Petrit Ruka kujton mikun e rrallë e të qeshur Artan Minarollin

Aug 30, 2018 | 11:20
SHPËRNDAJE

Prej 11 të martash, në tarracën e Pallatit të Kulturës, drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, në bashkëpunim me “Tulla Nouvelle Terrace”, kanë shfaqur në qiell të hapur filma nga kinematografia shqiptare e viteve ’90.  Të martën e kësaj jave, ishin zgjedhur filmat “Njëqind për qind” realizim i vitit 1993 dhe filmi “Plumbi prej plasteline” i 1994, të dy autorëve Artan Minarolli dhe Petrit Ruka. Ishte kjo vijimësia e programit të kinematografisë së viteve ’90 dhe një homazh për regjisorin Artan Minarolli. “Njëqind për qind” është një satirë e gjallë dhe e zhurmshme e procesit të votimit gjatë kohës së diktaturës.

“Plumbi prej plasteline”, një fëmijë i ekspozuar ndaj agresivitetit në masmedia dhe shoqëri ndryshon gradualisht nga një i pafajshëm në një vrasës. Filmi akuzon që jemi ne vrasësit e vërtetë, prindërit dhe shoqëria. Të dy këta filma të rrallë janë dy nga kontributet më vitale në kinemanë shqiptare e viteve ’90. Filmat u shfaqën të martën në mbrëmje në tarracën e Pallatit të Kulturës. Bashkautori në film, Petrit Ruka, kujton se filmi “Njëqind për qind” u xhirua kur nuk kishte hyrë akoma në Shqipëri Kodak.

Regjisori Petrit Ruka
Regjisori Petrit Ruka

“Kristaq Dhamo, që vinte vulën nga pikëpamja e cilësisë artistike të filmit, na tha e xhironin filmin ‘Njëqind për qind’. Pas tij, ne na besuan një tjetër film me metrazh të gjatë që ishte ‘Plumbi prej plasteline’ që u xhirua në 1994-n me Kodak. Ishte për herë të parë që xhirohej me Kodak në Shqipëri. Operator ishte Mihal Rama dhe ky film nga fundi i vitit, kur u bë festivali i filmit në Shqipëri, mori çmimin e kamerës më të mirë”, tha bashkëregjisori i filmave Petrit Ruka, i njohur në aktivitetin e tij me filmat shqiptarë. Si skenarist dhe regjisor, Petrit Ruka ka realizuar vepra filmi në dokumentarë dhe artistikë prej vitesh, aktivitet që vijon dhe me filma të tjerë të realizuar së fundmi. Petrit Ruka u ndal të fliste edhe për mikun e tij e kolegun e tij, Minarollin.

“Është një nga njerëzit që më mungon më shumë, që ishte gjithmonë duke qeshur aq sa nuk e di nëse mund të nervozohej ndonjëherë. Kemi kaluar kaq kohë të bukura bashkë, kemi bërë udhëtime pafund, kemi kaluar sa net, duke biseduar nëpër rrugëtime, në shtëpinë time apo të tijën. Më kujtohet një rast në tren… Temperatura ime shkoi 39 dhe asnjëherë deri atëherë nuk kisha parë njeri që të shqetësohej aq shumë për shëndetin tim sa Artani. Nuk di ku dhe si gjeti disa ilaçe nëpër vagonë ku kërkoi, vetëm e vetëm që unë të bëhesha më mirë dhe ashtu ndodhi vërtet. Kujtimet me Tanin janë të pafundme, do t’ju mbaja gjithë natën këtu, nëse do të vijoja me historitë tona, prandaj po ju lë të shihni filmat”- tha Ruka. Artan Minarolli mbaroi gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë në vitin 1977. Studioi në Akademinë e Arteve, dega dramë në 1982. Në vitin 1986 u emërua as/regjisor në Kinostudio. Artan Minarolli ishte drejtor i Arkivit të Filmit. U nda nga jeta në mënyrë të papritur në Tiranë, më 31 dhjetor 2015.

Regjisori Artan Minarolli
Regjisori Artan Minarolli

FILMAT E TË MARTAVE TË KËTYRE JAVËVE

Sipas Elezit, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka qysh prej nëntorit të shkuar që çdo të premte ia ka dedikuar shfaqjes së pjesëve të kuruara nga koleksioni i filmit shqiptar dhe të huaj, të fondit të arkivës, në kinemanë brenda godinës së AQSHF-së.

Tanimë, prej disa javësh, netët e filmit janë shndërruar të martat dhe kinema është bërë tarraca e Pallatit të Kulturës. Arsyeja pse u zgjodh pikërisht dhjetëvjeçari ’90, sipas Elezit, është se kinemaja e kësaj periudhe është pak ose aspak e njohur jo vetëm për brezat që kanë lindur gjatë atyre viteve, por edhe për breza më të mëdhenj.

“Duket si një periudhë kohore të cilën mund ta prekim, aq e afërt është, një periudhë e errët që ka ndikuar në personalitetet dhe përsiatjet që ndeshim ende sot e kësaj dite”,- rrëfen Elezi, ndërsa i referohet filmit të një jave më parë, “Nata” e regjisorit Esat Musliu, prodhim i vitit 1996.

“Nuk e njohim kinematografinë tonë, bëjmë sikur. Ajo që vërej me trishtim në një kulturë si e jona që as nuk lexon e as nuk shkruan, mungojnë studimet për kinemanë”, mendon Elezi, duke shtuar se epokat duhet të dokumentohen, sepse memoria shpesh na bën lojëra dhe nuk mundemi t’i besojmë vetëm asaj pa i shkruar fenomenet e shoqërisë.

Nga filmi “Plumba prej plasteline”
Nga filmi “Plumba prej plasteline”

Kinemaja në “Tulla Nouvelle” është joformale dhe ndërvepruese. Shikuesit mund të pinë, të freskohen në qiell të hapur apo të ndjekin një film, ndërsa kanë hapur çadrën për t’iu mbrojtur shiut, siç kanë bërë gjatë javëve të para të këtij aktiviteti. Duke iu rikthyer edhe njëherë debatit për kinematografinë shqiptare, veçanërisht pas viteve ’90, Elezi thotë se debati është hedhur në kahun e gabuar.

“Përgjegjësia është t’i njohim këta filma dhe jo vetëm kineastët shqiptarë, që sa më shumë ta njohin kinemanë aq më të mirë do bëhen në prodhimet e tyre në të ardhmen, por duhet të përkthehen, studiohen dhe të kthehen në tekste, sepse adresojnë disa nga plagët e shoqërisë, për të cilat kemi ende të njëjtat pyetje. Shpirti shqiptar vazhdon të vuajë nga të njëjtat gjëra”. Me kalimin e viteve, rrëfen ajo, ka kuptuar se janë pikërisht situatat shqiptare edhe thesari për kinematografinë tonë, situata që në botë janë të tejkaluara dhe nuk gjenden.

Kjo nismë verore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit u çel me ekranizimin e filmit “Përdhunuesit”, prodhim i vitit 1995, me regji të Spartak Pecanit për të vijuar më pas me filmin dokumentar “Anija e ëmbël”, një prodhim italo-shqiptar i vitit 2012, por që rrëfen fatin e njëzet mijë shqiptarëve që hipën mbi anijen “Vlora” në portin e Durrësit për të prekur lirinë aq shumë të dëshiruar, më 8 gusht të vitit 1991, në portin e Barit, ai lundrim që më pas huazoi termin biblik “Eksod”. Filmi me regji të italianit Daniele Vicari, i shfaqur në edicionin e 69-të të Festivalit të Filmit në Venecia në vitin 2013 ka sjellë përvojën e tre shqiptarëve në bordin e anijes, të cilin regjisori e pagëzoi “e ëmbël” për shkak se funksioni i saj ishte të transportonte sheqer drejt Kubës. Një tjetër film ka qenë ai “Drejt Europës”, prodhim i vitit 1992, “Bolero” i Besnik Bishës” etj…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura