Përvjetori i Republikës së Korçës, Butka: Pse është ngjarje e madhe për Shqipërinë

Dec 25, 2019 | 11:03
SHPËRNDAJE

Shpallja e vetëqeverimit shqiptar të Qarkut të Korçës, më 10 dhjetor 1916, është një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë.Uran-Butka1

URAN BUTKA/ 

Përgjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u kthye në shesh lufte të fuqive europiane ndërluftuese dhe atyre ballkanike, për interesat e tyre. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914, Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës.

Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qendrore ishin pushtuar nga austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës. Italianët kishin zënë vend në Qarkun e Gjirokastrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Në tetor 1916, Ushtria franceze pushtoi Qarkun e Korçës.

Mbi ekzistencën e Shqipërisë rendonte edhe Traktati i Fshehtë i Londrës për copëtimin e Shqipërisë. Kur Ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizjeje të gjerë e të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, sepse e konsideronte pushtimin grek si më të rrezikshëm, jo vetëm se e kishin provuar gjatë viteve 1912-1914, për shovinizmin dhe me masakrat e pashembullta ndaj popullsisë, por edhe se Korça e Gjirokastra ishin përcaktuar në Traktatin e fshehtë të Londrës si territore qe do t’i jepeshin Greqisë.

Forcat patriotike të Qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin e Korçës: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët, u shtrinë prej Kamenicë gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën dhe për ta mbajtur nën kontroll.

Teqeja e Melçanit do të ishte qendër tyre e përbashkët. Nga forcat kombëtare shqiptare u përdor strategjia e marrëveshjes me francezët, nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit e imponimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës. Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel, këto kërkesa:

1) Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombiare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat. (Petro Harizi, “Histori kronologjike e Qarkut të Korçës”, 1919)

Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej dërgoi në Korçë kolonelin Dekuan me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta: “Gjenerali nuk do në Korçë as grekë të asnjë lloji, as italianë, as etatistë”.

Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau bandat e andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që, sipas tij, “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë”. Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme fjalët e Themistokliut: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë, grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal.

Vinj, pra, te ju si një njeri plotësisht lojal, kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër, veçse t’ju ndihmonj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”. Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për Qarkun e Korçës ishte ai grek. Petro Harizi, atdhetar dhe intelektual korçar, dëshmon: “Populli bëri një mbledhje në kazino, ku një shumicë e madhe e popullit vendos që të akceptohen konditat e Sali Butkës, d.m.th., të ngrihet flamuri shqiptar dhe të çelen shkollat shqipe”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”). Koloneli Dekuan i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare të Sali Butkës.

Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut, kishin forcën numerike të një batalioni francez”.

I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me komandantët shqiptarë.

“Dekuani dërgoi një komision prej qytetarësh korçarë te Sali Butka, që ja të falet dhe të merret vesh me francezët, ja të largohet nga Qarku i Korçës”, shkruan historiani i krahinës vetëqeverisëse të Korçës, Petro Harizi. Por komandanti i forcave shqiptare, Sali Butka, pranoi të bisedonte me autoritetet franceze për të mirën e Korçës e të Shqipërisë. Atëherë, koloneli Dekuan dërgoi te Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme.

Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:

1. Vetëqeverimi i kazasë së Korçës do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.

2. Flamuri zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.

3. Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.

4. Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të Lëvizjes Kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregullojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.

5. Administrata do të përbëhet nga elementë patriotë të sprovuar.

6. Gjykatorët do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.

7. Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.

8. Të mbyllen gjithë shkollat propagandistike greke

9. Postat dhe telegrafët do të varen nga administrata shqiptare

10. Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.

11. Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin.

12. Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim

13. Qeveria franceze merr detyrimin moral të përkrahë të drejtat e Shqipërisë dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta. (Historia e Shqipërisë, Tiranë 1994 dhe kronikani P.Katro).

Koloneli Dekuan i pranon në librin e tij, “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë”, propozimet e Sali Butkës dhe kthesën që bënë propozimet e tij për shpalljen e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës. “Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës.

Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja gjeneralit kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të merrte në këtë mes”. (Gjeneral Dekuan, “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë”, Paris). Koloneli Dekuan i shqyrtoi kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake, d.m.th., shqyrtoi pasojat që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij, kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Dekuan-it. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku. Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themoistokliun:

“Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë, ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”. Komandanti ushtarak Dekuan i ktheu përgjigje pozitive Sali Butkës: “Zotit Sali Butka, Komandant i luftëtarëve vullnetarë shqiptarë, Melçan Sipas instruksioneve të marra nga Kryekomandanti i Ushtrive Aleate të Lindjes, Gjenerali Sarrej, kam nderin të vë në dijeninë tuaj se komanda aleate e sheh me sy të mirë dhe e çmon lëvizjen tuaj patriotike për të drejtat e popullit shqiptar për liri dhe independencë.

Gjithashtu, mori parasysh dëshirat e shfaqura në letrën tuaj të datës 3 të këtij, të cilat i gjeti të arsyeshme dhe jam i autorizuar t’ju komunikoj pëlqimin dhe aprovimin…. Pranoni, zoti Komandant, shprehjet e konsideratës sime më të shquar. Kolonel Dekuan, Komandant i Qarkut të Korçës (Petraq Katro, “Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës”). Sali Butka u gëzua nga plotësimi i konditave të propozuara: “Zoti major,- i shkruan majorit Masjet,- jam shumë i kënaqur nga përgjigjja e zotit gjeneral dhe ju lutem t’i shkruani për mirënjohjen time të thellë, bashkë me urimet e mia për fitoren e fuqive aleate. Gjithashtu, ju lutem t’i bëni nderime zotit kolonel dhe ta siguroni mbi besnikërinë time.

Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja” (Po aty) Koloneli Dekuan së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistokliun punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqeverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës” (Dekuan, veper e cituar) Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetëqeveritare të Korçës për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nën mbrojtjen e komandës së ushtrisë franceze”. (Protokolli i 10 dhjetorit 1916).

Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordhele trengjyrëshe të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar. Dekuani e përshkruan kështu momentin kur u shpall publikisht protokolli:

“Themistokliu doli në ballkon, iu drejtua popullit me një fjalim dhe, në mes brohoritjesh, shpalosi flamurin e Skënderbeut, kravatuar me ngjyrat franceze, në vendin ku ditë më parë valonte flamuri grek”. Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë, sepse afirmonte karakterin etnik shqiptar të krahinës së Korçës dhe administrimin e saj nga shqiptarët, ishte një marrëveshje me përmbajtje politike dhe ushtarake, e arritur mbi baza pariteti dhe interesi të ndërsjellë, por me vlera kombëtare për ne, jo vetëm për në atë moment, por edhe më vonë gjatë përballjeve në Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej përfundimisht Shqipërisë.

Edhe vetë francezët ishin të interesuar për një marrëveshje të tillë. “Për të shpëtuar nga rreziku i komprometimit të gjendjes sonë në Korçë, ne duhet të bënim diçka, që popullsia shqiptare të lidhej me ne në mënyrë të pakundërshtueshme dhe përfundimtare”, shkruante Dekuan. (Po aty).

Po ashtu, edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: “Korça deshi të ishte e pavarur dhe e tillë u bë. Qysh atëherë, në këtë krahinë mbretëron qetësia”. (Historia e popullit shqiptar, 2007). Në këtë arritje historike ndihmuan edhe patriotët e shquar të Korçës e të Kolonjës si: Petro Harizi, Petraq Katro, Thoma katundi, Dr. Mborja, Qamil Panariti, Emrullah Boshanji, Hysen Butka etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura