Petrit Vasili prezanton programin elektoral të LSI për sektorin fason: Ja pse sot ka humbur mbi 20 mijë vende pune

Apr 6, 2021 | 12:54
SHPËRNDAJE

petrit-vasili

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka prezantuar sot pikat e programit elektoral të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, lidhur me sektorin fason, për të cilin tha se është një sektor “gjenerator punësimi”.

“Prej vitesh Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbështetur fuqimisht një qasje të re, një mbështetje rrënjësisht të rëndësishme nga ana e shtetit që ajo të zhvillohej, por e kundërta ka ndodhur. Që nga viti 2014, kur ne kemi ndërmarrë iniciativa të njëpasnjëshme në këtë drejtim, ato janë sabotuar me ndërgjegje dhe me vetëdije të plotë, në emër të interesave të tjera, në emër të interesave të oligarkisë e të gjithë të tjerave, nga Rilindja, duke mos i krijuar hapësira, por duke i krijuar probleme edhe më të mëdha”, tha Vasili.

Sipas nënkryetarit të LSI, “sot biznesi fason ka humbur mbi 20 e ca mijë vende pune, pasi nuk iu dha asnjë ndihmë e domosdoshme dhe asnjë mbështetje, edhe në kohët shumë të vështira të pandemisë”.

“Në mënyrë konkrete, pikat e programit tonë elektoral, por program qeverisës nesër dhe një detyrim qeverisës i patjetërsueshëm do të jenë këto elemente themelore, të cilat janë formësuar përfundimisht në programin tonë si një detyrim politik.

Së pari: Ristrukturimi i fazuar i industrisë fason sipas kërkesave të tregut vendas dhe konjukturave të reja të tregut ndërkombëtar. (Investime në teknologji, në prodhim imputesh, know-how), duke akorduar një mbështetje dhe një subvencion prej 30 milionë euro në 2 vitet e para, si një masë emergjente, e drejtpërdrejtë.

Së dyti, mbështetja e industrisë fason për të kaluar në produktin e integruar Made in Albania. (Dizajn, brande, marketing, promocion produkti dhe panaire, certifikime dhe mbështetje institucionale), e cila kërkon një mbështetje prej 20 milionë euro të shpërndarë në katër vjet, e cila krijon një boom të jashtëzakonshëm të ri të kësaj industrie.

Së treti, mbështetja tek prodhimi vendas duke konsumuar produkte vendase fillimisht entet publike që prokurojnë veshje dhe këpucë. Pra, kemi parasysh tenderët dhe prokurimet publike për veshje e këpucë për gjithë periudhën e qeverisjes, ndërkohë që këto produkte janë të nivelit evropian, me çmime shumë kompetitive dhe njëherazi i jepet një spunto, njëherazi edhe punësimit dhe rritjes së nivelit ekonomik të vendit.

Së katërti, mbështetja me grande e fonde të Bashkimit Evropian, në bazë të projekteve, duke përdorur një analogji mënyre të zhvillimit të tyre, ashtu sikurse funksionon sot AZHBR-ja, duke përdorur pra praktikat më të suksesshme, më të shpejta dhe më të drejtpërdrejta.

Së pesti, heqja dhe lehtësimi i barrierave doganore për lëndët e para, për prodhimet e destinuara për tregun vendas.

Së gjashti, krijimi i instrumentit garantues dhe realizues për këtë qëllim dhe për të gjithë këtë veprimtari që do ishte Agjencia e Industrisë veshje-këpucë. Agjenci kjo e veçantë, operative, për implementimin dhe monitorimin shumë të kujdesshëm dhe efektiv të këtij programi”, tha ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura