardeve më të mira që zbatohen në vendet e BE. Deri në gusht 2013 përfunduan praktikën profesionale dhe dhanë provimin e shtetit rreth 500 mësues të rinj që do të jenë kandidatët më të kualifikuar për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. Sigurisht, është shumë e rëndësishme që të rritet edhe pragu i vlerësimit kalues në provimin e shtetit, nga 50 në 70% të pikëve maksimale, meqë tani është krijuar një përvojë e mjaftueshme për ta hedhur edhe këtë hap.
Janë filluar një sërë projektesh që mbështesin kualifikimin e vazhduar të mësuesve, rritjen e aftësive dhe kompetencave të tyre, veçanërisht në IT, didaktikë dhe ato për rritjen e kompetencave sociale.
Por ndërsa për 8 vjet u investua për të motivuar mësuesit duke u dhënë një status të ri dhe mundësi për zhvillim profesional bashkëkohor, fushata shumë denigruese, e filluar nga ish-opozita dhe nga kreu i PS, sot Kryeministër i vendit, në fushatën elektorale të zgjedhjeve të këtij viti dhe që vazhdon edhe tani me një terrorizim të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave, ka ngjallur një pasiguri të skajshme tek ata për humbjen e vendit të punës dhe po shkakton një demotivim dhe ndrydhje të pasionit dhe dëshirës së tyre për përmbushjen e misionit fisnik të edukimit të fëmijëve dhe të të rinjve.
Kurrikula është faktor tjetër madhor që citohet edhe në raportin “PISA 2012”. Reforma e kurrikulës në arsimin bazë është e përfunduar dhe pret që të zbatohet duke filluar nga viti shkollor 2015-2016. Ajo u realizua me pjesëmarrjen e mbi 80 mësuesve, studiuesve dhe pedagogëve dhe, nga më të mirët e vendit, në bashkëpunim edhe me ekspertë të huaj. Paketa u diskutua gjerësisht me mësues, prindër, pedagogë, hartues të teksteve. Ajo synon përafrimin e programeve lëndore me ato të vendeve më të përparuara.  
Por çfarë po ndodh!? Qeveria e re po ecën në një rrugë të krejtësisht të gabuar.
Ajo po hedh poshtë punën e një grupi kaq të madh ekspertësh, thjesht e vetëm se kjo paketë është përgatitur në kohën e qeverisjes së demokratëve. Në fakt, e gjithë paketa është produkt i punës së ekspertëve që nuk kanë të bëjnë me partitë dhe politikën. Prandaj është më mirë që Ministria e Arsimit dhe Sportit të vijojë me përgatitjen e parakushteve të nevojshme për implementimin me sukses të kurrikulës së re të arsimit bazë, në mënyrë të veçantë me reformën e studimeve universitare në drejtimet e mësuesisë dhe me trajnimin e mësuesve pranë fakulteteve të mësuesisë.
Faktor tjetër i rëndësishëm konsiderohet vijimi i arsimit parashkollor. Kjo do të thotë, që duhet investuar me përparësi për të përmbushur objektivin që çdo fëmijë 5-vjeçar të vijojë kopshtin së paku një vit përpara fillimit të arsimit fillor.
Tregues tjetër i dallueshëm që ndikon drejtpërdrejt në rezultate është ndryshimi në arritje midis zonës urbane dhe asaj rurale. “PISA 2012” e evidenton këtë ndryshim të ndjeshëm edhe në disa vende të zhvilluara. Ky ndryshim vihet re edhe në testin tonë kombëtar të provimit të lirimit. Shqipëria ka rreth 70% të shkollave të arsimit bazë në zonën rurale. Diferenca e vënë re lidhet para së gjithash me nivelin e kualifikimit të mësuesve. Por tani janë krijuar kushtet për ta zbutur shumë këtë ndryshim. Numri i studentëve që vijnë nga zonat rurale dhe që diplomohen në Mësuesi është rritur me shpejtësi. Profesioni i mësuesit paguhet mbi dy herë më shumë se përpara 8 vjetësh. Infrastruktura rrugore është përmirësuar dukshëm, çka bën që disa zona të largëta të arrihen shumë më shpejt.
“PISA 2012” evidenton një sërë faktorësh të tjerë shumë të rëndësishëm për politikëbërjen në fushën e arsimit. Vlerësohen pozitivisht sistemet arsimore që nuk bëjnë një ndarje të hershme (në  klasën e pestë ose të gjashtë) të nxënësve në arsimin e përgjithshëm ose atë profesional. Struktura e arsimit e aplikuar në vendin tonë (9 plus 3) bën pjesë në këtë grup. Aplikimi i testeve të standardizuara të vlerësimit kombëtar vlerësohet shumë pozitivisht. Kjo praktikë aplikohet edhe në vendin tonë dhe duhet të konsolidohet. Nxënësit e vendit tonë rezultojnë mjaft të ndërgjegjësuar se, nëse mësojnë mirë në shkollë, do të kenë shanse më të mira në jetë. Kjo është për t’u vlerësuar kur kujtojmë se kemi të bëjmë me grupmoshën e 15-vjeçarëve. Gjithashtu, qëllimi për të vijuar arsimin e lartë ka rezultuar si një faktor që ndikon pozitivisht në motivimin e nxënësve në arsimin e detyruar dhe, për rrjedhojë, edhe arritjen e rezultateve më të larta në matematikë, gjuhë amtare dhe shkenca natyrore.
Vlerësimi “PISA” konsiderohet sot si baza më e mirë e përmirësimit apo orientimit të politikave dhe reformave për rritjen e cilësisë së shkollimit dhe krijimit të aftësive dhe shprehive te nxënësit për të vijuar arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional. Raporti “PISA 2012” duhet t’u shërbejë politikëbërsve, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave tona si një referencë kryesore në përcaktimin e objektivave dhe përmirësimin e praktikave dhe metodave që i shërbejnë rritjes së cilësisë së shkollimit në vendin tonë.
Të gjitha reformat e ndërmarra në vitet e fundit kanë krijuar premisa për të rritur vazhdimisht rezultatet e nxënësve tanë. Unë jam i bindur që “PISA 2015” do të sjellë një vlerësim më të mirë për arsimin shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura