Pikante Flamurtari-Skënderbeu/ Nga Zeqiri te…qethja e Dajës

Apr 19, 2018 | 11:59
SHPËRNDAJE

Ofendime jo vetëm ndaj lojtarëve korçarë, por këtë herë tifozët vlonjatë nuk kanë kursyer as futbollistët e Flamurtarit, madje janë kapur edhe me trajnerin Shpëtim Duro, i cili dha dorëheqjen pas ndeshjes. Nga ana tjetër nuk kanë munguar as batutat, teksa Ilir Dajën e kanë ngacmuar për qethjen. “Panorama Sport” sjell pikantet e ndeshjes së djeshme, që u mbyll me zhgënjim për vlonjatët.
Flamurtari-Skenderbeu
* Pas ofendimeve të shumta, Tefik Osmani hedh topin drejt tifozëve ultras në minutën e 35-të dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Gjyqtari Alla i kërkoi kapitenit Alvesh të qetësojë tifozët, por ka qenë e pamundur. Më pas ata janë kapur me Vangjelin, duke e ofenduar në kor.

* Në pushim të pjesës së parë, tifozët e Flamurtarit kontestuan lojtarët. I vetmi që është duartrokitur, ka qenë sulmuesi Danilo Alvesh, që dje mbante edhe shiritin e kapitenit. Alvesh u fut i fundit në dhomat e zhveshjes dhe mori duartrokitjet e tifozëve.

* Administratori Sinan Idrizi nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e djeshme. Po ashtu mungonte edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ndërsa në sektorin VIP ishte vetëm zv.presidenti Arlind Boshku.

* Ish-trajnerë dhe ish-lojtarë të Flamurtarit ishin dje në tribunën qendrore. Ra në sy prania e Edmond Liçajt, Artan Sakajt dhe Hair Zeqirit. Ky i fundit prej disa muajsh është jashtë fushave, ndërsa dje shoqërohej edhe nga një drejtues i klubit italian të Barit.

* Nuk munguan batutat e tifozëve vlonjatë për trajnerin Ilir Daja. Një prej tyre nga tribuna i thotë: “Daja, ku je qethur, tek urgjenca?!”. Ndërkohë, pas përfundimit të ndeshjes, një bidon i ardhur nga tribuna qendrore, për pak sa ka kapur në kokë trajnerin, që është shmangur.

* Pas shënimit të golit të dytë nga Skënderbeu, tifozët në kor kërkuar largimin e trajnerit: “Duro ik, Duro ik”. Por, ata kanë kontestuar edhe lojtarët, veçanërisht Muarem dhe Pollozhanin.

* Në minutat e fundit të ndeshjes, grupimi ultras është larguar para kohe nga stadiumi. Po ashtu, rreth 10 tifozë janë nxjerrë jashtë nga policia për shkak të ofendimeve në kor. Uniformat blu kanë qenë në gatishmëri dhe me një plan të posaçëm për të ruajtur rendin.

* Trajneri Duro nuk doli më nga pankina pas golit të dytë. Madje, ai la pankinën që në minutën e 88-të, ndërsa sapo doli, u përball me koret e tifozëve, që ishin të irrituar dhe i kërkonin largimin.

* Në minutën e 22-të, Sidibe i Flamurtarit dhe Nimaga i Skënderbeut u përplasen kokë më kokë në mënyrë të frikshme. Stafet mjekësore u futen menjëherë në fushë, pasi pati një moment paniku. “Nuk i gjen gjë ata jo”, ishte batuta që shkaktoi ilaritet në tribunën qendrore.

* Aq i tronditur ishte Duro pas ndeshjes, saqë në intervistën për “RTSH”, në vend që të thoshte që largohem nga Flamurtari, u shpreh: “Nga ky moment nuk do të jem më trajner i Partizanit”. Me sa duket, të kuqtë mbeten në mendjen e trajnerit në çdo kohë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura