Përvjetori i lindjes/ Të gjithë kujtojnë shkrimtarin e madh Dritëro Agolli

Oct 14, 2020 | 8:55
SHPËRNDAJE

Këtë të martë tetori me shi, nëse jeta do ishte treguar pak më bujare me vitet, Dritëro Agolli me shumë gjasa do ta festonte datëlindjen e 89-të me një poezi shpirti, disa gllënjka “sa të dehej vetë rakia” dhe i rrethuar nga dashuria e njerëzve të tij.

Dritero-Agolli Ndonëse ai mungon prej tri vitesh, e në përtej botë po feston e qesh me të dashurën e zemrës, Sadijen, urimet për shkrimtarin nuk reshtin. Dikush e risjell Dritëronë përmes veprës, si babanë e “Shkëlqimit dhe rënies së shokut Zylo”, “Njeriut me top”, “Komisarit Memo” etj, ndërsa të tjerë përmes kontributit human. Dëshmi si ajo e shkrimtares Elida Buçpapaj që tregon se si Agolli i shtriu dorën babait të saj, Vehbi SKënderit, kur ishte në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, e plotësojnë edhe më figurën e tij. “Për viktimat e diktaturës, Dritëro Agolli bëri aq sa mundi, si mundi, kur mundi në një kohë të pamundur”, thotë ndër të tjera ajo. Por, nuk mund të lihet pa përmendur në këtë ditë të veçantë as kontributi i tij i gjatë si ish-deputet në dy sistemet. Ndonëse kritik e i pakursyer në “tërheqjet e veshit” ndaj politikanëve, disa prej tyre zgjedhin ta kujtojnë sot për kontributin e çmuar që ai dha, jo vetëm në letërsi, por edhe në zhvillimin e vendit. Ndërsa Presidenti Meta sjell në vëmendje dy personazhet e tij të “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, sipas tij aktual edhe sot. Taulant Balla, zbulon se çfarë shkruante ai në dorëshkrimet e tij, për Kryemnistrin Edi Rama dhe kreun e Bashkisë, Erjon Veliaj.

META: DRITËROI YNË DRITËRON GJITHMONË!

Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka kujtuar përmes një mesazhi në rrjetet sociale shkrimtarin Dritëro Agolli, për veprën e tij, por edhe qasjen që ai pati ndaj personaliteteve dhe njerëzve të thjeshtë. Ndër të tjera, Presidenti, shkruan se Demka dhe Zylo, dy personazhet e famshëm, që shkrimtari skaliti te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, janë edhe sot prezent në administratën vendase.

“Thellësia e mendimit, këshillat e mençura, forca e karakterit, urtësia, e në veçanti kurajoja për t’u ballafaquar me padrejtësinë janë një pasuri e madhe që ai na la të gjithëve, së bashku me kryeveprat artistike, ngaherë aktuale, frymëzuese dhe shumë të dashura.

Dritëroi ishte një derë e hapur ku gjeje një mik të mençur e të gjendur. Ai ishte dhe do të mbetet i të gjithëve, prezent në çdo kohë me idetë e tij, në art, kulturë, letërsi dhe politikë, sepse forca e talentit, karakterit dhe fuqia e mendimit i buronte nga populli dhe madhështia e të qenit në radhë të parë njeri modest dhe i thjeshtë, pranë halleve e problemeve të bujkut, fermerit, punëtorit dhe shqiptarit patriot, gjithmonë i pari për t’u “përleshur” me padrejtësinë, arrogancën, megalomaninë, burokratizmin dhe presionet e pushtetit.

E kush do ta mendonte se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do të ishte edhe sot kaq prezente si fabul në administratën shtetërore, ku ende e gjen edhe Zylon edhe Demkën. Sot në ditën e tij të lindjes, Dritëroi na mungon fizikisht të gjithëve. Por ai do të jetë përherë i gjallë midis nesh, në çdo raft librash, në kujtimet e paharruara që la pas dhe në çdo këshillë të vyer që na dha ne miqve të tij”, shkruan Meta.

BALLA: ISHTE NJË ZË I RËNDËSISHËM

Në këtë përvjetor të lindjes, krahas urimit, deputeti i Partisë Socialiste, zbulon se çfarë shkruante në dorëshkrimet e tij shkrimtari Dritëro Agolli, për Ramën dhe Veliajn. “Në këtë datëlindje të Dritëroit të madh kujtojmë një nga shkrimtarët më të mëdhenj në letërsinë shqipe. Dritëro Agolli ishte gjithashtu një zë i rëndësishëm përgjatë proceseve demokratike. Ai do të kujtohet si frymëzues, por edhe kritik i domosdoshëm, me rol unik në formësimin dhe identifikimin e Partisë Socialiste si një e majtë moderne europiane. Pak kohë më parë nga familja Agolli mu dhuruan disa dorëshkrime të Dritëroit. Po e publikoj pa koment. “Në qoftë se qeveritë, ministrat dhe kryeministrat do të punonin me mençuri, ide dhe guxim si Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndryshe do të ishte Shqipëria, në katër vjet do të bëheshin çudira. Lëre se çfarë thonë kritikët dembelë e llafazanë. Këta lloj njerëzish janë mosmirënjohës për atë që po bën Edi Rama. Ka të drejtë Gëtja kur thotë ‘Mosmirënjohja është gjithnjë një formë e dobësisë'”, shkruan Balla.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura