“Piktorët Maks Velo, Bakalli, Gjergo, Oseku dhe Shima, tablo me ndikime të huaja”/ Letra e Hamit Beqes për Ramizin: Në dosje kemi materiale që mund t’ja japim shokut Enver

May 8, 2020 | 8:12
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet një raport-informacion i panjohur i përpiluar nga sektori i Arteve Figurative pranë pjimageLidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1973, në të cilën bëhet fjalë lidhur me një mbledhje që është zhvilluar në Lidhje ku është marrë në analizë puna e piktorëve dhe skulptorëve, gjë e cila ishte mbajtur nën “frymën e  fjalës së shokut Enver Hoxha” të mbajtur në datat 15 dhe 16 mars të atij viti me tëmë “Shfaqjet liberale dhe ndikimet e huaja në art e kulturë”, ku ai për herë të parë kritikoi dhe goditi publikisht Festivalin e 11 të Këngës në Radio Televizion.

Analiza e hollësishme që është bërë në atë raport-informacion ndaj piktorëve si: Maks Velo, Edision Gjergo, Ali Oseku, Naxhi Bakalli, Alush Shima, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi etj., të cilët kritikoheshin për tablo me ndikime të huaja dhe shënimi i Hamit Beqes në krye të raport-informacionin, ku thuhet: “Në dosje kemi dhe material të tjera që mund t’ja japim shokut Enver”.

Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe Artistët nën dikatin komunist”, i autorit Dashnor Kaloçi që pritet të dalë së shpejti dhe botohet në shenjë homazhi për arkitekin e piktorin e njohur, Maks Velo, që u nda nga jeta pasditen e djeshme, i cili për vite me radhë vuajti në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pikërisht për shkak të krijimtarisë së tij si piktor dhe arkitekt.

Ndër mbledhjet e shumta që u bënë në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës në fillimin e vitit 1973 pas fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur më 15 e 16 mars në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku si temë kryesore ishte “Lufta kundër shfaqjeve të huaja e liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vëndit…”, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe artistëve u mbajtën një sërë mbledhjesh ku u morën në analizë puna e bërë deri në atë kohë dhe detyrat që u dilnin artistëve dhe shkrimtarëve në të ardhmen, “nën frymën fjalës së shokut Enver të mbajtur në Pleniumin e IV-të”. Një ndër këto mbledhje të mbajtura në muajin maj të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ishte edhe ajo e sektorit të arteve figurative, ku pas saj, në bazë të rregullave mbi të cilat funksiononte Lidhja, sekretari përkatës (Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Artet Figurative), ka përpiluar raport-informacionin përkatës për Komitetin Qendror të PPSH-së. Po kështu, një raport-informacion tjetër për këtë mbledhje, është mbajtur nga Kujtim Buza, i cili në atë kohë mbante funksionin e sekretarit për artet figurative në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, raport i cili së bashku me atë të Seksionit të Arteve Figurative të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, i janë dërguar Ramiz Alisë, me një shënim që ka bërë aty, Hamit Beqja, ndihmës i Ramiz Alisë, në sektorin e edukimit pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili i bën me dije shefit të tij, se “në dosje kemi edhe materiale të tjera që mund t’ia japin shokut Enver”. Ajo që vihet re tek të dy raport-informacionet në fjalë, është fakti se aty duket që është pasqyruar me “korrektesë dhe vërtetësi” gjithçka është thënë dhe folur nga pjesëmarrësit, piktorë, skulptorë, kritikë arti etj., pasi përveç kritikave apo më saktë akuzave që janë bërë ndaj Edison Gjergos, Ali Osekut e Maks Velos, etj., të cilët, siç dihet, përfundon burgjeve të regjimit komunist për vite të tëra, (këto raporte ishin dhe “lënda e parë” e baza për mbushjen e dosjeve të tyre), autorët e raporteve nuk kanë kursyer as piktorë dhe skulptorë të tjerë, emra mjaft të njohur të arteve figurative si p.sh.: Sali Shijaku, Muntaz Dhrami, Guri Madhi, Nexhmedin Zajmit, etj., të cilët jo vetëm që nuk patën probleme më pas, por përkundrazi ishim mjaft të vlerësuar. Po çfarë thuhet më tej në dy raport-informacionet e përpiluara nga Sektori i Arteve Figurative bë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si dhe ai nga Kujtim Buza i Ministrisë së Arsimit, kush ishin piktorët dhe skulptorët e tjerë që u kritikuan apo u akuzuan aty për ndikime moderniste dhe shfaqje të huaja në punimet e tyre? Lidhur me këtë na njeh dokumenti në fjalë që publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, të cilin po e japim të plotë dhe pa asnjë shkurtim.

Shënimi i Hamit Beqes për Ramiz Alinë
Shoku Ramiz.
Në dy materialet për artet figurative, ka edhe problem të pasqaruara gjer në fund si dhe…….. (nuk kuptohet shkrimi) kuptimesh të ndryshme të tyre. Do të kërkojmë që këto trajtime të bëhen më të plota në Pleniumin e Lidhjes për Artet Figurative.
Në dosje kemi edhe disa riprodhime pikturash e skulpturash jo vetëm nga ato që janë kritikuar, por edhe nga ato që janë konsideruar me vlera.
Mund të bisedojmë nëse duhet t’ia japim ato edhe shokut Enver.
20. IV. 1973                                Hamit Beqja

 

Informacioni i Sektorit të Arteve Figurative pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Ramiz Alinë

                                          I N F O R M A C I O N
MBI LUFTEN KUNDER NDIKIMEVE TE HUAJA NE ARTET FIGURATIVE

Po japim një informacion paraprak mbi disa probleme të ndikimeve të huaja në artet figurative, që dolën nga diskutimi në mbledhjen e komisionit pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Një informacion më të plotë do ta japim pas pleniumit që do të marrë në shqyrtim gjëndjen e arteve figurative në këto vjetët e fundit, e që do të mblidhet nga fundi i muajit prill.
Të nisur nga materialet e fundit të Partisë, fjalimet e shokut Enver, duke vënë theksin në ndikimet e huaja e lëshimet liberale në terrenin e arteve figurative, të gjithë shokët që diskutuan u përpoqën të analizojnë llojet dhe shkaqet e këtyre ndikimeve. Në diskutime u vu në dukej se arti ynë i realizmit socialist, krijoi traditën e tij të shëndoshë në pikturë, skulpturë, e gjini të tjera, me vepra të shumta, vlera solide origjinale kombëtare, partishmëri të lartë dhe frymë popullore revolucionare.

Prandaj në qoftë se ndalemi në disa çfaqje të huaja në artin tonë, që i dalin majtas apo djathtas rrugës së tij revolucionare, këtë e bëjmë për të ruajtur tiparet më pozitive dhe frymën e shëndoshë të tij, fizionominë dhe pastërtinë kombëtare.
Ku, dhe si u dukën ndikimet e huaja në artet figurative?
Edhe më parë kemi pasur raste të veçanta veprash me ndikimet të huaja. Ato nuk i kemi ekspozuar dhe kemi ngelur me kaq. Vitet e fundit këto çfaqje ishin të shumta sidomos në ekspozitën e talenteve të reja, në atë me portretin e klasës punëtore, në ekspozitën e 30 vjetorit të Partisë, në ekspozitën e parë të pranverës në Tiranë dhe në ndonjë ekspozitë rrethi (Durrës, Shkodër), e personale (Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi). Ndikime të huaja janë çfaqur edhe në skenografinë e teatrove tona, në grafikën e librit (kopertina dhe ilustrime) në pllakat.
Edhe më përpara ka patur një vazhdë ndikimesh, numerikisht më të pakta (në pikturë) sidomos maniera impresioniste. (Këto punë karakterizohen nga një paqartësi e formës realiste, duke dhënë më tepër impresionin se sa thellimin dhe analizën e figurave e të ambjentit). Por vitet e fundit në ekspozitat që përmëndëm, ndikimet u dukën më të shumllojshme.

Në disa raste si në ekspozitën e pranverës dhe në disa rrethe është vënë re një tematikë e cekët me subjekte të parëndësishme, rendje të disave pas motiveve të vogla dhe të rastit. Tek disa piktorë të rinj, gjatë përpjekjeve për të gjetur “mjete të reja shprehëse” u dukën ndikime të rrymave të artit të huaj. Siç dolli nga mendimi i shumë shokëve, punime me premise të tilla kanë qenë: “Çrrënjosja” (Skënder Kamberi), “Zgjimi aksionist”, (Nestor Jonuzi), etj. Ndërsa ndikime të dukshme të huaja u panë në tabllotë “Kur yjet mbushin qiellin”,(Naxhi Bakalli), “Epika e yjeve të mëngjezit”, “Pusi 524”,(Edison Gjergo), “Radio Tirana”, (Zef Mati), kemi patur pejsazhe, portrete e ndonjë kompozim tjetër me kërkesa estetizante nga Ali Oseku, Llambi Blido, Alush Shima, Vilson Halimi, Qirjako Deno, Maks Velo, e ndonjë tjetër. Po ashtu kontradiktore dhe disi të paqarta kanë tingëlluar ndonjë punë e Edi Hilës, Arben Bashës, Nexhmedin Zajmit, Sali Shijakut etj.

Ndër punimet që përmëndëm, të ekspozuara apo të paekspozuara, këto ndikime (përveç punimeve me tematikë të varfër e të cekët), dallohen në prirjen për të huajtur shprehi dhe teknikë nga arti bashkohës heterogjen formalist evropian (kryesisht nga ndonjë rrymë e fillimit të shekullit tonë), si të kubizmit, ekspresionizmit, simolizmit etj. Kjo shprehet në mënyrën e të konceptuarit të temës, në vizatimin e paqartë, në ngjyrat dhe format herë tepër të abstraguara e të egzaltuara, herë pa shprehje ose kontradiktë me përmbajtjen e pretenduar. Megjithëse nuk janë identike ato rryma, duke huajtur “diçka” prej tyre, këto punime ndodhen para ndikimesh të dukshme, duke zbehur e deformuar vërtetësinë reale, duke krijuar ndonjëherë ekuivoke në përmbajtje dhe më se njëherë krijojnë një klishe tjetër skematizmi të pajetë.

Përdorimi i mjeteve shprehëse (forma, vizatimi, kompozimi, ngjyra), shihen disi të veçuara nga tërësia ideoestetike e veprës, e përmbajtjes së saj. Ndikime të këtij lloji kemi patur në skenografinë e viteve të fundit. Ajo ç’quhet ose nga një ngarkim, stërmundim të objekteve në skenë, pa tingull realiteti, ose në minimizimin e atmosferës së nevojëshme, duke i reduktuar zgjidhjet skenografike në elementë dhe objekte ireale, të thjeshtëzuara jashtë masës dhe llogjikës. Po ashtu janë vënë re shenja “modernizmi”, e stilizimi pa kriter të kostumeve popullore që ndonjëherë humbasin origjinalitetin dhe vetë karakterin popullor të tyre.
Disa ndikime të huaja janë dukur edhe në grafikën e librit (sidomos kopertinat), ku ndjehet mungesë serioziteti dhe një farë shije komerciale rekllamative. Po e njëjta gjë ka ndodhur në ndonjë pllakat të botuar ose të vendosur në qytet.
Duke ndaluar në shkaqet dhe atmosferën që lanë shkas për ndikime të tilla, të gjithë shokët në mënyrë kritike dhe autokritike u përpoqën të zbulojnë dobësitë e kësaj natyre të krijimtarisë tonë.

Shoku Fatmir Haxhiu shprehu mendimin se disa ndikime fillojnë kryesisht që me diskutimin e ekspozitës të 30 vjetorit të Partisë, ku u përkrahën disa punime të dyshimta dhe u kritikuan punime të tjera duke u veshur epitete strikte si “akademike”, “letrareske”, “shkollareske”, “natyraliste”, etj. Më tepër se kudo aty ka patur inkurajim për “forma” të reja – tha ai.
Shokë të tjerë i bashkonte mendimi se nuk duhet izoluar në një ekspozitë. Dobësi dhe vërejtje profesionale të ndryshme janë bërë për shumë vjet rresht.

Nga ana tjetër duke bërë vërejtje profesionale për një apo disa punë (si shkollareske, skematike, natyraliste), nuk ka pasur gjithmonë argumentime të sakta. Më se njëherë vërejtje të thjeshta profesionale, nga preference personale kanë marrë dukurinë e një platforme profesionale, ku në rrethe të ngushta, punime të tilla, tha Ksenofon Dilo, nuk është as e vertetë as e saktë por denigruese (skematizmi është edhe liberal, shkollarizmi s’ka të bëj me asnjë platform, ndërsa natyralizmi, bie fjala është edhe një prirje fare e fundit e “avanguardizmit”, formalist evropian).

Duke i atribuar njërit dhe tjetrit tendenca të tilla ka patur një konfuzion të theksuar dhe vënd për teorizime të dëshmëshme e të pa sakta.

Prej vitesh tha Foto Stamo, versioni “të rinjë të vjetër”, nuk ka ndihmuar për një frymë më të shëndoshë krijonjëse. Disa punë nga gjykime subjektive – tha ai, u bënë flamur shëmbullor siç ishin “Epika e yjeve të mëngjezit” (Edison Gjergo), dhe “Mbjellja e pemëve”, (Edi Hila). “Kam pasur vërejtje, për vlersimet lidhur me to, të shprehura në artikujt e Andon Kuqalit në “Drita” e në “Nëntori”.

Arti ynë i ri çau dhe do të çante shtigje të reja. Në vitet ’60-të, përveç armikut të tij tradicional, formalizmit dekadent borgjez, ju çfaq një tjetër armik, presioni revizionist. Lufta kundër çdo lloj ndikimi të huaj borgjez e revizionist mori propocionet të reja, duke i bërë ballë në tërësi e duke krijuar një sërë veprash të bukura revolucionare. Por vitet e fundit është neglizhuar në një farë mënyre kjo luftë. Kjo luftë në mjaft raste, në diskutimet tona krijonjëse është parë pak e njëanëshme, hera herës vetëm në formë, të çkëputura nga nga konkteksti i përmbajtjes.

Nga një kënd i tillë, vetë fjalët “novitet”, “mjete të reja shprehëse”, trajtohen veçmas nga tërësia e së resë, kryesisht në përmbajtje, duke lënë shkas për gjykime e shpërdorime të pavend. Kështu ndodhte me vlersimin e ekspozitës së taleteve të reja. Aty u dukën ndikime fare të qarta të huaja në disa krijime, por vëmëndja jonë ndaj çfaqjesh të tilla u karakterizua nga një tolerancë e pajustifikuar. Edhe kur në këtë ekspozitë u dukën ndikime liberale formaliste (në punime të Nestor Jonuzit, Skënder Kamberit, Zef Matit etj), dhe pati kritika (një diskutim i gjërë në Institutin e Arteve, ndonjë artikull, në “Nëntori” etj), prap se prap, problemet nuk u thelluan, mbetën të izoluara nën lëshimet sentimentale e pa parim, duke i marrur moshat e reja “en bloc” si pasuronjës të traditave tona artistike, pa analizuar, çkoqitur vlerat dhe jo vlerat e krijimtarisë të atorëve të diferencuar.

Siç thanë shumë shokë, nga një nivel i ulët teorik e kritik në trajtimin e disa problemeve ideo-estetike dhe profesionale të artit tonë, ka patur një farë konfuzioni ideo-estetik që ka lënë shkas për prirje subjektive vlersimi dhe teorizime, Andon Kuqali tha se e çqetësonte apatia e disa piktorëve të vjetër, inaktiviteti i tyre që ka shkaktuar edhe një rënie profesionale graduale të krijimtarisë së tyre, (motrat Zengo, Kaceli etj), si dhe krijimtaria e mbyllur nëpër ateliera si Janaq Paços, i cili ka shumë punime, studime figurash por pa ndonjë tematikë shoqërore, ndërsa në ekspozita sjell punime të dobëta. Ndërsa Edison Gjergo, Naxhi Bakali dhe Alush Shima, thuhet se po punojnë shumë, por ne nuk i njohim këto përpjekje, nuk i kemi parë këto punime. Arti ynë tha Andon Kuqali ka patur ndikime të tjera sidomos nga impresionizmi dhe ndër piktorë me përvojë. (Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi etj).

Edhe Vilson Kilica tha se arti ynë asimiloi disa ndikime impresioniste në manierë, prej shumë vjetësh (sidomos në pejsazhe, ndonjë portert, kompozim). Shumë nga ndikimet e sotme rrjedhin së pari sepse ndërmjet nesh në praktikë e teori ka koncepte estetizante. Ka një farë konfuzioni estetik dhe ndonjëherë koncepte të huaja e të palidhura me rrugën e shëndetëshme të artit tonë. Zor se bën një ndarje të tillë të qartë, p.sh. Ali Oseku. Nuk kemi akoma një sens kritik të qartë ndaj krijimtarisë së huaj. Gjithashtu jo shumë të qartë e kemi të përpunuar teorikisht mbështetjen në tabanin kombëtar. Tek ndonjëri ka koncepte vlerësonjëse nihiliste për artistët pararendës.

Në masën e talenteve të reja sidomos, i kemi të paktë piktorët dhe skulptorët që i njohin traditat tona të kultivuara dhe vlerat e traditës së larmishme popullore. Të paktë janë ata (në tërë masën e piktorëve dhe skulptorëve), që kanë dashuri e konservojnë objekte të bukurisë popullore – tha ndërmjet të tjerash Dhimitër S. Shuteriqi.
Nuk evidentojnë sa duhet, objektivisht sukeset e artit tonë socialist. Nuk shkruajnë për sukseset e punimeve të kolegëve tanë, të artit tonë, duke ndjeker hap pas hapi vazhdën e tërë krijimtarisë sonë artistike si dhe çdo krijonjës në veçanti. Nga ndjenja dhe mendime të shprehura saktë, paralel me praktikën artistike, për të bukurën tonë, do të kuptohej dhe do të luftohej kotësia e çdo ndikimi të ndonjë i ri apo krijonjës më me përvojë. Disa nga këto ndikime – tha ndonjë shok, vinë nga një fakt i thjeshtë që Partia gjithmonë na e ka vënë në dukje nga lidhja e pamjaftueshme e gjithmonë active e artistit qytetar me jetën e gjallë të vëndit. Kur nuk merrë mësim nga jeta, atëhere hap detyrimisht libra të çfardoshëme dhe gjen “inspirim” në to sepse edhe mbivlersimi i fantazisë nuk përballon dot mungesën e frymëzimit dhe ushqimit nga jeta.
Gjatë praktikës sonë artistike – tha Thoma Thomai – disa punime duken sikur frymëzohen nga njëra tjetra dhe jo nga jeta. Kjo pruri një ngjashmëri në disa skupltorë në ekspozitat tona e sidomos në lëvizje psikologjike etj. Ndonjëherë janë shmëblla imitimesh nga skulptura sovjetike. (“Revolucioni marshon” e Shaban Hadërit, “Revolucioni marshon” e Thanas Papës, “Lart frymën revolucionare” e Muntaz Dhramit etj.) Duke përfituar nga arti revolucionar sovjetik para revisionist, piktura dhe skupltura jonë u përpoqën ta bëjnë këtë në frymën dhe tabanin kombëtar, por imitimet e ndikimet direkte e dëmtojnë origjinalitetin e veprave tona.
Duke vënë re punën e pamjaftueshme dhe mësenjëherë të dobët të organeve tona letrare-artistike, del nevoja e një reviste të ilustruar 2-3 mujore, që do tëb përmbledh e trajtonte sistematikisht tërë sferën e praktikës dhe problemet ideo-estetike të arteve figurative.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë

 Sektori i Arteve Figurative

 Memorie.al

edison-gjergjo-gjate-hetuesise Fax-3-Velo-1 Foto-Enver-893 Foto-Enver-1478 Foto-Enver-1499 Foto-Enver-1631 maksi maks-velo-1 maks-velo-2-1 maxresdefault

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura