Pikantet e Asamblesë së FSHF / Duka pa titull, Shulku në fund të sallës. Presidenti i klubit të Kategorisë së Parë erdhi me Lamborghini

Mar 3, 2022 | 23:45
SHPËRNDAJE

Asambleja e zhvilluar dje në ambientet e FSHF-së kishte edhe prapaskenat e saj. Me Armand Dukën që kishte mbërritur herët në mëngjes në zyrë, deri te dy trajnerët italianë të ftuar, Edi Reja dhe Xhani de Biazi. “Panorama Sport” ju fton të lexoni të veçantat e kësaj Asambleje të pazakontë.  

asambleja

* Kreu i FSHF, Armand Duka, i pezulluar nga detyra me një vendim gjykate, ishte ai që mbërriti i pari në mjediset e federatës, rreth orës 08:00, edhe pse punimet e asamblesë filluan në orën 10:45.

* Nga delegatët, ndër të parët që erdhën në asamble ishin zyrtari i klubit të Skënderbeut Ilirjan Përmeti dhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Pak më vonë u bashkua edhe trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu.

* Kandidati për president, Sulejman Starova, preferoi hyrjen e pasme të godinës, po ashtu edhe u largua prej andej.

* Në të njëjtin moment, mbërritën njëri pas tjetrit presidenti i Tiranës Refik Halili dhe ai i Partizanit Gaz Demi.

* Në sy binte edhe makina luksoze Lamborgini e presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, që në përfundim të asamblesë mori si pasagjer Gaz Demin.

asambleja

* FSHF vazhdon me modelin e saj të kontrollit të informacionit për publikun, duke vendosur që në sallë gjatë asamblesë të ketë media, por me proces selektiv për ata të cilët mbështetin qëndrimet e institucionit të futbollit.

* I pranishëm në asamble ishte edhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i cili ishte ftuar nga kreu i FSHF. Por jo vetëm ai, pasi në sallë u pa edhe ish-tekniku i stolit kuqezi, Xhani de Biazi.

* Ajo që ra në sy gjatë asamblesë ishte që presidenti i Laçit, Pashk Laska, nuk votoi asnjëherë për ato vendime që u miratuan gjatë asamblesë.

asamble

* Ilir Shulku, ndryshe nga herët e tjera, ishte pozicionuar në fundin e sallës, pasi gjykata ka dhënë një vendim që e ka pezulluar atë nga detyra si sekretar të përgjithshëm të FSHF dhe aktualisht është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

* Gjithashtu, edhe homologët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut ishin të pranishëm në asamblenë e zhvilluar.

* Nuk mungonin edhe përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s, përkatësisht presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina, dhe Nodar Alkarkaci.

* Drejtuesi i asamblesë, z.Libohova, në momentin kur i kaloi fjalën Armand Dukës, iu drejtua në emër dhe jo në cilësinë e presidentit të FSHF-së.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura