Pikëpyetjet e një investimi 2 miliardë euro në Portin e Durrësit!

Dec 3, 2022 | 8:55
SHPËRNDAJE

Një projekt i madh “premton” që t’i kthejë Durrësit lavdinë e humbur. “Durrës Yachts & Marina”, një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku), kanë prezantuar investimin strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, me vlerë 2 miliardë euro për 35 vjet.

port Durres-Yachts-Marina (1)

Natyrshëm, që çdo investim i përmasave të tilla do të ishte i mirëpritur. Por, sa më shumë që mësohet rreth tij, aq më shumë janë shtuar pikëpyetjet:

-Së pari, a kemi të bëjmë me një projekt realisht strategjik. Të dhënat e planit të biznesit tregojnë se, të paktën në fazën e parë, kemi të bëjmë më shumë me një projekt të pasurive të paluajtshme, sidomos në fazën e parë të tij, sesa kthimin e hapësirave të portit në një destinacion të mirëfilltë turistik. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.

Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte.

Pra kemi një investim që ka marrë statusin strategjik, që parashikon dhënien e lehtësive të shumta në mospagimin e taksave, kryerjen e infrastrukturës mbështetëse nga shteti deri në hyrje të territorit, kur realisht është e qartë që në më shumë se 90% të tij, kemi të bëjmë me një projekt rezidencial, ashtu siç po ndodh rëndom në të gjithë vendin, sidomos në kryeqytet, madje edhe skemat e financimit janë të ngjashme.

Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro. Kompanive investitore u kërkohet që të mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e sheshit të fazës 1, pra rreth 180 milionë euro, ndërsa mund të grumbullojnë të ardhura nga shitjet, apo të fusin bashkë financues të tjerë.

-Së dyti, çfarë do të ndodhë me Portin e Durrësit, që përpunon mbi 90% të volumeve portuale në vend. Zhvendosja e Portit të Durrësit në Porto Romano do të jetë graduale, pasi edhe zhvillimi i projektit në portin ekzistues do të jetë i tillë.

Ende nuk dihet sa është kosto e Portit të Ri në Porto Romano, që do të dojë të paktën 15 vjet të ndërtohet dhe nga do të sigurohen financimet (vlerësohet paraprakisht se kosto e projektit do të jetë të paktën 500 milionë euro).

Vlerësimet e para nga drejtuesit e Portit janë se do të duhen të paktën 5 vjet që të fillojë zhvendosja e Portit dhe vetëm pas kësaj periudhe, ndërtimi i projektit do të zgjerohet edhe në një sipërfaqe më të gjerë.

Plani për kalimin e Portit në Porto Romano ka qenë i hershëm, për shkak të pamundësisë së zgjerimit brenda hapësirave aktuale, por kjo është një sipërmarrje aq e madhe, që edhe tani që “Durrës Yachts & Marina” pritet të fillojë me shpejtësi “pushtimin” e hapësirave, nuk është e qartë se si, kur do të ndodhë, sa do të kushtojë dhe cilat do të jenë burimet e financimit.

Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, Porti i Durrësit gjeneron afro 25 mln euro në vit, larg potencialit strategjik. Përpjekjet kryesore dhe investimet strategjike të një qeverie duhet të fokusohen në rritjen e ekonomisë dhe, për rrjedhojë, volumit tregtar, ku Porti i Durrësit zë natyrshëm rol kyç.

Në rastin konkret, ky aspekt zhvendoset nën hijen e një projekti madhor të pasurive të paluajtshme, ku rëndësia strategjike apo potenciali i shfrytëzimit të Portit të Durrësit merr rol dytësor.

Të paktën vëmendja dhe energjitë më të mëdha, deri tani, duket se janë përqendruar te projekti i jahteve dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë enigmatike mbetet tërheqja e BE nga akordimi i grantit dhe mbështetjes financiare për zhvillimin e portit.

Deri më sot, nuk jemi njohur me ndonjë analizë kosto-përfitim, nëse fondet që do të mbështesin zhvillimin aktual të portit do të kenë kosto më të lirë për qytetarët e vendit, në raport me grantin e BE-së.

-Së treti, çfarë fiton realisht qeveria, ekonomia vendase dhe banorët e Durrësit. Investimi që realisht do të kishte vlerë për turizmin është ai i fazës së dytë, me vlerë 1.49 miliardë euro, ndërtimi i Portit të Jahteve. Investimi realisht nuk dihet kur do të fillojë, pasi ai është i lidhur me zhvendosjen e Portit të Durrësit. Ndërsa për momentin,

Shteti i ka dhënë për zhvillim investitorit një sipërfaqe toke prej 812 mijë metra katrorë truall për ndërtim falas, që me çmimet e tregut, vlen rreth 400 milionë euro, e ka përjashtuar nga taksa e infrastrukturës dhe strehimit (rreth 150 milionë euro), që do të përdoreshin nga Pushteti Lokal.

Vetëm shuma e “falur” është më e lartë se fitimi direkt që do të marrë shteti si aksioner që, sipas planit të biznesit, është 280 milionë euro!

Pikëpyetjet mbeten, teksa për momentin, përfituesi strategjik i këtij investimi nuk duket të jetë as qeveria, as ekonomia dhe as banorët e Durrësit./ EDITORIAL MONITOR 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura