Piktorët ndërrojnë vitet në ekspozitën kolektive “Breza”

Dec 30, 2015 | 10:58
SHPËRNDAJE

Ata janë 19 dhe kanë vendosur ta kalojnë së bashku ndërrimin e viteve. Disa nga emrat më të njohur të pikturës shqiptare, por edhe të fotografisë, janë mbledhur së bashku në një ekspozitë të titulluar “Breza në artet figurative”.

Bëhet fjalë për emra si Vilson Kilica, Sali Shijaku, Shaban Hysa, Hasan Çapari, Llazar Taçi, Arben Golemi, Leon Çika etj. Edhe pse një periudhë e ngarkuar festash, gjatë së cilës njerëzit janë më shumë të preokupuar se si do të kalojnë ndërrimin e viteve, sesa të vizitojnë galeritë, për ta, çdo kohë është e favorshme për të mos humbur komunikimin me publikun.

pikturet

Kjo është edhe arsyeja pse disa syresh i gjejmë të pranishëm në të gjitha ekspozitat kolektive që zhvillohen në Tiranë.

Ashtu siç e tregon edhe titulli i ekspozitës, në të janë bërë bashkë disa breza piktorësh, por ata që zënë një vend të rëndë- sishëm janë ata të “shkollës së vjetër”, për të cilët puna e përditshme, angazhimi dhe pasqyrimi i realitetit social në veprat e tyre e, pa dyshim, komunikimi me publikun, është shumë i rëndësishëm.

Ekspozita nuk ka një linjë të caktuar, në të gjen që nga peizazhet, natyra e qetë, te motivet “tironse” e lufta e gjelave të Sali Shijakut, te portretet e malësoreve me veshjet karakteristike, portreti i Baba Reshat Bardhit, kompozicionet, punimet në qeramikë, fotografia bardhezi etj.

Figura e femrës është veçanërisht e preferuar. Në pikturat e Hasan Çaparit, ajo vjen syunjur, e bukur, një besimtare e devotshme me një kryq në dorë, duke mbushur ujë me shtamba, duke tjerrë apo në një nga aktet më femërore, që është mëndja e foshnjës.

Po aq edhe sensuale, në një seri punësh në qeramikë. Sipas organizatorëve, qëllimi është edukimi i shijes së mirë te publiku, përtej ekzibicionizmit dhe eksperimenteve që mbizotërojnë në artet pamore.

INFORMACIONI I MUNGUAR

Si në shumicën e herëve, ekspozitat kolektive organizohen në vrap e sipër. Zakonisht me fonde aq të limituara, sa të paguajnë vetëm sallën, pa menduar gjatë për mënyrën se si do t’i serviren publikut. Handikapi i ekspozitës “Breza në artet figurative” është informacioni.

Nëse nuk e njeh dorën e Kilicës, Shijakut apo Golemit, nëse disa nga punët nuk do të jenë të firmosura me emrin e vetë piktorit, është e vështirë të mësosh se punët e cilit artist janë. Punëve u mungojnë etiketat përkatëse me titujt e veprave dhe emrat e piktorëve. Edhe nëse ato janë grupuar, thjesht si në një ekspozitor shitjesh, etiketat do të ishin më se të nevojshme për blerësit.

Për të mos folur për koncept kuratorial, apo për dy gisht informacion mbi këtë grupim, për punët e ekspozuara, artistët, teknikat apo edhe çmimet.

Të shoqërohen me ndonjë katalog, është një pretendim i tepërt. Dhe bëhet fjalë për një ekspozitë të hapur në një institucion të rëndësishëm, siç është Muzeu Historik Kombëtar dhe jo në ndonjë skutë të humbur, çka normalisht duhet të kërkojë një impenjim më serioz përballë publikut. E aq më tepër që është një projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës. Ekspozita “Brezat” do të jetë e hapur deri në datën 6 janar në Muzeun Historik Kombëtar.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura