Përvjetori i masakrës së Grehotit/ Uran Butka: Si u vranë 37 nacionalistë me nxitjen e Bedri Spahiut

Sep 14, 2021 | 10:51
SHPËRNDAJE

URAN BUTKA/ Data e 14 shtatorit 1943 është një ditë e shënuar në historinë e Luftës Antifashiste të popullit tonë, kur ranë në luftën për çlirim nga pushtuesit italianë 37 luftëtarë nacionalistë të Ballit Kombëtar me në krye komandantin Hysni Lepenica.

masakra e grehotit

Kjo ditë e vlerësuar si Dita e Dëshmorëve Nacionalistë, dëshmon për pjesëmarrjen, kontributin dhe flijimin e forcave nacionaliste në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, një luftë e mohuar dhe e tjetërsuar nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste, por që është vlerësuar me shpalljen “Dëshmorë të Atdheut” të 37 komandantëve dhe luftëtarëve ballistë të rënë për atdhe, me rastin e 50-vjetorit të vrasjes së tyre në Grehot.

Grehoti është vatra ku ndeshet lufta për liri me intrigën e pushtuesve fashistë, shqiptarizmi me pabesinë komuniste, e vërteta me falsifikimin gjysmëshekullor. Lufta dhe sakrifica e martirëve të Grehotit lidhet në radhë të parë me emrin e Hysni Lepenicës, këtij burri të madh të Shqipërisë.

1-Hysni-Lepenica

I ushqyer me patriotizëm në familjen Lepenica dhe në trevën e Lumit të Vlorës, i frymëzuar nga idetë e Rilindësve dhe në mënyrë të veçantë nga mëmëdhetarizmi i arbëreshëve të Shën Mitër koronës, ku ai kreu shkollën për mësues, djaloshi Lepenica eci në udhën e tyre, sidomos të xhaxhait atdhetar Ahmet Lepenica, por shkeli edhe në rrugë të reja.

Ndonëse u pushua nga puna si mësues prej autoriteteve pushtuese italiane, ai nuk e ndali hovin patriotik. Mori pjesë në Luftën për çlirimin e Vlorës të vitit 1920, mandej, pas krijimit dhe njohjes së shtetit shqiptar, shërbeu si oficer i xhandarmerisë shqiptare në Vlorë e Gjirokastër.

Demokrat i spikatur, bashkëpunoi me Avni Rustemin në shoqërinë “Bashkimi”. Vrasja e Avni Rustemit e vuri H. Lepenicën në mesin e forcave kryengritëse të qershorit 1924. Ai mbështeti qeverinë demokratike të Nolit dhe pas “Triumfit të Legalitetit” të dhjetorit 1924, ai emigroi nga Shqipëria.

I amnistuar u kthye në vitin 1927 dhe së bashku me Hasan Dostin, Skënder Muçon, Bilal Golemin etj., veproi në organizatën e fshehtë kundërmonarkiste “Lëvizja e Vlorës”, e cila u dekonspirua dhe veprimtarët e saj republikanë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje: Hysni Lepenica, Muharrem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço, Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Tare Libohova. Protestat bënë që vendimi me vdekje t’u kthehej në burgim të përjetshëm.

H. Lepenica mbeti në burg deri në vitin 1938. I priti me armë në dorë pushtuesit italianë në Vlorë më 7 prill 1939 dhe organizoi qëndresën dhe demonstratat antiitaliane në qarkun e Vlorës.

Në Himarë organizoi vrasjen e togerit Italian Moreti dhe u hodh në ilegalitet. Abaz Ermenji shkruante se ai vetë, Safet Butka dhe Hysni Lepenica, krijuan në vitin 1942 çetat e para të Ballit Kombëtar kundër pushtimit Italian. H. Lepenica formoi çetën nacionaliste “Shqiponja” në qarkun e Vlorës, një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri. Komisari i saj politik ishte avokat Skëndër Muço, bashkëpunëtori më i ngushtë i Lepenicës dhe anëtar i KQ të Ballit Kombëtar, i cili më pas u vra nga pushtuesit gjermanë, sepse ishte koordinator i Ballit Kombëtar me aleatët Britanikë.

Kulmi i veprimtarive luftarake të Hysni Lepenicës është beteja e Gjormit, 30 dhjetor 1942-2 janar 1943, kundër italianëve, ku morën pjesë 1600 luftëtarë nga Mesapliku, Sevasteri, Dukati, Gjormi etj., si edhe çeta Plakë e Vlorës me komandant Neki Ymerajn, që përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej më se 2000 ushtarësh të komanduar nga koloneli Franko Klementi.

Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë italianë, ndërsa ranë në fushën e luftës 6 të vrarë dhe 4 të plagosur nga të dy grupimet kryesore të rezistencës shqiptare. H. Lepenica dhe S. Muço, jo vetëm në këtë betejë të përbashkët, por edhe përgjatë vitit 1943, u përpoqën të bashkëpunonin me forcat partizane, ata negociuan me drejtuesit e lëvizjes NÇ dhe bënë edhe marrëveshje për luftë të përbashkët kundër pushtuesve si në Shkozë, Dushkarak, Mesaplik, Gjorm etj., ndonëse drejtuesit komunistë si E. Hoxha, H. Kapo, M. Shehu, i sabotuan dhe i shkelën këto marrëveshje.

H. Lepenica dhe Skënder Muço morën pjesë si delegatë të Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, 2-4 gusht 1943, dhe nënshkruan marrëveshjen me delegatët e Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët antifashiste nën drejtimin e Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë si edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike. Fjala e H. Lepenicës në këtë kuvend kombëtar është lapidare: “Ne delegatët e Ballit Kombëtar kemi ardhur vetëm për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkëpunim me frontin N. Ç në luftë kundër okupatorëve. Po pyes: ç’na ndan ne? A mos vallë, përveç qëllimit të përbashkët, na pengojnë emrat që mbajmë?

A nuk kuptohet që front N. Ç, i përkthyer në shqip do të thotë Ball Kombëtar? Atëherë, kur është kështu, ç’na mbetet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë?”. Në kuvendin e Mukjës, H. Lepenica u emërua komandat i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar për Jugun. Më 9 shtator, H. Lepenica dhe S. Muço, në krye të çetës “Shqiponja” hynë në Gjirokastër, liruan të gjithë të burgosurit dhe iu drejtuan me një letër shtabit N. Ç., duke i ftuar që edhe ata të vinin në Gjirokastër dhe ta qeverisnin bashkërisht qytetin. Por udhëheqësit komunistë me në krye Bedri Spahiun iu përgjigjen negativisht thirrjes për bashkëpunim, ndërsa Enver Hoxha, në Qarkoren që i drejton Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Gjirokastrës jep urdhrin që të mos e ndajnë pushtetin me nacionalistët, por t’u vënë pushkët atyre.

Kështu filloi edhe lufta vëllavrasëse në Gjirokastër, Vlorë dhe gjithë Shqipërinë. Fundi i veprimtarisë atdhetare dhe luftarake të Hysni Lepenicës është lufta e Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar, të komanduara nga Hysni Lepenica, u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes. Atje ranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre Hysni Lepenica.

Nxitje për këtë masakër u bënë edhe krerët e LNÇ, Bedri Spahiu, Shefqet Peçi etj., që ndodheshin në zyrën e gjeneralit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit. Komanda italiane hapi zjarr pa asnjë paralajmërim në drejtim të Hysni Lepenicës dhe forcave të tij, sipas skenarit të krerëve terroristë komunistë. Në Grehotin e pambrojtur, kryekomandanti H.Lepenica dhe luftëtarët e tij luftuan trimërisht dhe ranë për Shqipërinë: Sefer Imeraj, Hasan Xhaferri, Nano Gjoni, i biri i tij, Hasan Gjoni, Mhmet Koka, Izet Ruka, Shazivar Arabina, Abaz Dauti, Neki Ahmutaj, Sherif Buhuci, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Hamza Tola e të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura