Pikante/ Arbitrat si makth, Vasil Ruci ‘çmendet’ nga tribuna VIP. Lika kapet me Jakovljeviçin

Dec 5, 2017 | 22:32
SHPËRNDAJE

Luftëtari-Flamurtari u ndoq nga rreth 1200 tifozë që kishin zënë vend në tribunat A, B dhe sektorin anësor. Edhe dje tribuna përballë nuk u hap për tifozët, edhe pse aty ishte vendosur banderola e grupimit “Shqiponjat Bluzi”.

Çuditërisht policia vazhdon të bëhet pengesë për atë sektor, kur në fakt ka qenë i hapur në javët e para të kampionatit. Protagonistë nga tribuna u bë në ndeshjen e djeshme legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, ndërkohë që mungonte administratori Sinan Idrizi dhe ultrasit e Flamurtarit. “Panorama Sport” sjell të gjitha pikantet e takimit në Gjirokastër.

luftetari flamurtari

LIKA – Trajneri i Luftëtarit e ka ndjekur gjatë gjithë kohës në këmbë takimin duke dhënë udhëzime për lojtarët. Në minutën e 24-t, ai ka kontestuar vendimin e anësorit Qirici në momentin e një faulli të shkaktuar në dëm të Toledos. Në përfundim të takimit, Lika kapet me serbin Jakovljeviç duke i kërkuar llogari për rastin e minutës së 65-të, kur ai kontestoi momentin e ndëshkimit për kartonin e verdhë.

MASAT – Forcat e sigurisë private për mbarëvajtjen e takimit nuk kanë lejuar hyrjen në shkallët e stadiumit të tifozëve pa biletë. Portat nuk janë hapur për tifozët as në pjesën e dytë. Ata që nuk kishin mundësi të hynin me bileta, e ndoqën sfidën nga jashtë stadiumit, pikërisht në sektorin anësor, afër universitetit “Eqerem Çabej”.

TAVO – Presidenti i Luftë- tarit, Grigor Tavo, me hyrjen në tribunën VIP është takuar me drejtorin teknik të Flamurtarit, Vangjel Laluci teksa kanë shkëmbyer me njëritjetrin përqafimet e çastit. Kreu i klubit gjirokastrit ka qenë i shoqëruar nga zv/presidenti Artur Dadaj dhe figura të tjera të futbollit gjirokastrit. “Në janar do bëjmë merkato të fuqishme, Luftëtari do ringrihet”, ka premtuar Tavo pas ndeshjes.

flamurtari

IDRIZI – Mungonte për një arsye të fortë personale presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ndërsa drejtori teknik, Vangjel Laluci, legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, si dhe drejtori administrativ, Ardi Behari, nuk munguan në tribunën VIP.

LIÇAJ – Pasi futbollistët e të dyja skuadrave kanë kryer nxehmjen para startimit të takimit, nuk kanë munguar dhe përshëndetjet me ishmesfushorin e Luftëtarit, Lejdi Liçaj, i cili dje luajti si titullar në radhët e Flamurtarit. Ndërsa ish-kapiteni i bluzinjve, Ergys Mersini, për 90 minuta ishte në stolin e skuadrës vlonjate.

TIFOZËT – Nga tribunat qendrore, në adresë të mbrojtësit Zeqaj ka pasur shpesh kritika dhe sugjerime. Një prej sportdashësve të Luftëtarit u dëgjua më shumë duke i thënë: “O Zeqaj, mos dil kot, mbyll hapësirën, mos i lër mundësi sulmuesit se do e pësojmë”. Ndërsa në një aksion të Luftëtarit, kur Bregu del përballë Liçajt, një sportdashës gjirokastrit i lëshon britmën e zgjatur: “Mos i dil përballë, se të nxjerr huq ai”.

KRITIKAT – Portieri i Luftëtarit, Shkëlzen Ruçi, është kontestuar nga tifozët në disa raste. Në minutat e presingut të Flamurtarit, pas golit të barazimit të Luftëtarit, portieri gabon në rivënien e topit dhe nga shkallët e stadiumit dëgjohet: “O Hasan, fut Tafën në vend të Ruçit”. Tafa është nofka e trajnerit të portierëve, Dritan Kristidhi.

VASIL RUCI – Në përfundimin e pjesës së parë, Vasil Ruci, i ndodhur në tribunën VIP, u është drejtuar të pranishmëve me nota nervozizmi duke bërë kritika për lojën e Flamurtarit. “Përveç rastit të golit, nuk bëmë asgjë tjetër”. Mirëpo, në minutën e 89-të, kur Bicaj preku topin me dorë brenda zonës së Luftëtarit dhe u ndëshkua me të verdhë, legjenda e futbollit vlonjat duke mos parë mirë këtë raste, bërtiti nga tribuna: “Penallti, o arbitër!?”. Ky moment shkaktoi ilaritet.

duro

DURO – Për asnjë moment, trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, nuk është çuar nga stoli. I pyetur nga “Panorama Sport”, lidhur me këtë fakt, tiranasi u shpreh: “Kështu e pashë të arsyeshme”. Pas përfundimit të takimit, ai iu përgjigj ftesës së gazetarëve të mediave lokale për intervistën pas ndeshjes teksa po pinte një puro.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura