“Pesë djelmoshat” rrëfejnë sekretet familjare në Teatrin Kombëtar

Feb 15, 2017 | 14:16
SHPËRNDAJE

Ata janë mes moshës 10-11 vjeç. U pëlqen të luajnë në “play-station”, të luajnë rolin e “Superman”- it apo Njeriut të Hekurt…

Aktori Helidon Fino
Aktori Helidon Fino

E kanë të qartë se çfarë u pëlqen e çfarë jo, dinë madje dhe se çfarë do të bëhen kur të rriten, dhe dashje pa dashje reflektojnë në karakteret e tyre shenjat që kanë lënë historitë familjare. “Pesë djelmoshat”, kështu titullohet vepra më e re që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar.

Një projekt privat, i mbështetur nga Bashkia Tiranë dhe “Digitalb”. Vepra e autores sllovene, Simona Semenic, vjen si një sfidë personale e aktorit Helidon Fino, i cili këtë herë, ka “hequr dorë” nga kryerolet për të qëndruar prapa kuintave, si regjisor. Nxitja për vënien e saj në skenë ka ardhur gjatë aktivitetit “My name is Ballkan”, kushtuar teatrit bashkëkohor ballkanik, zhvilluar në Tiranë disa muaj më parë.

Aktorët e komedisë “5 djelmoshat"
Aktorët e komedisë “5 djelmoshat”

Për të luajtur 5 fëmijët, Fino ka zgjedhur pa dyshim 5 të rritur, të cilët duke luajtur “kalamajash” do thonë ca të vërteta të rriturish. Aktorët e përzgjedhur janë Dritan Boriçi, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Gent Hazizi dhe Genti Deçka. Ata do të luajnë në një skenografi dhe me kostumografi, të një prej emrave më të suksesshëm të momentit, Berina Kokona, e cila arrin t’i bëjë kostumet “të flasin”, të jenë faktorë në skenë, të mos kalojnë pa u vënë re.

Jo se e ka qëllim në vetvete “të rënit në sy”, por ato janë thuajse gjithmonë të goditura. Për të shndërruar ca të rritur në fëmijë, që do luajnë me makina, apo do të vihen në rolin e prindërve të tyre, një rol të rëndësishëm luan plastika, për të cilën është punuar nën drejtimin e Ema Andreas. Kjo vepër do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar në datën 24 shkurt.

3

VEPRA

“Pesë djelmoshat” është vepra që e ka bërë të njohur autoren (ditëlindja 1975). Ajo ka përzgjedhur një mënyrë jo të zakontë për të prekur ca tema të së përditshmes. Në qendër të veprës janë pesë djelmosha, 10 dhe 11 vjeç (Blaise, George, Denis, Vitus dhe Christopher, emra që sipas vetë autores janë marrë nga shenjtorë e martirë katolikë). Ata janë shokë që vijnë nga familje me historitë e veta. Dikush jeton me gjyshërit dhe nuk e ka njohur kurrë të atin, një tjetër jeton me të atin, se e ëma i ka vdekur, apo i ka prindërit pak të vjetër në moshë.

Dikujt i pëlqen “play-station”, një tjetri muzika, filmat, e kështu me radhë… Ata kanë takimet e tyre të fshehta në një shtëpi të braktisur pranë shkollës, ku luajnë, zihen dhe në një mënyrë apo në një tjetër tregojnë problemet e familjeve të tyre.

Çdo të shtunë mbrëma, të çliruar nga detyrimet shkollore, ata luajnë “shtëpijash”, duke u vendosur në rolet e prindërve të tyre apo vëllezërve e motrave më të mëdhenj apo më të vegjël.

Përmes një këndvështrimi fëminor, në komedinë “5 djelmoshat” trajtohen tema si marrëdhënia prindër-fëmijë, burrë-grua, dhuna në familje etj. Të gjitha këto janë ngulitur në kujtesën e secilit dhe zbërthehen përmes lojërave që ndërmarrin të pestë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura