Pirlo kritikon Italinë: Mjaft u ankuan për arbitrat, golat nuk i bën “San Siro”

Nov 12, 2017 | 11:47
SHPËRNDAJE

Andrea Pirlo, pasi përgatiti daljen e tij nga skena e futbollit profesionist, bën gati edhe atë të Xhan Piero Venturës. Ish-mesfushori në një intervistë për “Sky Sport”, shprehu të gjithë zhgënjimin e tij për situatën që po kalon kombëtarja italiane. Pa mëshirë kritikat e tij edhe për skuadrën që zbriti në fushë ndaj Suedisë:

3EF6756400000578-4382118-Antonio_Conte_and_Pirlo_have_a_good_relationship_after_time_toge-a-8_1491392306664

“Skuadra nuk bëri sa duhej dhe mundej. Të flasësh për arbitrin më duket e kotë, në ndeshje të tilla duhet luftuar, ndërsa unë teksa shihja ndeshjen, më dukej sikur lojtarët tanë rrëzoheshin sapo dikush i prekte”.

Qëndrimi

Duke analizuar më tej garën, Pirlo argumentoi: “Në ndeshje si ajo ndaj Suedisë, duhet dhënë maksimumi. Nëse arbitri vërshëllen, ndalon, përndryshe duhet vazhduar pa ndalim. Me skuadrën që e përballon takimin me atë mënyrë, do të jetë e vështirë për Italinë të arrijë një rezultat pozitiv”.

Gjendja psiko-fizike e ekipit është një nga elementet thelbësore sipas Pirlos. Skuadra duhet të jetë e përgatitur dhe Ventura nuk do ta ketë të lehtë të përgatisë takimin e së hënës, me Pirlon që vazhdoi analizën duke deklaruar: “Nuk ka shumë kohë, por Ventura duhet të gjejë motivimet e duhura për grupin, që këto ditë do të vuajë presionin e të gjitha mediave”.

Këshillat

Pirlo këshillon Venturën dhe skuadrën që të kapen pas senatorëve. Sipas mesfushorit, është e kotë që të fajësohen arbitrat apo rivalët, skuadra dhe trajneri duhet të kenë kurajë të marrin përsipër përgjegjësitë.

Për më tej, 38-vjeçari sqaroi: “Trajneri duhet të synojë boshtin e vjetër. Lojtarët e tjerë duhet të kenë personalitet, pasi kjo është një karakteristikë që të ndihmon të fitosh të tilla ndeshje, por fatkeqësisht nuk është diçka që mësohet. Mund të synojmë t’i sulmojmë nga krahët ose në qendër, por do të duhet durim, pasi Suedia do të mbrohet me shumë forca”.

Stadiumi

Në apelin për një stadium të mbushur, duket një tjetër dobësi e kësaj Italie. Sipas Pirlos, është skuadra që ka misionin e kualifikimit dhe jo publiku: “‘San Siro’ mund të brohorasë fort, por unë nuk kam parë askënd të shënojë nga shkallët e stadiumit. Personalisht i adhuroja ndeshjet e tensionuara, besoj se edhe ish-shokët e mi i pëlqejnë”.

REINOLD BAKALLI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura