Piktorët e natyrës bëhen bashkë në një ekspozitë

Oct 5, 2015 | 13:17
SHPËRNDAJE

Të gjitha nuancat e grisë në Gjirokastër, Dhërmiu i vjetër, ku puqen bluja e Jonit dhe e detit, Saranda, Tirana, Valbona, Rugova, gryka e Shkumbinit, Jala…

Thuajse e gjithë Shqipëria në tablo, herë me ngjyra pranvere e herë vjeshte. Si pjesë e një grupimi të quajtur “Plain Air”, piktorët Agron Dine, Agron Polovina, Arsen Kurti, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Qamil Prizreni, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili dhe Xheneta Kadillari hapin sot një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar.

“Dhërmiu i vjetër”, tablo nga Agron Dine
“Dhërmiu i vjetër”, tablo nga Agron Dine

 

Një aktivitet i organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe MHK, në të cilin piktorët do të sjellin tablo të realizuara në dy vitet e fundit. Ajo çka i bashkon të gjithë është peizazhi, natyra, të cilën ata e sjellin përmes individualitetit dhe ndjeshmërisë së tyre. “Natura umanum est”, thoshin latinët, natyra është njerëzore.

Natyra ka qenë dhe do të mbesë përherë objekt i artit dhe artisti si subjekt nuk është gjë tjetër veçse një pjesëz e saj. Të kuptuarit dhe të zbërthyerit e gjuhës së natyrës në kompleksitetin e saj ka qenë dhe do të mbetet objektiv e pikësynim edhe i artistëve për risitë që kanë sjellë dhe do sjellin në art”, thotë Buron Kaceli, kryetar i grupimit të artistëve “Plein Air”, teksa shton se veprat që do të prezantohen në këtë ekspozitë do të mbesin si një pasuri e vlefshme në kuadrin e zhvillimeve artistike në vend dhe do të zënë një vend të rëndësishëm në panoramën e gjerë të artit tonë bashkëkohor kombëtar.

Sipas piktorit Pashk Përvathi, i cili është i njohur tashmë si një nga fiksuesit e peizazhit shqiptar në të gjitha stinët, ky grupim vjen si një frymëzim nga një traditë e ngjashme në Francë gjatë shekullit të kaluar. Në këtë grupim bëjnë pjesë artistë që punojnë vetëm në natyrë.

“Mëngjes në Manarola”, tablo nga Pashk Përvathi
“Mëngjes në Manarola”, tablo nga Pashk Përvathi

“Kthimi në eksperiencën e traditës së piktorëve që pikturuan në natyrë nuk është kthim mbrapa, por përvetësim i vlerave impresionante, të preferuara bashkëkohore të pikturës që aktualisht pëlqehet masivisht si një art që jeton dhe merr vlera të jashtëzakonshme shpirtërore. Shoqatat e panumërta të vazhduesve të Monesë, Manesë, Sezanit, Van Gogut etj., dëshmojnë për këtë. Shkollat e hapura me bazë punën në natyrë kanë shpërthyer gjithandej. Eksperienca e artit tonë kombëtar me veprën e V. Mios, A. Buzës, Z. Kolombit, S. Kacelit, S. Shijakut etj. është një pasuri e jashtëzakonshme ku, në mënyrë krijuese mund të mbështetemi pa hezitime”, thotë piktori Kujtim Buza. 

Ekspozita, e cila shoqërohet edhe me një katalog me punët dhe biografitë e artistëve pjesëmarrës do të qëndrojë e hapur deri më datën 13 tetor. Organizatorët shpresojnë që ky aktivitet të kthehet në një ngjarje të përvitshme, jo vetëm për të ekspozuar veprat më të fundit të piktorëve të “Plain Air”, por edhe për ta sjellë publikun më afër pikturës dhe pse jo bukurive të natyrës shqiptare, që ata promovojnë në veprat e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura