Petrit Vasili e ‘përgënjeshtroi’, ja si i përgjigjet Luan Rama

Jan 21, 2016 | 8:07
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cilëson polifoni qëndrimesh argumentet e dhëna për raportin e fundit të FMN-së.

Petrit Vasili/Luan Rama
Petrit Vasili/Luan Rama

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Rama i përgjigjet kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, duke thënë që, edhe pse i lexon në mënyrë individuale rekomandimet e FMN-së, me zotin Vasili është në bashkëpunim të shkëlqyer në funksion të rritjes së rolit dhe peshës politike të LSI-së.

Zoti Rama, në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së ju keni tërhequr vëmendjen e qeverisë për vërejtjet e raportit të FMN-së, ndërkohë që kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, është shprehur se qëndrimi juaj është “lexim personal” dhe jo qëndrimi zyrtar i LSI-së?

Gjatë gjithë jetës sime, qysh se kam mësuar të lexoj, gjithnjë kam lexuar në mënyrë individuale. Po a e ndryshon kjo gjë përmbajtjen e raportit? Ndaj, le të mos merremi me formën, por me përmbajtjen. Më 15 janar të këtij viti, FMNja publikoi një raport mbi vlerësimin e transparencës fiskale të qeverisë shqiptare, ku përveç disa vlerësimeve pozitive për disa indikatorë fiskalë në funksion të transparencës, tërheq vëmendjen për një kujdes më të madh në monitorimin e disa indikatorëve të rëndësishëm për stabilitetin makroekonomik. Unë nuk bëra asgjë më shumë nga sa bëtë ju si gazetë apo edhe nga sa bënë gazetarët e medias së shkruar apo elektronike, duke lexuar drejtpërdrejt e pa asnjë retush raportin e FMN-së e duke ia ofruar me korrektesë profesionale publikut. Për mua personalisht, dhe edhe për LSI-në, partneriteti apo bashkëpunimi me FMN-në mbeten të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme, përkatësisht edhe për suksesin e reformave të sistemit ekonomik e financiar. E nëse FMN-ja paralajmëron riskun e sistemit, nëse tërheq vëmendjen për mungesën e transparencës fiskale apo nëse flet për koncesionet qeveritare, unë e konsideroj të rëndësishëm reagimin e menjëhershëm dhe të përgjegjshëm të qeverisë. Neglizhenca apo mospërfillja ndaj këtyre rekomandimeve, mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për ekonominë e vendit.

Ju thoni se 10 nga 36 rekomandimet e FMN-së nuk janë zbatuar?

Nuk e them unë, këtë e thotë FMN-ja. Unë them e vazhdoj të them që ndaj këtyre vërejtjeve duhet reflektuar, sepse historia e marrëdhënieve me FMN-në na sjell në vëmendje se sa herë që ne nuk jemi treguar luajalë e bashkëpunues me FMN-në, apo më keq akoma, sa herë që ne jemi treguar refraktarë e mospërfillës, janë krijuar realitete problematike. Unë nuk mund të qëndroj indiferent apo të them rroftë qeveria kur FMN-ja shpreh shqetësimin për nevojën e një analize objektive të kostove të përfitimeve të proceseve koncesionare, duke vënë theksin te rentabiliteti i tyre për çdo rast. Edhe unë, megjithëse nuk jam ekonomist në profesion, e kuptoj dhe e mbështes partneritetin publik-privat, por vetëm pas një procesi transparent dhe analitik për risqet dhe përfitimet fiskale. Aktualisht, risku financiar nga skema e PPP-ve (partneriteti publik-privat) shkon në rreth 700 milionë euro dhe përbën realisht një sfidë të madhe fiskale. Po a nuk kam të drejtë unë të flas për këtë gjë? Ku qëndron herezia në këtë rast, që të mos përdor fjalinë e njohur ‘ku qëndron problemi këtu’?!

Qeveria u ka dhënë përparësi koncesioneve, ndërkohë që shërbimet ndaj qytetarëve duket se nuk janë përmirësuar. Ka një ngërç këtu?

Partneriteti publik-privat është një dimension, është një mundësi, është një praktikë që, për të qenë e suksesshme, ka nevojë për angazhim financiar jo vetëm prej buxhetit të shtetit, siç rezultojnë disa raste të dhëna me koncesion, por edhe për angazhimin financiar të sektorit privat në projektet e përbashkëta. Sepse, ndryshe mund ta shndërrojmë buxhetin e shtetit në buxhet të koncesioneve! Aktualisht 7 për qind e GDPsë, sipas raportit të FMN-së, u përket koncesioneve, ndërkohë që megjithëse vend anëtar i NATO-s, ne jemi shumë larg përmbushjes së detyrimit për të arritur në 2 për qind të GDPsë për buxhetin e mbrojtjes!

E megjithatë, zoti Vasili e cilësoi qëndrimin tuaj qëndrim personal…

Po, gjithë sa ju thashë juve më sipër është qëndrimi im personal dhe unë i qëndroj këtij qëndrimi, ashtu sikundër e ritheksoj se raporti i FMNsë duhet lexuar me korrektesë e ndaj tij duhet reflektuar menjëherë e me shumë përgjegjësi. Dhe meqë po i referoheni qëndrimit të zotit Vasili, ju siguroj se bashkëpunimi im me të është i shkëlqyer dhe vetëm në funksion të rritjes së rolit dhe peshës politike të LSI-së.

Edhe pas qëndrimeve të fundit që ngjajnë si kakofoni?

Nuk janë kakofoni, janë polifoni qëndrimesh në LSI.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura