Pezullohet greva në sektorin publik në Kosovë, sindikalistët i lënë “afat” qeverisë deri në janar

Oct 1, 2022 | 20:10
SHPËRNDAJE

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, njoftoi të shtunën për ndërprerjen e grevës në sektorin publik të vendit, e cila kishte nisur më 25 gusht të këtij viti.

kosove

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj tha se greva është pezulluar, por nuk është përmbyllur.

“Qeveria dhe opinioni le ta dijnë se greva nuk po mbyllet por po pezullohet deri në janar të vitit 2023, bazuar në vullnetin e deklaruar të antarësisë. Por më duhet të jem i sinqertë rezultatet e deklarimeve është parë se janë me diferencë jo shumë të madhe, pra pro pezullimit dhe kundër pezullimit”, tha ai.

Punonjësit e arsimit në Kosovë kishin hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit te Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të një pakoje për përballjen me inflacionin. Takimet ndërmjet palëve nuk siguruan rezultat në përafrimin e qëndrimeve rreth grevës e cila kishte lënë jashtë procesit mësimor mbi 320 mijë nxënës.

Zoti Jasharaj tha se pezullimi është bërë për të mos e dëmtuar më shumë procesin mësimor, por edhe për t’i dhënë kohë dialogut me qeverinë për realizimin e kërkesave të sindikatave.

“Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. Uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajë fjalën për Ligjin e pagave, për ndryshimin e Ligjit të skemave pensionale, e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vjet kontributdhënës para vitit 1990. Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për sigurime shëndetësore, uroj që tri palët në këshillin ekonomik-social ta nënshkruajnë Marrëveshjen Kolektive, diçka që është bazament për të drejtat e sindikalistëve në Kosovë”, tha ai.

Ekspertë të arsimit në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen se një ditë e humbur e mësimit në Kosovë ka rol shumë më të madh se në vendet tjera për shkak të ngecjes në cilësi që e karakterizon ende sistemin arsimor të vendit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura