Peshkatarët: Në treg sepje e karkaleca nga Vietnami

May 22, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Flota shqiptare e peshkimit nuk përballon dot kërkesën, duke bërë që tregu të furnizohet me peshk dhe prodhime të tjera deti me anë të importit nga vende të ndryshme të Europës dhe Amerikës Latine. 

Sipas kryetarit të shoqatës së flotës së peshkimit, Klodian Kapiti, shqiptarët po konsumojnë peshk importi. Ai thotë se është e pamundur për të furnizuar me peshk dhe prodhime të tjera deti tregun e brendshëm, pasi mbi 60 për qind e flotës kthehet bosh nga gjuetia.

Ilustruese

“Shqipëria po furnizohet me peshk importi, pasi flota e peshkimit nuk arrin të përballojë dot kërkesën e tregut të brendshëm. Ne po furnizohemi me peshk rezervati nga Greqia dhe vende të tjera të rajonit. Paradoksi qëndron se me peshk me gjak të ftohtë, që ne quajmë karkalecat, kallamarët dhe sepjet, vijnë nga fundi i botës, Vietnami dhe Uruguai. Dhe e dini pse kemi mbërritur në këtë pikë kritike, ndonëse kemi një bregdet relativisht të pasur me gjallesa ujore? Sepse nuk kemi lëndën e parë, që quhet anije. Mbi 60 për qind e flotës së peshkimit nuk është në gjendje të mirë pune dhe për pasojë gjuetia zhvillohet pranë bregdetit, duke mos synuar thellësitë ku relativisht ka peshk. Vetëm disa anije në gjendje të mirë fizike arrijnë të shkojnë deri në këto vende ku ka peshk, pjesa tjetër gjuan pranë bregut dhe në shumicën e rasteve dalin me rrjeta bosh”, shprehet kryetari i shoqatës së peshkimit, Klodian Kapiti.

Të gjitha problematikat që vuan sot sektori i peshkimit, ai i lidh me mungesën e kantierit detar prej disa vitesh në portin e Durrësit, një prej më të rëndësishmëve të rajonit.

Sipas Kapitit, mungesa e një kantieri detar në Portin e Durrësit po çon drejt shkatërrimit flotën qindravjeçare të peshkimit, anijet e të cilës kanë nevojë për riparim urgjent sepse ndodhen në një gjendje të rëndë fizike. Ai theksoi se situata është alarmante dhe nëse nuk merren masa urgjente për ngritjen e një kantieri detar, flota e peshkimit do të shkatërrohet plotësisht.

“Të gjitha problemet e peshkimit lidhen drejtpërdrejtë me mungesën e kantierit detar, i cili shërben për riparimin e anijeve. Vetëm tre-katër vitet e fundit kanë dalë jashtë përdorimit mbi 50 mjete lundrimi, pasi këto anije nuk kanë ku të riparohen. Prej disa vitesh anijet e peshkimit lundrojnë me qindra milje për të riparuar defektet në shtetet fqinje si Itali apo Rumania, por jo të gjithë e kanë mundësinë për të kryer serviset e anijeve jashtë vendit. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e anijeve, të cilat kanë nevojë për riparim, të qëndrojnë në tako dhe të mos zhvillojnë aktivitetin e tyre të përditshëm, pasi nëse marrin përsipër të nisen për lundrim, rrezikojnë seriozisht të mbyten”, shtoi më tej Kapiti.LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura