Pesë arsye se pse Facebook-u duhet të shqetësohet pas informacioneve të rrjedhura

Oct 27, 2021 | 21:39
SHPËRNDAJE

Javët e fundit kanë qenë të vështira për gjigantin e medias sociale, Facebook-un, pas një serie zbulimesh të bëra publike nga një sinjalizuese, që tregojnë se kompania e dinte se platforma e saj kryesore po përkeqësonte të gjitha llojet e problemeve sociale në mbarë globin, nga trafikimi i qenieve njerëzore tek dhuna sektare.

fb2

Zbulimet e reja këtë javë kanë treguar se angazhimi i supozuar i kompanisë për lirinë e shprehjes trajtohet si diçka e parëndësishme, kur qeveri shtypëse, si ajo e Vietnamit, kërkonin që disidentëve t’u mbyllej goja. Ato treguan se Facebook-u e dinte se algoritmet e tij i orientonin përdoruesit drejt përmbajtjeve ekstreme, të tilla si teoritë e konspiracionit të lëvizjes së krahut të djathtë ekstrem QAnon dhe tek pretendimet e rreme kundër vaksinave, por megjithatë kompania ndërmori pak veprime për ta zgjidhur problemin.

Në deklarata dhënë mediave të ndryshme, kompania u ka dalë në mbrojtje veprimeve të saj, duke thënë se ka vënë në dispozicion burime të mëdha në garantimin e sigurisë në platformën e saj, duke shtuar se shumë nga informacionet që u janë dhënë gazetarëve e zyrtarëve qeveritarë, janë nxjerrë jashtë kontekstit.

Në një telekonferencë të hënën, ku po diskutohej rreth të ardhurave tremujore të kompanisë, shefi ekzekutiv i Facebook-ut Mark Zuckerberg pohoi se së fudmi media po pasqyron një pamje të pavërtetë të kompanisë së tij.

“Kritikat me bazë të shëndoshë na ndihmojmë të përmirësohemi”, tha zoti Zuckerberg. “Por pikëpamja ime është se ajo që ne po shohim është një përpjekje e koordinuar për të përdorur në mënyrë selektive dokumente të rrjedhura për të ofruar një panoramë të rreme mbi kompaninë sonë. Realiteti është se ne kemi një qasje të hapur, ku inkurajojmë diskutimin dhe kërkimin rreth asaj që bëjmë, në mënyrë që të mund të shënojmë përparim në shumë çështje komplekse që nuk janë specifike vetëm për ne”.

Dokumentet e publikuara, si dhe disa sfida të kompanisë që nuk lidhen me to, nënkuptojnë se Facebook-u, i cili gjithashtu ka në zotërim edhe Instagramin dhe shërbimin e mesazheve WhatsApp, ka shumë arsye për t’u shqetësuar në javët dhe muajt e ardhshëm. Dhe ja cilat janë pesë arsyet kryesore.

Një hetim i mundshëm nga Komisioni i Letrave me Vlerë

Sinjalizuesja Frances Haugen, një ish-menaxhere e kompanisë, u dorëzoi muajin e kaluar ligjvënësve dhe gazetarëve mijëra faqe dokumente, çka nxiti një valë shkrimesh mediatike rreth praktikave të kompanisë. Por dokumentet shkuan edhe në Komisionin e Letrave me Vlerë, duke hedhur bazat për një hetim federal të kompanisë.

Zonja Haugen pretendon se dokumentet ofrojnë prova se kompania ka fshehur informacione që mund të kenë ndikuar në vendimet e investitorëve për blerjen e aksioneve të Facebook-ut. Ndër të tjera, ajo thotë se dokumentet tregojnë se Facebook-u e dinte se numri i përdoruesve të tij aktual, një instrument kyç për matjen e aftësisë së tij për të ofruar reklama nga të cilat varen dhe fitimet e kompanisë, ishte më i ulët krahasuar me atë që raportohej.

Komisioni i Letrave me Vlerë nuk ka dhënë sinjale nëse do të nisë një hetim mbi kompaninë dhe një akuzë për praktika mashtruese në tregjet e aksioneve do të ishte e vështirë të provohej, e do të kërkonte prova se drejtuesit e kompanisë në mënyrë aktive dhe me vetëdije i kishin mashtruar investitorët. Por hetimi në vetvete mund të ishte i dëmshëm për imazhin e kompanisë tashmë të dëmtuar.

Në një deklaratë dhënë mediave të ndryshme, një zëdhënës i Facebook-ut tha se: “Ne i japim informacione të gjera Komisionit të Letrave me Vlerë në lidhje me sfidat me të cilat përballemi, përfshirë angazhimin e përdoruesve, gjykimin që bëjmë mbi llogaritë e dyfishta dhe ato të rreme si dhe mbrotjen e platformës sonë nga ata që duan ta përdorin për të dëmtuar të tjerët. Të gjitha këto çështje njihen dhe debatohen gjerësisht në industri, në mesin e akademikëve dhe në media. Ne kemi besim se informacionet që ne ofrojmë u japin investitorëve atë çka u nevojitet për të marrë vendime të informuara”.

Padi lidhur me monopolet

Facebook-u është paditur tashmë nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), i cili pretendon se kompania ka monopolin në tregun e mediave sociale. Agjencia ka kërkuar që tre platformat kryesore të saj përfshirë Instagram-in dhe WhatsApp-in, të ndahen.

Facebook ka pohuar publikisht se nuk gëzon monopol, por dokumentet e brendshme të vëna në dispozicion nga zonja Haugen tregojnë se kompania e di se është jashtzakonisht mbizotëruese në disa zona, duke i dhënë potencialisht FTC-së “municione” shtesë në përpjekjet për të bindur një gjykatës federal që ta shpërbëjë kompaninë.

Veprimet legjislative

Megjithëse gjatë këtyre ditëve ligjvënësit në Kongres kanë treguar se nuk bie dakord për shumë çështje, dëshmia e zonjës Haugen në një seancë dëgjimore muajin e kaluar ngjalli zemërim dypartiak ndaj Facebookut, veçanërisht rreth zbulimeve se kompania ka qenë prej kohësh në dijeni se Instagrami është i dëmshëm për shëndetin mendor të shumë përdoruesve adoleshentë, veçanërisht vajzave.

Që nga ai moment janë paraqitur disa nisma ligjore, përfshirë një propozim për të krijuar një “bord vlerësimi të aplikacioneve” që do të vendoste kritere moshe e përmbajtjeje për përdorimin e aplikacioneve në internet.

Nisma të tjera ligjote synojnë t’i bëjnë kompanitë e medias sociale sikurse Facebook-u, përgjegjëse për dëmin e shkaktuar nga informacioni i rremë që qarkullon në platformë, ose t’i detyrojnë kompaninë të ofrojë mbrojtje më të fortë mbi privatësisë e t’u japin përdoruesve të drejtën për të kontrolluar përhapjen e përmbajtjes që lidhet me ta.

Ramya Krishnan, një avokate në Institutin “Knight First Amendment” “Kalorësi i Amendamentit të Parë” dhe profesoreshë në Fakultetin Juridik të Kolumbias, është një prej shumë akademikëve që kanë ushtruar trysni që ligjvënësit të kërkojnë nga Facebook-u e platforma të tjera të medias sociale, që t’u lejojnë studiuesve dhe gazetarëve qasje më të mirë tek të dhënat lidhur me audiencën dhe angazhimin e tyre.

“Ne kemi parë një interes të shtuar mes ligjvënësve dhe enteve rregullatore për zgjerimin e hapësirës për kërkime dhe gazetari të përqëndruar tek platforma, duke patur parasysh se rregullimi në mënyrë efektive i platformave kërkon që ne të kuptojmë më mirë ndikimin që ato kanë në shoqëri dhe demokraci”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Mospajtimi i brendshëm

Një nga gjërat që bie në sy në lidhje me dokumentet e publikuara këtë javë është zemërimi i madh i krijuar brenda Facebook-ut mbi imazhin publik të kompanisë. Informacionet e publikuara përfshijnë një sërë mesazhesh të brendshme e komunikime të tjera, në të cilat punonjësit e Facebook-ut ankohen për mungesën gatishmërisë së kompanisë për të kontrolluar përmbajtjen në faqe.

“Po mundohem të përputh vlerat e mia me punën këtu”, shkruante një punonjëse lidhur me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar, i cili u organizua pjesërisht në Facebook. “Erdha këtu duke shpresuar të bëj ndryshime dhe të përmirësoj shoqërinë, por gjithçka që kam parë është atrofizim dhe heqje dorë nga përgjegjësitë”.

Dokumentet tregojnë se kompania po humb punonjës, veçanërisht ata të akuzuar për luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, sepse ata nuk besojnë se përpjekjet e tyre kanë mbështetjen e menaxhmentit.

Bojkoti nga kompanitë reklamuesve

Vitin e kaluar, Lidhja Anti-Shpifje organizoi një fushatë për të ushtruar trysni ndaj kompanive në mënyrë që t’i ndalin reklamat e tyre në Facebook në shenjë proteste ndaj dështimit të saj për të eliminuar retorikën e urrejtjes në platformë. Në një deklaratë për “Zërin e Amerikës” Jonathan A. Greenblatt, drejtor ekzekutiv i grupit, tha se po përgatitet ta bëjë këtë sërish këtë gjë.

“Mark Zuckerberg kërkon që ju të besoni se Facebook-u po bën gjithçka që është e mundur për të trajtuar problemet e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit”, thotë zoti Greenblatt. “Tani ne e dimë të vërtetën: Ai ishte i vetëdijshëm për atë që po ndodhte dhe zgjodhi të injoronte rekomandimet e analistëve të brendshëm dhe nuk bëri asgjë. Ne do të bëjmë diçka lidhur me këtë, sepse realisht, kanë humbur jetë njerëzish, atyre u është mbyllur goja apo janë vrarë, si rezultat i drejtpërdrejtë i neglizhencës nga ana e Facebook-ut”.

“Ne po zhvillojmë bisedime për të përcaktuar se cila është mënyra më e mirë për të sjellë ndryshime reale në Facebook, qoftë në aspektin e politikëbërjes, përgjegjësisë së aksionerëve apo reklamuesve”, shtoi ai më tej. “Por mos gaboni: Ne e kemi sfiduar me sukses më parë makinën e urrejtjes dhe dezinformimit të Facebook-ut dhe nuk kemi frikë ta bëjmë sërish. Është koha për ta frenuar këtë kompani mashtruese dhe produktet e saj të dëmshme”. /VOA/

© Panorama.al

Te lidhura