“Pesë djelmoshat”, Helidon Fino: Pse provova regjinë

Mar 1, 2017 | 14:10
SHPËRNDAJE

Reklamimet e para të shfaqjes që është duke u vënë këto ditë në skenën e Teatrit Kombëtar, me siguri që kanë ngatërruar jo pak njerëz.

Aktori dhe regjisori i shfaqjes “5 djelmoshat”, Helidon Fino
Aktori dhe regjisori i shfaqjes “5 djelmoshat”, Helidon Fino

Emri i aktorit Helidon Fino në statusin e regjisorit nuk ishte parë në asnjë shfaqje të mëparshme. “5 djelmoshat”, në fakt, ishte përvoja e tij e parë pas skene. Nuk i dha vetes asnjë nga rolet e djemve, ama i shijoi, zhvilloi e luajti të 5-të, sikur të kishte luajtur secilin. Ata janë mes moshës 10-11 vjeç. U pëlqen të luajnë në “play-station”, të luajnë rolin e “Superman”-it apo “Njeriut të Hekurt”…

Nga shfaqja “5 djelmoshat”
Nga shfaqja
“5 djelmoshat”

E kanë të qartë se çfarë u pëlqen e çfarë jo, dinë madje dhe se çfarë do të bëhen kur të rriten, dhe dashje pa dashje reflektojnë në karakteret e tyre shenjat që kanë lënë historitë familjare.

Ka qenë një projekt privat, i mbështetur nga Bashkia Tiranë dhe “Digitalb”. Vepra e autores sllovene, Simona Semenic, vjen si një sfidë personale e aktorit Helidon Fino. Nxitja për vënien e saj në skenë ka ardhur gjatë aktivitetit “My name is Ballkan”, kushtuar teatrit bashkëkohor ballkanik, zhvilluar në Tiranë disa muaj më parë.

pese djelomasht22

Për të luajtur 5 fëmijët, Fino ka zgjedhur pa dyshim 5 të rritur, të cilët duke luajtur “kalamajsh”, do të thonë ca të vërteta të rriturish. Aktorët e përzgjedhur janë Dritan Boriçi, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Gent Hazizi dhe Genti Deçka.

Ata do të luajnë në një skenografi dhe me kostumografi të një prej emrave më të suksesshëm të momentit, Berina Kokona, e cila arrin t’i bëjë kostumet të flasin, të jenë faktorë në skenë, të mos kalojnë pa u vënë re.

Ajo që do të donin të dinin lexuesit, përpara së gjithash, është se përse një aktor rolesh të mira zgjedh të qëndrojë, në një moment të caktuar, pas skene, duke zgjedhur regjinë?

Është e vërtetë që kam qenë gjithë kohën në skenë me një gamë të gjerë rolesh, që kanë nisur këtu e 22 vite më parë. Prandaj, detyrimisht, sipas iniciativës që mora për të bërë këtë regji, duhej të qëndroja “pas skenës”. Dhe, jo sepse kam braktisur skenën, aspak, përkundrazi, ishte një pozicion që zgjodha dhe për faktin që më kishte mbetur dhe një pikë e rëndësishme për ta parë aktorin, nga ky këndvështrim, pozicion, për ta zbërthyer më mirë veten dhe aktrimin, dhe kam akoma punë me veten në këtë drejtim, pra lidhur me aktrimin.

pese djelmoshat foto1

Keni pasur përvoja të mëparshme regjisoriale dhe nëse jo, si ka qenë kjo herë e parë, nëse do të bënim një krahasim me punën aktoriale?

Kjo është hera e parë që e mora këtë iniciativë dhe kjo ishte një përvojë ku unë jam munduar të mbledh dhe përmbledh pjesë të vëmendjes, imagjinatës a dëshirës për gjëra të pathëna si aktor, dhe mënyrës se si unë e kam parë regjinë nga pozicioni i aktorit, që mbase dhe shpesh kam bërë rezistencë jo të nevojshme. Kisha shumë nevojë që eksperiencës sime si aktor t’i realizoja dhe këtë pikëpyetje, d.m.th., ta shihja veten nga pozicioni që një regjisor sheh aktorin. Duhet ta them që kam mjaft punë me veten, ende.

Nuk u tunduat fare që të vendosnit veten, përveç regjisë, në vendin e njërit prej 5 djelmoshave?

Nuk jam tunduar, sepse e kam realizuar. Dua të them, përderisa kam punuar me të pesta rolet njëkohësisht, e kam derdhur edhe dëshirën për të qenë secili prej tyre, të gjitha rolet i doja dhe të gjitha i bëra me mënyrën time dhe falënderoj edhe të pestë aktorët nga kjo pikëpamje. Më e rëndësishmja në parimin tim, edhe pse jam aktor, është se regjia duhet të ndahet nga dëshira për të luajtur një personazh në skenë.

Përse e zgjodhët këtë pjesë, “5 djelmoshat”?

Kjo vepër më ngacmoi për dy arsye: e para sepse prek një fenomen shumë të rëndësishëm socialo -shoqërorofamiljar, që është pasqyrimi i problematikave të të rriturve, prindërve, që projektojmë te fëmijët tanë e që nesër kthehen në bumerang, jo vetëm për ne, por edhe për të ardhmen e tyre. Fakti tjetër që më tërhoqi ishte për shkak se është një vepër e panjohur për informacionin tonë të gjerë publik dhe doja të provoja veten “të klonoja” një vënie nga zeroja.

Tashmë ju jeni drejt fundit të kësaj përvoje, janë dhënë disa shfaqje, ndërsa disa të tjera priten të vihen sërish. Varësisht edhe reagimit të publikut, si ka qenë e gjitha? Si ndryshon përjetimi i aktorit nga ai i regjisorit?

Pritshmërinë e përcakton publiku me emocionet e tyre dhe profesionistët me analizat e tyre. Përjetimi i një krijuesi është i fortë e nuk ndalon, qoftë si aktor, qoftë si regjisor. Unë nuk mendoj që ndryshon shumë në këtë aspekt, thjesht rritet në bazë të përgjegjshmërisë, të “kryefjalës” që ke marrë përsipër të thuash.

A ka rrezik t’ju ketë shijuar kaq shumë, sa të mendoni të vini sërish si regjisor, në një shfaqje të ardhshme?

Unë e kam shijuar procesin mjaft dhe kam derdhur energji të sinqertë, dhe këtë e konfirmoj me ndershmëri profesionale, pa folur për produktin, se kjo mbetet në gjykim, dhe jo vetëm unë, por dhe të gjithë “djelmoshat”: Dritan Boriçi, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Gent Hazizi, Genti Decka, Berina Kokona që ka bërë kostumet dhe skenën, Ema Andrea që është marrë me plastikën, Kliton Zguri që ka qenë konsulenti psikolog dhe Algiana Aga as.regjisorja. Besoj që jemi të lumtur të gjithë dhe ndihemi mirë në atmosferën e krijuar në Teatrin Kombëtar. Sigurisht që më ka shijuar, por për projektin e radhës ende nuk kam menduar.

ANI JAUPAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura