Piktorja e dëshpëruar që i krijonte buzëqeshjet vetë

Jul 24, 2018 | 8:23
SHPËRNDAJE

Nuk ka shi nga retë e saj, as qiej të hirtë, as hije të errëta… Pikturat e vogla të Maud Lewis janë gjithë dritë e diell, të mbushura me qiej të kaltër, kristale bore dhe ujëra të qetë. Prej pak kohësh, folk arti i piktores nga Nova Scotia mund të njihet më gjerësisht nga filmi “Maudie”, me interpretimin e shkëlqyer të aktores angleze, Sally Hawkins. Maudie vuante nga artriti reumatoid, çka ia bënte jetën dhe punën me pikturën të vështirë (shumë më të vështirë me kalimin e viteve).

Pasi ngeli krejt e vetme, për të mbijetuar Maudie u detyrua të kërkonte punë si pastruese dhe rastësia e solli që të gjente një vend në shtëpinë e një burri, me të cilin më vonë do të martohet. Maudie nuk kishte marrë asnjë mësim pikture, por për të çelur sadopak jetën e zymtë të shtëpisë ku nisi të punojë e jetojë, nisi të pikturojë figura thuajse fëmijësh në faqet e murit, në kanatat e mobilieve, kudo që të gjente një hapësirë të lirë për të cilën pronari i vrazhdë nuk do të inatosej.

Capture

Vizatimet e vogla që në fillim u shfaqën në letra, morën përmasa e ngjyra të tjera. Flutura, zogj, tulipanë, pemë… këto ishin figurat e gëzuara të Maudie që megjithëse nuk kishte asnjë arsye të buzëqeshte, merrte penelin dhe e krijonte të qeshurën e saj vetë. Asgjë nga jeta o gjendja e ditëve të saj nuk pasqyrohej në pikturën naive që do të klasifikohej më vonë si Folk Art.

“Unë nuk kam parë kurrë një pikturë të një artisti tjetër”ka thënë Maudie në një intervistë, në fund të jetës së saj (vitet ’70), kur pikturat e saj të vogla e të qeshura e kaluan famën e periferisë së harruar ku jetonte thuajse e vetmuar, megjithëse marrëdhëniet me atë, që u bë më pas bashkëshorti i saj, u përmirësuan me kalimin e kohës. Maudie pikturonte atë që shihte, ashtu siç e shihte. Me ngjyrat e saj i rikrijonte figurat me thjeshtësinë e një fëmije dhe shpesh, më vonë, me një sens të spikatur humori”- ka thënë Shannon Parker, kuratori i Galerisë së Arteve në Nova Scotia. Në galeri janë të ekspozuara 55 piktura të saj.

Maudie Lewis u bë e njohur në fund të viteve ’60, ndërsa një turist pa rastësisht mbishkrimin “Në shitje” te njëra nga pikturat e saj që ishte ekspozuar te pragu i derës së shtëpisë. Ishin peizazhe, siç thuajse të gjitha ato që do vinin më vonë, që në fillim u shitën për 2 dollarë e më pas do të shkonin 5. Ajo hezitonte gjithmonë të kërkonte para, ishte gati t’i falte të gjitha, por varfëria e sidomos ndikimi i të shoqit që ndryshe nga ajo kërkonte gjithnjë shifra më të larta, e bënë të vendoste ca numra qesharakë. Po rastësisht një shkrimtar mësoi për ekzistencën e këtij njeriu, gjendja shëndetësore e së cilës po rëndohej dita-ditës.5548787 2514474747

Diçka e shkurtër ishte shkruar në një revistë dhe më vonë u bë me të një intervistë në CBC. Pas kësaj, pikturat e Maudie filluan të shiteshin ndërsa ishin ende të pathara dhe çmimi tashmë shkoi nga 10 deri në 20 dollarë. E gjithë shtëpia e ngjyrosur e Maudie, pas vdekjes së saj dhe bashkëshortit, pas restaurimit, u bë gjithashtu pjesë e galerisë në vitin 1998. Në intervistën e saj ajo pati thënë se nuk dilte pothuajse kurrë nga shtëpia, i mjaftonte piktura.

“Qëndroj e ulur në këtë karrige këtu. Nuk kam shumë mundësi për të udhëtuar, sido që të jetë. Por për aq kohë sa kam penelin afër meje, gjithçka shkon mirë”,- ka thënë ajo. “Ata nuk kishin para, nuk kishin ujë të rrjedhshëm në shtëpi, nuk kishin energji elektrike. Ajo ishte tepër e kufizuar jo vetëm në punën artistike, por edhe në nevojat e jetës së përditshme. E megjithatë, punët e saj ishin ashtu siç ajo donte të ishin. Me ato që bëri, ka prekur zemrat e kaq shumë njerëzve. Janë vërtet të mrekullueshme!”- përfundon kuratori

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura