Peshk

Jul 22, 2018 | 13:01
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

tupe

Sigurisht që nuk kam ndër mend t’i lodh sot lexueset e lexuesit e mi me përkufizimet dhe me shprehjet frazeologjike të fjalës “peshk” që ata mund t’i gjejnë fare lehtë në fjalorët e gjuhës  shqipe. Thjesht, do të marr dy proverba ku figuron fjala “peshk” sa për të ilustruar konkretisht, në mënyrë krejt të paanshme, se çfarë mund të quhet shpifje në shoqërinë tonë ende problematike të këtij fillimshekulli të trazuar.

Kështu, të gjitha e të gjithë e dinë se normalisht thuhet e shkruhet që “peshku i madh ha të voglin”, por askush deri tani nuk e ka vrarë mendjen për të kuptuar se në këtë rast kemi të bëjmë, në Shqipërinë tonë çmendurisht demokratike, me një shpifje nga më të ulëtat e, si pasojë, nga më të padurueshmet. Por përpara se ta vërtetojmë këtë, le të përcaktojmë cilët janë te ne peshqit e mëdhenj dhe cilët peshqit e vegjël. Figurativisht, peshqit e mëdhenj i përkasin një kategorie të vuajtur e të përvuajtur, në gjirin e së cilës duhen renditur objektivisht e subjektivisht, përveç oligarkëve filantropë, qeveritarët tanë skajshmërisht vetëmohues dhe sidomos kreu i tyre që jetojnë e punojnë vetëm për popullin tonë të bindur deri në madhështi, pa harruar radhët e gjykatësve e të prokurorëve, viktima të pafajshme të një vetingu hakmarrës të pamëshirshëm, pa harruar narkobamirësit që mendjen e kanë vetëm te zhvillimi i shpejtë i vendit e i shoqërisë sonë për ta kthyer atë në një parajsë të mirëfilltë. Rrjedhimisht, të paktën në atdheun tonë të dashur socialkapitalist, janë peshqit e vegjël ata që po ua nxijnë jetën të mëdhenjve, që po ua hanë shpirtin, që po u nxjerrin lloj-lloj pengesash në punën e tyre fisnike për të mirën e popullit punonjës. Pikërisht në këtë kategori përfshihen, përveç disa opozitarëve patologjikë, gazetarëve mistrecë e intelektualëve grindavecë, tërë ata që nuk duan t’i pranojnë sakrificat e detyrueshme, por të domosdoshme, që vendi ynë të kthehet në një kopsht ku të lulëzojnë të panumërta, të rrethuara nga gjelbërimi bujar i kanabis sativas, kullat kryelarta deri në qiell e të tjera mrekulli falë koncesioneve shpëtimtare, ndër të tjera! Pse, vetëm qeveritarët tanë, Kryeministri ynë, Presidenti i Republikës e shpurat e tyre ta shtrëngojnë rripin, të drobiten e të dobësohen duke iu përkushtuar të tashmes së ndritur dhe të ardhmes verbuese të brezave të rinj? Pse vetëm ata të rraskapiten, të shkalafiten e të shkalafenden për realizuar më në fund aspiratat e idealet kombëtare e ndërkombëtare të shqiptarëve në shekuj?

Nga ana tjetër, një tjetër proverb që është përdorur e, mjerisht, vijon të përdoret rëndom, por që përbën gjithashtu një shpifje nga më të ulëtat e, si pasojë, nga më të padurueshmet, është “Peshku qelbet nga koka”. A nuk duket e përbindshme një mendësi e tillë? Si është e mundur që të pranohet pa pikë përgjegjësie një proverb i këtij lloji të ndyrë në fjalorët e gjuhës shqipe e në komunikimin e përditshëm midis shqiptarëve brenda e jashtë vendit? Pra, sipas këtij proverbi të llahtarshëm, i bie që qeveria po qelbet nga koka, d.m.th. duke nisur nga kreu i saj zoti Edi Rama! I bie gjithashtu që, në çdo dikaster ministror, qelbja të ketë filluar nga kreu i tij! Jo, absolutisht jo, kjo nuk mund të vazhdojë kështu! Mjaft, mjaft, tri herë mjaft! Skandal, skandal, tri herë skandal! Qeveria duhet të marrë urgjentisht të gjitha masat që Akademia e Shkencave, nëpërmjet Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, ta zhdukë nga fjalorët tanë proverbin subversiv “Peshku qelbet nga koka”! Përveç kësaj, Ministria e Arsimit duhet të veprojë me ngut për pastrimin e teksteve shkollore nga ky proverb helmatisës dhe t’ua ndalojë rreptësisht mësuesve përdorimin e tij! Nën shembullin e saj, edhe Ministria e Kulturës duhet t’u japë pa vonesë një urdhër të prerë tërë bibliotekave të vendit që të fshihet proverbi në fjalë nga gjithë krijimtaria letrare e vendit ndër shekuj! Gjuhëtarët e leksikografët tanë, gazetarët e shkrimtarët, poetë apo prozatorë qofshin, të gjithë duhet tash e tutje, me vullnetin e tyre të lirë dhe me urdhër kryeministror e akademik njëherazi, të përdorin, me shkrim apo me gojë, proverbin “Peshku qelbet nga bishti”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura