Pirandello, pa tekst në skenën e Teatrit Kombëtar

May 16, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Ku qëndron kufiri mes rolit dhe vetvetes. Edhe pse “tutela” e regjisorit i bën shpesh aktorët të ndihen të frustruar, pasi nuk arrijnë dot të shprehen dot deri në fund, mungesa e një teksti dhe improvizimi, hyrjedalja nga roli te vetja dhe anasjelltas, qenkësh edhe më i vështirë.

Trupa e aktorëve të shfaqjes "Sonte do të luajmë pa tekst"
Trupa e aktorëve të shfaqjes “Sonte do të luajmë pa tekst”

-Aktorët, ku janë aktorët?!

-Ja ku jemi! Ku është teksti?

– Nuk ka tekst… asnjë tekst…

Këtë “eksperiment ka vendosur të bëjë dr. Hinkfuss, i cili synon të shfaqë para publikut “Lamtumirë Leonora!”, duke krijuar një situatë tensioni në skenë, teksa i detyron aktorët të hyjnë e të dalin nga hallet e tyre tek ato të familjes La Croce.

“Jeta, ose shkruhet, ose jetohet”. Kështu shkruante novelisti Luigi Pirandelo, i cili dikur vendosi që edhe teatrin ta jetonte pa tekst. “Sonte do të luajmë pa tekst”, kjo është vepra më e re që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Driada Dervishit. Regjisorja, e cila u bë tepër e dashur edhe për publikun kryeqytetas (përveç atij durrsak, me të cilin ajo ka një komunikim të përhershëm përmes Teatrit “Aleksandër Moisiu”) me komedinë romantike me motive romantike “Vanja, Sonja, Masha etj.”, rikthehet me sfidën e radhës.

Kësaj here, ajo merr përsipër të ngjisë në skenë një vepër të vështirë të Pirandello-s, një lloj teatri brenda teatrit, që kërkon një punë të jashtëzakonshme regjisoriale, por edhe aktoriale. Regjisorja Dervishi ka përzgjedhur një kast prej 12 aktorësh, mes të cilëve emra si Yllka Mujo, Met Xhelili, Dritan Boriçi, Olta Daku, Adelina Muça, Neritan Liçaj, Olta Gixhari etj.

Edhe pse “Sonte do të luajmë pa tekst” është një vepër që mbështetet fort në lojën e aktorit, regjisorja e ka pasuruar konceptin e saj edhe me elemente muzikore e koreografike. Nën koreografinë e Elton Cefës, do të ngjiten në skenë edhe tre balerinë: Frenki Ziaj, Mateo Nushi, Evisa Lazri.

VEPRA

Pirandello e ka ngritur veprën mbi një konflikt që zhvillohet përpara syve të publikut, atij mes regjisorit dhe aktorëve. Është si një kamera e fshehtë që xhiron prapaskenat e përgatitjes së një vepre e ua shfaq spektatorëve.

sonte do te luajme pa tekst

“Pirandello lëviz këtu, rreth temës kryesore të veprës së tij : teatri dhe mekanizmat e tij. Nëse në dy veprat e para të trilogjisë, teatraliteti është ngjizur si një tentativë shpëtimi prej jetës, këtu teatri është një iluzion… Tema e pjesës ngre pikëpyetje në lidhje me tekstin dhe si do të vihet në skenë, punës së regjisorit dhe të aktorëve që duhet t’i japin jetë botës së tij. Teatri për Pirandello-n është një metaforë e jetës, që na tregon se ashtu siç aktorët janë dënuar brenda kufijve të skenës dhe kohës skenike, për të pasur një ekzistencë, ashtu edhe teatri, ‘para se të jetë një formë tradicionale e letërsisë, është një shprehje e natyrshme e jetës, e cila, ashtu si shfaqja, ka një fund…'”, shpjegon regjisorja Dervishi.

Regjisorja Driada Dervishi
Regjisorja Driada Dervishi

E shkruar në Berlin në vitin 1929, “Sonte do të luajmë pa tekst” është pjesa e tretë e trilogjisë, pas “6 personazhe kërkojnë autor” dhe “Secili sipas qejfit së tij”. Kjo komedi është mbështetur në një nga novelat e Pirandellos “Lamtumirë Leonora”, që përfshin problematikat e një sërë raportesh si ai: dramaturg – regjisor, regjisor – aktor, aktor- publik.                          ALMA MILE

VEPRA

“Sonte do të luajmë pa tekst”
Autor: Luigi Pirandello
Regjia: Driada Dervishi
Skenografia: Driada Dervishi/ Desantila Lika
Kostumografia: Desantila Lika.
Interpretojnë: Yllka Mujo, Dritan Borici, Adelina
Muca, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Olta Daku, Niada
Saliasi, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Besmir Bitraku,
Gent Hazizi, Neritan Licaj, Marsel Rupi
Koreografia: Elton Cefa
Muzika: Sokol Hidersha dhe Metila Dervishi
Fizarmonikë: Elton Balla
Balerinë: Frenki Ziaj, Mateo Nushi, Evisa Lazri
Premiera: 20, 21, 22 Maj, ora 19:00

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura