Piktorja Adriana Puleshi: Nudot i kam pikturuar gjithmonë, edhe në komunizëm

Feb 24, 2017 | 10:35
SHPËRNDAJE

Nuk janë të shumtë njerëzit që janë të bindur për atë që duan të jenë dhe të bëjnë që në vitet e para të shkollës, dhe të vazhdojnë të mendojnë njësoj se kanë zgjedhur gjënë më të mirë, edhe pasi shkolla të jetë harruar. Adriana Puleshin nuk e nxiti askush drejt pikturës. Lapsin e matematikës e përdori edhe për të vizatuar në tryezën e bukës, bashkë me motrat e saj. Sigurisht që vizatimet e një vajze të vogël në vitet ’70, s’mund të ishin veçse peizazhe, fruta a objekte të shtëpisë, por Adi tërhiqej më shumë nga portretet e motrave tek i shihte duke vizatuar.

Sytë e duart i kërkonin pikërisht portrete. Dikur do të ishin ato të kornizuarat brenda telajos së kohës, por vite më pas, prej asaj që ishte, ekspresiviteti e “gjaku” i saj i guximshëm nuk do të linin më asgjë. Kur nisi Politeknikumin, shumica e kohës i rrëshqiste duke u bërë portrete shoqeve të shkollës. Sa fletë të bardha fshiheshin mes librash vetëm pse “porositësja” këmbëngulte ta kishte vizatimin në kohë. U kuptua shpejt nga Adi vetë, por edhe nga të gjithë përreth saj, që mprehja e lapsit nuk mund të ishte vetëm një kalim kohe.

16775936_10211019316131714_1638897045_o

“Unë e kisha ndarë mendjen. Isha e bindur që nuk mund të bëja asgjë tjetër veç pikturës”, tregon Adriana. Mirëpo për të, nuk do të ishte njësoj e thjeshtë sa për liceistët që vinin gjysmë të gatshëm. Bashkë me leksionet e Akademisë, ku nisi të studionte për Pikturë e Skenografi, ndiqte edhe mësimet në Liceun Artistik, tashmë vetëm si “vëzhguese”. Ato mangësi që mund t’i kishin ngelur rrugës nga ana teknike i plotësoi. Adi Puleshi, siç e njohin sot të gjithë ata që i njohin me cep të syrit ngjyrat e pikturës së saj, krijoi që në fillim një stil të sajin. Me të “zbuluar” modelet e Akademisë, zbuloi edhe tërheqjen ndaj trupit të njeriut.

“Unë gjithmonë kam vizatuar nudo, që në shkollë. Mund të them që në vitet kur kam studiuar unë, 1983-1987, koha nuk ishte më aq e ashpër sa më parë dhe nuk na pengonte njeri të bënim atë që donim. Dëgjoj sot piktorët që thonë se kanë qenë të penguar, por mua më duket sikur pikërisht këto kohë njerëzit sikur janë bërë më të ashpër, më gjykues. Sigurisht që atëherë nuk mund të bëje ç’të doje, por në rrethe të caktuara njerëzish të artit, nuk e ndieje frikën e pushtetit. Në këtë kuptim, unë nuk jam frenuar ndonjëherë të bëj atë që dua”.

16805060_10211019318491773_194183076_o

Nudot e Adit nuk kanë qenë ato që janë sot, shpërthyeset e ngacmueset thirrëse, por kjo është vetëm rrjedhojë e rritjes, përvojës personale e gjithë asaj që ndikon në perceptimet e një krijuesi. Aktivizimi i saj ishte i menjëhershëm. Nisi të merrte pjesë menjëherë pas studimeve në ekspozita të ndryshme kombëtare, personale ose me grupe piktorësh. Ishte viti 1993, thuajse 5 vite pas diplomimit, kur hapi ekspozitën e parë personale në Pallatin e Kulturës, në Tiranë. Prej asaj kohe, udhëtimet e përvojat kanë qenë të shumta. Praktika e ekspozimit të pikturave në ambiente baresh o restorantesh ka qenë gjithashtu e suksesshme. Aktualisht, edhe për pak ditë, pikturat e Adit kanë ngjyrosur muret e restorantit “A la Sante”.

Disa janë “rrëmbyer” menjëherë dhe e kanë lënë hapësirën bosh, disa të tjera janë ende aty, deri në ditët e para të marsit. Nuk është nevoja ta njohësh Adi Puleshin për të kuptuar që ajo është piktura e saj. Në lëvizjen e shpeshtë e të shpejtë të duarve që i kalon vazhdimisht nëpër flokët e shkurtra, në bisedën e shpenguar, në dëshirën për të jetuar e shijuar gjërat e bukura të jetës… duken të gjitha të shumëfishuara, për shkak të lojës së ngjyrës së fortë, edhe në pikturë. Si të gjithë, ka edhe ajo ditët e saj me mendime pa ngjyrë, pa frymëzim, por atëherë nuk i merr dot në dorë penelat.

16810540_10211019315371695_214243164_o

Lufton me zymtësinë e përditshmërisë deri sa rigjen përsëri diellin e ngjyrat që shpërthejnë e ngjyrosin brenda pak minutash telajon. Adi nuk rri me orë të tëra përpara imazhit, për të punuar e ripunuar detajet. Ka penelat të mëdha, ngjyra të guximshme, që një pikturë nuk mbaron kurrë, vetëm braktiset, sipas Lenoardo da Vinçit, nuk është rasti i saj. “Në fillim e kisha shumë të vështirë të largohesha prej pikturave të mia. Për kohë të tëra nuk doja të shisja. Por kjo nuk ka të bëjë me procesin e të pikturuarit, në këtë kuptim, arrija të distancohesha”. Piktura e parë që ka shitur ka qenë një xhami, të cilën e bleu një i krishterë. Sot ka në telefon pafundësisht piktura të shitura në kohë të ndryshme. Vazhdon të jetë aq e lidhur me secilën sa që mban mend, edhe emrat e të gjithë blerësve.

16833370_10211019317971760_115634011_o

“Këtë e ka marrë X, këtë Y…”, dhe lista e emrave vazhdon me radhë. Është e kotë t’ju themi që muret e shtëpisë së saj nuk kanë më vend për të ekspozuar asgjë. Stiva e telajove të mbështetura njëra pas tjetrës, nëpër qoshet e shtëpisë është bërë tashmë aq e madhe, saqë duhen larguar patjetër… Pas tyre vijnë të rejat, e kështu me radhë…

16809784_10211019315611701_1077034507_n 16805247_10211019315171690_1449416580_o

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura