Përzhita: Arkeologjia, zero buxhet për projekte

May 21, 2015 | 15:14
SHPËRNDAJE


Më shumë se 100 arkeologë e studiues nga vende të ndryshme të Europës janë mbledhur në Tiranë në Konferencën VI Ndërkombëtare “Iliria e Jugut dhe Epiri në Antikitet”.

Kjo është hera e parë që ky aktivitet zhvillohet në Shqipëri. Por ndërsa këto ditë flitet për kërkime, rezultate, zbulime të reja, Instituti Shqiptar i Arkeologjisë e ka të pamundur të paraqesë rezultatet e një kërkimi apo tematike të pavarur nga një bashkëpunëtor i huaj, sepse buxheti për projekte i këtij institucioni është zero. Drejtori i IA, Luan Përzhita, rendit disa nga problemet që vuan arkeologjia dhe trashëgimia kulturore shqiptare në përgjithësi, që janë fondet e munguara dhe copëzimi i përgjegjësive nën çatinë e shumë institucioneve.

Dhjetëra arkeologë nga vende të ndryshme të Europës janë mbledhur në Tiranë, ç’sjell kjo konferencë?

Këto ditë po zhvillohet një nga aktivitetet më të mëdha të arkeologjisë, jo vetëm për Shqipërinë, por në rang ndërkombëtar, pasi marrin pjesë rreth 100 studiues të huaj nga Europa e më gjerë. Tema e kumtesave të tyre lidhet me Ilirinë e Jugut dhe Epirin. Kjo është Konferenca VI ndërkombëtare që zhvillohet, por hera e parë që mbahet në Tiranë. Janë këtu profesorë të shquar të arkeologjisë, historisë, etnografisë, numizmatikës, antropologjisë e fushave të tjera ndihmëse, që merren me studime të thelluara të trashëgimisë së Ilirisë së Jugut dhe Epirit, të cilët do të mbajnë kumtesat e tyre.

Cilat janë projektet e reja që ka ndërmarrë Instituti i Arkeologjisë?

Projektet i kemi dorëzuar që në 25 shkurt 2015 dhe tani jemi në fund të majit dhe nuk kemi asnjë përgjigje nga sekretaria teknike e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Jo rrallë janë vënë re përplasje apo dublim mes institucioneve që merren me trashëgiminë materiale kulturore, si i keni ndarë punët mes tuaj?

Arkeologjia ka shumë probleme në lidhje me ecurinë dhe punën kërkimore që bëjmë në terren, por edhe punën studimore. Ligji i vitit 2007 ia hoqi muzeumet Institutit të Arkeologjisë dhe ia kaloi Ministrisë së Kulturës për menaxhim, dhe sot muzetë arkeologjikë janë në varësi të MK apo DRKK në site të ndryshme arkeologjike. Po ashtu u krijua dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, që ka si detyrë dhe funksion të merret me gërmimet e riskut, që kanë të bëjnë me ruajtjen e siteve arkeologjike gjatë punimeve për vepra të ndryshme industriale ose ekonomike, ndërsa IA ka për detyrë kërkimin shkencor dhe publikimin e tyre. Ne jemi institucion brenda Qendrës Studimore Albanologjike, që deri tani ka qenë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Me ligjin e ri, ne nuk jemi më në varësi të MAS dhe nuk e dimë se si do bëhet. Na kanë thënë që mund të bëhet një ligj i ri për kërkimin shkencor.

A krijon kjo ndarje probleme në punën tuaj?

Ky copëzim nuk sjell asgjë të mirë, pasi do të thotë copëzimin e përgjithësive. Muzetë arkeologjikë janë në varësi të IMK ose MK, por ata nuk kanë varësi fondet arkeologjike që ka IA, të siteve ose gërmimeve arkeologjike. Mendoj se ka ardhur momenti që njerëzit të ulen dhe të mendojnë për këtë problem. Nuk ka nevojë që trashëgimia kulturore të jetë e ndarë në varësi të 100 institucioneve, por të jetë e unifikuar dhe të jetë e qartë se kush i ka përgjegjësitë për të. Ky copëzim është shkatërrues për trashëgiminë kulturore. Është normale të pyetet se kush i ruan sitet arkeologjike në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Këtë e ka për detyrë ta bëjë DRKK, e cila është caktuar për këtë. Por një DRKK me kaq pak njerëz që ka në varësi, e ka të pamundur të ruajë një territor kaq të gjerë.

Pra, ne duhet të mendojmë për atë që quhet mbulim territori. Shqipërisë i mungon një hartë dixhitale e siteve arkeologjike, çka do t’u vinte në ndihmë të gjithëve përpara se të hartonin projekte me karakter ndërtues, industrial apo ekonomik. Sot gjithçka bëhet së prapthi. Bëhen projektet e më pas sondazhi arkeologjik. Askush deri tani nuk është interesuar ta bëjë. E ka Kosova, ndërsa ne jo.

Është folur shumë për reformë në trashëgiminë kulturore, a e ndiejnë arkeologët këtë?

Reformë është një fjalë e madhe, kjo që u bë nga Ministria e Kulturës nuk është reformë, por një ndryshim administrativ. Të bësh reformë është tjetër gjë, jo nga 9 t’i bësh 6 drejtoritë rajonale. Reformë do të thotë që gjithçka të jetë e mbrojtur, gjithçka t’i nënshtrohet ligjshmërisë, gjithçka të ketë një vend ku të jepet llogari. Ju thashë që ky copëzim nuk i shërben askujt. Drejtoritë rajonale duhet të jenë pjesë e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe specialistët të jenë pjesë e DRKK. Asnjë drejtori rajonale nuk duhet të vuajë sot për specialistë apo për njerëz që duhet të mbrojnë sitet arkeologjike.

Vitet e fundit, një nga problemet e mëdha në sektorin tuaj ka qenë financimi, a ka Instituti i Arkeologjisë një buxhet për të mbuluar projekte, ekspedita…?

Instituti i Arkeologjisë nuk ka financa të mjaftueshme, që të realizojë pikësynimet e veta. Ne kemi vetëm një buxhet të limituar, që na mundëson marrjen në punë të disa punëtorëve sezonalë, të pakualifikuar, por nuk kemi buxhet mbështetës për arkeologët dhe studentët, që e kanë për detyrë ligjore të bëjnë praktikën në kërkimin shkencor arkeologjik, sidomos ata që i janë dedikuar fushës së arkeologjisë, trashëgimisë kulturore etj. Shumica e ekspeditave që ne ndërmarrim, janë si rezultat i bashkëpunimeve me universitetet e huaja, të cilat kanë partneritet me IA dhe, në këtë kuadër, marrin përsipër gjithë shpenzimet e tjera, ndërsa ne i vëmë në dispozicion infrastrukturën tonë. Ky është problem, sepse zbeh mundësinë e një pune të pavarur dhe të kufizon në publikimin e rezultateve. Mungesa e financimeve të shmang edhe nga disa orientime bazë, që kanë të bëjnë me kërkimet në ato fusha, që nuk mbulohen nga bashkëpunimet me të huajt. Pra, ne jemi të zbuluar në lidhje me tematika të ndryshme që arkeologët kërkojnë të ndërmarrin.

Sa është konkretisht buxheti për IA?

Ne marrim vetëm rrogat për projekte arkeologjike ne nuk kemi buxhet nga shteti, me përjashtim të një fondi të vogël, që lidhet me punonjës sezonalë që ne marrim gjatë kohës që dalim në terren për pastrime etj.

Çfarë ndodh me materialet arkeologjike, pas zbulimit të tyre, sa ekspozohen ato?

Falë kërkimeve arkeologjike, në rezervat tona kemi materiale arkeologjike me shumë vlera unikale, që do t’i vlenin shumë pasurimit të eksponateve të muzeumeve shqiptare. Për këtë, në bashkëpunim dhe me institucionet e tjera dhe Ministrinë e Kulturës, ne kemi menduar krijimin e rrjetit të muzeologjisë arkeologjike në sitet tona. Bëhet fjalë për ato site me potencial jo vetëm arkeologjik e kulturor, por edhe turistik. Këtu mund të përmend Bylisin, Dimalin, Finiqin, Shkodrën, Lezhën, të cilat si në shumë site të tjera të Mesdheut duhet të kenë muzeun e tyre që lidhet me kulturën materiale. Por nuk është vetëm kjo. Së fundmi ne kemi ngritur rrjetin e gjithë muzeve të Adriatikut, ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë, Italisë dhe Greqisë për dixhitalizimin dhe rishikimin e muzeologjisë. Është një nismë e shtetit italian, veçanërisht e provincës së Markesë, në veri të Italisë, që po krijojmë projektet për çdo vend e më pas ta paraqesim për financime në KE. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Ne numërojmë rreth 70 mijë objekte dhe deri më tani të ekspozuara janë vetëm 10 mijë syresh, pra kemi 60 mijë të paekspozuara, të cilat kërkojnë planifikim dhe strategji për ekspozimin e tyre. Por ne nuk jemi për një muze që nuk flet. Ka nevojë për guida shpjeguese. Mendojmë të fusim metodologjinë bashkëkohore interaktive në mënyrën e komunikimit, me karakter edukues për gjithë brezat e rinj. Pra, ta afrojmë muzeun dhe objektin te vizitori.

Cabanes: Shqipëria me trashëgiminë hyn në BE

Profesori dhe arkeologu francez, Pierre Cabanes, është një nga njohësit më të mirë të arkeologjisë shqiptare. Është pikërisht ai një nga themeluesit e konferencës Ndërkombëtare “Iliria e Jugut dhe Epiri në antikitet”. Sipas tij, jo vetëm përballja e kërkimeve, rezultateve, por edhe fakti që kjo konferencë zhvillohet në Shqipëri, i vlen njohjes së vendit tonë. “Pasi është zhvilluar gjithnjë në Francë, është gjë e mirë, që për herë të parë kjo konferencë zhvillohet në Tiranë, në qendrën e këtij rajoni ballkanik dhe mendoj se pjesëmarrja e studiuesve nga 14 vende të ndryshme është e rëndësishme për imazhin e Shqipërisë jashtë. Ekziston ende ideja që Shqipëria është një vend i mbyllur, që askush nuk vjen këtu, por kur vijnë, zbulojnë që është një vend shumë afër dhe i ngjashëm me Italinë, që me trashëgiminë dhe jetën e vet meriton të hyjë në Europë”, thotë Cabanes. Sipas tij, sa më shumë të njihet Shqipëria, aq më shumë të huaj do vijnë këtu dhe trashëgimia shqiptare do të hyjë në trashëgiminë europiane. Cabanes thotë se Shqipëria ka site mjaft interesante, si: Butrinti, Apollonia, Bylisi, Amantia, me rëndësi për të zbuluar dhe studiuar epokën parakristiane. “Gjatë 40 viteve të fundit, arkeologjia shqiptare ka bërë shumë përpara, kjo sepse ka pasur njerëz shumë të përkushtuar që janë kujdesur për trashëgiminë e vendit të tyre, si i ndjeri Frano Prendi, i cili iu kushtua shkencës dhe është një shembull që duhet të ndiqet edhe nga të rinjtë”, tha ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura