Peters: Jezuitët hapën shtëpinë e parë botuese në gjuhën shqipe

Mar 2, 2016 | 11:41
SHPËRNDAJE

Dom Markus i njeh rrugët e Tiranës më mirë se edhe vetë taksistët. Ka edhe nga ata që nuk e dinë se në kryeqytet ka edhe një Akademi Shkencash e për një studiues, kjo është e habitshme.

Dom Markus Peters duke i dhënë një kopje të librit Papa Françeskut
Dom Markus Peters duke i dhënë një kopje të librit Papa Françeskut

Dom Markus Peters e njeh Shqipërinë qysh prej vitit 1993, kur erdhi të studionte Histori arti pranë Akademisë së Arteve; që prej asaj kohe kur Tirana ishte një qytet gri, pa asnjë lidhje me Europën, me rrugë të zbrazëta, me njerëz të zymtë… Po kjo nuk e pengoi ta donte Shqipërinë e të mbronte tri disertacione që lidhen me të.

Më e fundit lidhet me të parën shtypshkronjë dhe shtëpi botuese, që botonte libra shqip. “Shtëpia botuese më e vjetër e Shqipërisë dhe kontributi i saj për Lëvizjen Kombëtare, arsimin dhe kulturën: “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” në Shkodër (1870- 1945)”, titullohet libri i promovuar dje në Tiranë.

Një punë voluminoze 7-vjeçare në arkivat italiane e shqiptare, që na sjell historinë e një institucioni me një vlerë të veçantë në botimin e librit shqip. Edhe pse e hapur fillimisht për qëllime misionare, misioni i kësaj shtypshkronje e shtëpie botuese i tejkaloi caqet fetare.

markus-peterTë botoje libra shqip, në një kohë kur Shqipëria ishte nën sundimin osman, kishte një rëndësi kombëtare. Lëvrimi i gjuhës, mbledhja e folklorit, hartimi i fjalorëve, pastrimi i shqipes nga turqizmat e pasurimi i saj me fjalë të “humbura” u kthye në një mision të jezuitëve dhe drejtuesve të Tipografisë së Zojës së Papërlyeme. Por deri më sot, ky aspekt i punës së Kishës Katolike është lënë në harresë.

Keni mbrojtur tri disertacione që lidhen me Shqipërinë, ç’ju ka lidhur me vendin tonë, kur nisi interesi juaj ndaj tij?

Gjithçka ka filluar me studimet e para të Shqipërisë paleokristiane në Universitetin e Marburgut të Gjermanisë, ku erdhi një delegacion shkencëtarësh i përbërë nga Aleksandër Meksi, Neritan Ceka etj. Në këtë moment filloi interesimi im për Shqipërinë në përgjithësi, u ftova për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë. Gjatë kësaj kohe iu afrova çështjeve së kishës dhe më lindi interesi për fatin e saj në kohën e Zogut më së shumti, e më tej pas Luftës së Dytë Botërore. Disertacioni i parë ishte për historinë e artit dhe më pas për historinë e Kishës Katolike gjatë shek. XX, prej Luftës I Botërore, deri në vitin 1996. Ky është disertacioni i tretë që mbroj pranë Katedrës së Albanologjisë në Mynih, me udhëheqës shkencor prof. Dr. Bardhyl Demirajn. Një lloj nxitjeje drejt kësaj teme ishte edhe respekti e adhurimi ndaj punës që kanë bërë ata që hapën të parën shtëpi botuese shqip në Shqipëri.

Që këtej ju lindi edhe dëshira për të mësuar gjuhën shqipe?

Qendra shpirtërore e etërve të shtëpisë botuese në kryeqytet: Kisha e Jezuitëve “Zemra e Krishtit”, 1939
Qendra shpirtërore e etërve të shtëpisë botuese në kryeqytet:
Kisha e Jezuitëve “Zemra e Krishtit”, 1939

Kam studiuar gjatë viteve ’93-’94 në Shqipëri dhe kam qenë i detyruar ta mësoj shqipen. Është gjuhë e vështirë, por kur ke dashuri për një vend, për një popull, gjithçka është më e thjeshtë. Mësuesit e mi të shqipes kanë qenë prof. dr. Wilfried Fiedler, që ka dhënë mësim në Universitetin e Munihut dhe prof. Bardhyl Demiraj.

Si nisi hulumtimi juaj për të gjetur gjurmët e “Tipografisë së Zojës së Papërlyeme”?

Është fryt i punëve të mëparshme, gjatë të cilave kam kaluar nëpër duar shumë libra të kësaj shtypshkronje e shtëpie botuese. Ishin libra që kishin emrin “Tipografia e Zojës së Papërlyeme”. E kështu m’u nxit interesimi mbi këtë institucion që nuk ekziston më. Kisha kuriozitet të dija se kush fshihej pas këtij institucioni, cilët ishin pronarët, cili ishte qëllimi, arsyet, historiku, themelimi… Si shkencëtari, ashtu edhe filozofi e fillon rrugën e vet me kuriozitet. Kështu nisi edhe rruga ime…

Cili ishte misioni i tipografisë përtej lajtmotivit të jezuitëve “Jezusin kemi shok”? Ky institucion është themeluar në vitin 1869. Në 1870 kanë filluar publikimet e para. Në momentin e parë është themeluar si një shtypshkronjë misionare, teologjike, por më pas ka kryer një aktivitet në favor të zhvillimit të kombit, të letërsisë, të fjalorit të gjuhës shqipe. Kanë kontribuar shumë për pastrimin e gjuhës shqipe nga turqizmat, nga ndikimet e huaja dhe zhvillimin e semantikës. Janë rizbuluar shumë fjalë e frazeologji shqipe “të harruara”. Ka dhënë një ndihmesë të madhe edhe në fushën e letërsisë. Ka botuar krijimtari letrare, madje edhe At Fishta ka botuar aty. Ndërsa mund t’ju kujtoj kontributin e revistës jezuite “LEKA” apo At Zef Valentinit, i cili konsiderohej një “prijës në lëmë të letërsisë”. Shtypshkronja u themelua në një kohë kur Shqipëria ishte ende nën zgjedhën e Perandorisë Osmane. Pra është një kontribut i jashtëzakonshëm i Urdhrit Jezuit i ardhur në Shqipëri në vitin 1841. Themelimi i kësaj shtypshkronje që shtyp libra shqip ka qenë një risi e paparë deri në atë kohë.

E megjithatë, edhe ajo e kishte një parahistori…

KopertinaEdhe para vitit 1870, të gjithë librat e botuar në shqip, duke filluar që nga “Meshari” i Gjon Buzukut në 1555, që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, ishin botime të Kishës Katolike. Ndërsa Shtypshkronja e Voskopojës që ka qenë në Shqipëri, ka botuar gjithçka në greqisht. Dhe në këtë kontekst, kontributi i jezuitëve merr një rëndësi të veçantë, sidomos në drejtim të arsimit, në zhvillimin e gjuhës dhe zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, përmes lëvrimit të gjuhës amtare. Kjo është meritë e atyre që hapën shtypshkronjën, deri në mbylljen e saj në vitin 1945.

Përpos mbylljes së saj përfundimtare në 1945-n, a ka pasur përplasje me politikën “Tipografia e Zojës së Papërlyeme”?

Çdo periudhë ka pasur problemet e veta. Duke studiuar historinë e Kishës, kam parë se gjithnjë ka pasur ndonjë përplasje me qeverisjen aktuale. Kjo ka ndodhur jo vetëm në periudhën e Enver Hoxhës, por edhe në periudhën e Zogut, në pushtimin fashist, gjatë periudhës së austro-hungarezëve, gjatë së cilës një rektor austriak ka ardhur në Shkodër dhe u mëshonte më shumë botimeve në gjuhën gjermane. Edhe etërit françeskanë kanë pasur shtypshkronjën e tyre dhe kanë kontribuuar shumë. Madje, kanë sakrifikuar edhe me jetë, sidomos pas Luftës II Botërore.

A është menduar të ringrihet kjo shtëpi botuese, qoftë edhe si homazh i punës së saj nga viti 1870-1945?

Libri im është botuar nga shtëpia botuese “Ylberi”, e cila është hapur nga jezuitët, ku botohen libra të zhanreve të ndryshme. Pra pasardhësja e “Zonjës së Papërlyeme” ekziston, me të njëjtin synim: arsimim, edukim, formim të njeriut. Sot ka kaq shumë mundësira informimi, por në atë kohë, në shek. XIX-XX, kjo shtëpi botuese merrte vlera të veçanta.

Alma MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura