Pianisti Zamir Kabo koncert në Tiranë, sjell Norvegjinë me veprat e Grieg

Feb 24, 2016 | 11:56
SHPËRNDAJE

Krijimtaria e kompozitorit norvegjez, Edvard Grieg, sjell në Tiranë pianistin e talentuar shqiptar Zamir Kabo. Edhe pse po ndërton karrierën e tij jashtë vendit, ku ka kryer edhe studimet, Kabo shkëputet për një moment për të dalë para publikut shqiptar me një koncert në piano shoqëruar nga orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar.

Pianisti Zamir Kabo dhe dirigjenti Oleg Arapi
Pianisti Zamir Kabo dhe
dirigjenti Oleg Arapi

Nën baketën e dirigjentit Oleg Arapi, mbrëmjen e së premtes në sallën e Universitetit të Arteve, Kabo, përmes veprave të Grieg, do të përcjellë atmosferën norvegjeze. Krijimtaria e këtij kompozitori të madh të periudhës romantike u formua nën ndikimin e kulturës popullore norvegjeze.

Ndër veprat më të famshme të Grieg janë dy suita për dramën e Henrik Ibsen “Peer Gynt”, koncerti për piano dhe orkestër, sonatat për violinë etj. Vëmendje kryesore Grieg i kushtonte këngës dhe romancës. Rreth 20 syresh u botuan pas vdekjes. Koncerti për piano në A minor, Op. 16 i Griegut, vazhdon llojin lirik të koncertit, mbarsur me intonacionet dhe ritmet e folklorit norvegjez.

Koncerti ka formë tradicionale klasike të ciklit me tri kohë: Koha e parë një sonatë allegro dinamike, me një karakter liriko-patetik, me shpërthime romantike dhe kontraste të thella. Koha e dytë një Adagio soditëse, muzikë që mishëron botën e mrekullueshme të natyrës veriore. Koha e tretë një konfirmim i zhanrit popullor (a-moll; A-dur).

Të gjitha pjesët janë të lidhura me një linjë të vetme të zhvillimit simfonik të drejtuar në kulminacion drejt kodes himn në finale. Ajo përfaqëson atë ç’ka dashur të përshkruajë kompozitori: imazhin e Norvegjisë.

PIANISTI

Zamir Kabo, ka lindur më 1988- n në Tiranë në një familje muzikantësh. Mësimet e para në piano i mori në shkollën artistike “Servete Maçi”, për të vijuar Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Studimet e larta i fillon në vitin 2006 në Fakultetin e Muzikës në Shkup, nën drejtimin e profesorit Boris Romanov, ku edhe përfundon në 2010- n me vlerësimin 10 Suma cum Laude. Në 2011-n vazhdon studimet master po me të njëjtin profesor dhe përfundon përsëri me notën 10 Suma cum Laude.

Ndërkaq ka marrë pjesë në Masterclass të ndryshme me profesorë të njohur si: Arbo Valdma, Francesco Monopoli, Dmitri Bashkirov, Giovanni Umberto Battel, Mikhial Voskresensky, Karl-Heinz Kämmerling, Bernd Goetzke, Elena Margolina-Heit dhe Jacques Rouvier. Ka interpretuar si solist në festivale ndërkombëtare nga Ohri, në Spanjë, deri në Moskë(Salla Rachmaninov e Konservatorit Çajkovski).

Por ai i ka qëndruar besnik skenës shqiptare përmes koncertesh recitale, i shoqëruar nga orkestra e RTSH nën drejtimin e mjeshtrit Yury Sobolev dhe Dr. Oleg Arapi, ku ka interpretuar vepra nga Rachmaninov, Brahms, Stravisnky, Schubert, Prokofiev etj. Aktualisht vazhdon studimet Master në Universitetin e Arteve “Mozarteum”, Salzburg, nën drejtimin e profesoreshës Cordelia Höfer–Teutschn.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura