Përvjetori/ Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit si shenjë e parë për qytetari

Nov 23, 2021 | 11:37
SHPËRNDAJE

MID’HAT FRASHËRI

cq5dam.thumbnail.cropped.750.422

Tre muaj më parë, kur u lajmërua se do të mbahet në Manastir një kongres për abecenë e shqipes, shumë njerëz, mbase më të shumët e shqiptarëve, thanë se kombi ynë s’kish arrirë në atë shkallë sa për të bërë një mbledhje të tillë për një çështje me kaq rëndësi. Edhe kështu, ajo e re e një kongresi u prit pak me ftohtësi. Po ja se si u gënjyen, a më mirë u gënjyem, se gjithë ajo frikë na doli për të mirë dhe për gaz.

Mund të themi se pemët e kongresit janë të shumta dhe të ndryshme.

Qëllim i parë i kongresit ishte bashkimi në një abece dhe të marrët fund i ngatërrimit. Në kongres tërë delegatët menduan me një urtësi të madhe jo dëshirat dhe anësitë e veta, po të mirën e kombit. Pa mbledhur kongresin kishim frikë se çdo delegat do të mbronte abecenë, që përdor shoqëria, nga e cila është dërguar dhe trembeshim fort se këtu do të ndahej pa mbaruar gjë. Tani gjithë kjo frikë na duket si një ëndërr e ligë, një ëndërr e zezë, që e përhapi drita e kongresit.

Kongresi u godit fort mirë, se pemët e tij na kënaqën të gjithëve. Tani, pra, themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, themi se abeceja u njësua; tani do të mbledhim gjithë fuqinë, për të shkruar dhe për të përparuar gjuhën, pa humbur kohën në zihje e në grindje të abeceve. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, libra shkollarë, diturakë dhe letrarë…

Ky bashkim i abeceve, kjo ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot, është pema e parë e kongresit. Po ka dhe një pemë tjetër, që është mbase më e madhe dhe më e bukur. Edhe kjo pemë është bashkimi i shqiptarëve. Vërtet gjer më sot kombi ynë s’ishte bashkuar, për të bërë një punë të duhur për vendin. Ishte, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga Veriu e nga Jugu, nga Lindja e nga Perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj. Ahere kuptuam se vërtet paska një komb dhe se vërtet ky komb qenka i gjallë! Dhëntë pra Zoti dhe ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agim i një jete të re, i një jetë-urtësie dhe vëllazërie.

Oh, tani që i pamë shqiptarët bashkë, tani shpresën e kemi të fortë, tani zemrën e kemi të ngrohtë!

Tani dimë që qenkemi dhe ne të zotë për urtësi dhe për bashkim. Një vëllazëri në mes të mendjeve dhe të zemrave tona u rrënjos; dhe ato rrënjë do të na japin gjithnjë fuqi të re. Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu dhe botës i tregoi qenien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar.

Bota, që na pandehte se s’jemi të zotë për asnjë vepër qytetarie, ajo botë, ndër të edhe armiqtë tanë, kuptoi tani që shqiptarët s’qenkan ashtu si i pandehnin, s’qenkan aq “të egër” sa thuhej.

Ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë, që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.

Botuar në gazetën “Liria”, 1908. Gazeta e risjell me rastin e 22 nëntorit 1908 të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit ishte Midhat Frashëri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura