Pesë Yje për 5 Yjet!

Nov 21, 2017 | 11:04
SHPËRNDAJE

ermal telhaERMAL TELHA

Në debatin e gjerë të paketës fiskale dhe buxhetit të vitit 2018, jo pak vëmendje ka marrë edhe plani i favorizimit të investitorëve në hoteleri të standardit me 5 yje, të cilët deri tani mungojnë në Shqipëri. Për këtë çështje janë ngritur hipoteza nga më të ndryshmet apo konspiracione të guximshme. Për të qenë konkret dua të ndalem në një analizë të shkurtër për disa prej argumenteve më të artikuluara për situatën në fjalë.

1. Akuzohet se me favorizimin e këtyre investitorëve do të pastrohen paratë e drogës. Procesi i pastrimit të parave si fillim nuk favorizohet nga heqja e taksave, sepse nuk është aspak problem sistemi fiskal për ata që duan të pastrojnë para. Investimet e tilla nuk do të bëhen dhe nuk mund të bëhen nga njerëz anonimë, por nga emra të mirënjohur të kësaj industrie në mbarë botën, bilancet dhe reputacionet e të cilëve i njeh kushdo, nga organet ligjzbatuese e deri te shtypi.

Edhe investitorët shqiptarë, të cilët do rriskojnë për t’u bërë pjesë e hotelerisë luksoze, janë lehtësisht të verifikueshëm duke analizuar kapitalet e tyre, planin e biznesit dhe investimit, historikun e krijimit të kapitaleve financiare dhe ligjshmërinë e tyre. Hotelet luksoze nuk do të ndërtohen duke shkarkuar bagazhet apo kroskotet me miliona euro të trafikantëve apo evazionistëve. Këtu nuk besoj se ngelet ndonjë hije dyshimi.

2. Anatemohet konkurrenca e ndershme me operatorët ekzistues. Ky është një tjetër argument që nuk ka bazë logjike, pasi sektori i turizmit në Shqipëri nuk e ka ende të mundshëm këtë standard akomodimi, me disa përjashtime të vogla investimesh të kohëve të fundit, nëpërmjet të cilëve nuk arrijmë dot të identifikohemi si atraksion turistik elitar. Hotelet me 5 Yje që do të ndërtohen do të sjellin një fluks tjetër turistësh në Shqipëri, atë fluks që deri më sot ka munguar ose ka qenë rastësor, pra qartësisht nuk do konkurrojnë fare me operatorët vendas, por me ata fqinj në Greqi, Mal të Zi, Kroaci apo edhe Turqi.

Për ekonominë tonë kjo është një vlerë e shtuar, pasi ky qarkullim ekonomik do të sjellë më shumë kapital në tregun tonë të brendshëm, më shumë punonjës të mirëpaguar në këto resorte dhe shfrytëzim më të mirë të hapësirës ende të papërdorur. Këto investime rrisin edhe mundësinë që ekonomia jonë të orientohet drejt turizmit, pse jo edhe bujqësisë në shërbim të tij dhe jo Industrisë së rëndë apo Inceneratorëve. Dhomat e shtëpive të fshatrave të bregut apo hotelet modeste nuk cenohen nga kjo skemë, pasi nuk rrezikohen aspak nga humbja e klientelës. Shtresa e varfër dhe ajo e mesme, sikundër në të gjithë botën, nuk frekuenton dot hotelet me 5 Yje. Thënë ndryshe, hotelet me 5 Yje do të mbushin boshllëkun që ne kemi në këtë drejtim.

3. Dëmtimi i Buxhetit të shtetit meqë do përjashtohen nga taksa e infrastrukturës dhe tvsh për 10 vite. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Investimet, si ato konkrete në ndërtimin e këtyre njësive akomoduese luksoze, ashtu edhe ato në përmirësimin e infrastrukturës tokësore, ajrore e detare, do të gjenerojnë punësim dhe rritje të aktivitetit ekonomik të Kompanive shqiptare, për rrjedhojë edhe rritje të të ardhurave në Buxhetin e shtetit. Resortet janë investime afatgjata dhe do të mbeten asete për Shqipërinë në dekada, duke e kthyer drejt nesh vëmendjen e gjithë botës, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për cilësinë e shërbimeve apo akomodimin.

Punëtorët që do punojnë për ndërtimin e hoteleve nuk do vijnë nga jashtë, por do të jenë shqiptarë. Çimentoja, hekuri apo tullat nuk do të merren nga jashtë, por në tregun vendas. Materialet ndihmëse të ndërtimit, sigurisht që nuk do të merren nga jashtë, sepse ka mjaftueshëm Kompani shqiptare që i ofrojnë me cilësi të lartë dhe çmime më të mira. A nuk është ky kontribut për ekonominë tonë?! A nuk stimulohet zbutja e papunësisë dhe rritja e fuqisë blerëse të konsumatorëve kështu?!

Ne nuk jemi të parët, por ndoshta jemi ndër të fundit që po favorizojmë ardhjen e emrave të njohur të hotelerisë botërore, kontributi i të cilëve do na bëjë më shpejt të njohur në sytë e një grupi turistësh, të cilët nuk i thithim dot me kushtet aktuale. Mali i Zi, Kroacia dhe Greqia janë shumë vite para nesh në këtë drejtim dhe sot i njeh gjithë bota edhe për këtë standard. Të gjithë jemi dëshmitarë që shumë shqiptarë në gjendje ekonomike të favorshme, shfrytëzojnë resortet e panumërta të vendeve të mësipërme, sidomos të Turqisë.

Për ta mbyllur argumentin me Turqinë, e cila është kthyer në magnet turistësh nga e gjithë bota, jo për shkak se e ka detin apo pozitën gjeografike më të mirë se ne, por për shkak të investimeve që janë kryer. Qeveria turke, jo vetëm që ka favorizuar në drejtim të taksimit investitorët potencialë të standardit me 5 yje për 10 – 20 vjet, por u ka ofruar edhe hapësirën tokësore dhe detare pa asnjë detyrim, vetëm e vetëm që industria e turizmit të rritet.

Rezultatet po i shohim çdo sezon, gjithnjë e më shumë shqiptarë i drejtohen Antalyas, sepse ofron më shumë e më mirë sesa ne. Ne i kemi të gjitha mundësitë të shndërrohemi në zgjedhje të parë për turizmin elitar, pa diskutim edhe të përmirësohemi shumë në atë mesatar e familjar.

Që Saranda, Vlora, Dhërmiu të bëhen si Antalya, Mykonos, Santorini, Budva apo Dubrovniku, duhet të motivojmë ardhjen e Gjigandëve botërorë të turizmit nëpërmjet favorizimit të tyre, që më pas reputacioni i tyre të na shndërrojë në magnet për turistët nga e gjithë bota. Për këto argumente e shumë të tjera, do t’i jepja 5 Yje strategjisë së thithjes së investimeve me 5 Yje!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura