Përveç kilogramëve, ushqimet e shpejta dëmtojnë edhe trurin

Sep 29, 2014 | 14:41
SHPËRNDAJE

Nuk është ndonjë sekret i madh, është thënë mijëra herë që konsumi i shpeshtë i ushqimeve të shpejta, të skuqura, janë në dëm të shëndetit tuaj fizik. E reja në këtë që po ju themi është se mund të jenë në dëm edhe të shëndetit tuaj mendor. Kërkimet e fundit janë rezultat i një ndjekjeje trevjeçare që u është bërë adoleshentëve të moshës 14 vjeç deri sa janë bërë 17. U pa se ata që konsumonin vazhdimisht ushqime të shpejta, patate të skuqura, mish a pulë të skuqur, si dhe pije me gaz e sheqer, kishin reagime më të ngadalta, vëmendje jo të mirë, kujtesë e aftësi për të mësuar më të keqe se pjesa tjetër e grupit, e cila ishte ushqyer me fruta dhe perime. Performanca e këtyre të fundit ishte shumë më e mirë. E dimë që nuk është gjithnjë e lehtë t’u prishni qejfin fëmijëve, duke mos i kënaqur me gjënë që duan të konsumojnë, por do të jetë më mirë për ta nesër. Ndihmojini të paktën në shtëpi duke i ushqyer shëndetshëm sepse përveç ushqimeve të shpejta, edhe ato që mund të hanë në shkolla a kopshte, mund të mos jenë më të mira.

Pjatat e vjeshtës me aromë pylli
Polenta me kërpudha
Përbërësit:
Miell misri
Hudhra 2 thelpinj
Një tufë majdanoz
Kripë, piper
Vaj ulliri
Kërpudha të freskëta

Përgatitja:
Pastroni së pari kërpudhat nga pjesët që mund të kenë të dëmtuara dhe pjesa e bishtit që ka qenë në tokë. Pritini në feta të holla së gjati.
Ndërkaq vini për të zier një litër e gjysmë ujë me kripë, në të cilën do të hidhni miellin e misrit duke e përzier me një lugë druri për të shmangur krijimin e kokrrizave. Përziejeni deri sa të përftoni një masë homogjene jo shumë të trashë. Shtoni aty edhe vaj ulliri. Nga ana tjetër, kaurdisni kërpudhat me hudhrën e vajin e ullirit. Rregulloni me kripë e piper e në fund shtoni majdanozin e grirë. Një pjatë e thjeshtë, e ngrohtë e pa shumë shpenzime.

Rizoto me kërpudha (Për 100 gr 70 kcal)
Përbërësit:
1 litër lëng perimesh
30 gr djathë të grirë grana
350 kërpudha të freskëta
30 gr lajthi
2 lugë vaj ulliri
Kripë, piper
Majdanoz
300 gr oriz

Përgatitja:
Kaurdisni në një tigan kërpudhat e pastruara e të prera në feta të holla me një lugë vaj ulliri. Pas kësaj kalojini në mikser deri sa të përftoni një masë kremoze.
Në enën ku skuqët kërpudhat, hidhni orizin të cilin e skuqni për dy minuta duke e përzier vazhdimisht. Pas kësaj etape shtoni lëngun e perimeve pak nga pak duke e përzier vazhdimisht. Pas 12-15 minutash orizi duhet të jetë gati.
Grini lajthitë dhe shtojani orizit pak përpara se ta hiqni nga zjarri. Të njëjtën gjë bëni edhe me djathin dhe majdanozin e grirë. Mund t’i shtoni në fund edhe pak vaj ulliri ose gjalpë, nëse dëshironi, sado që nuk e këshillojmë përdorimin e tij.

Supë kërpudhash
Përbërësit:
Kërpudha të freskëta 400 gr
1 të verdhë veze
1 litër lëng mishi
3 qepë të vogla
Majdanoz
Kripë, piper
Krem qumështi
Verë e bardhë
Gjalpë 80 gr
Hudhër

Përgatitja:
Pasi të keni pastruar mirë kërpudhat, pritini e bëjini gati për gatim. Në një tigan vini të shkrihet gjalpin dhe shtoni qepët e grira imët me hudhrën, duke i lënë deri sa të zbuten. Po aty shtoni më pas kërpudhat të cilat mjafton t’i lini për 3 minuta. Rregulloni shijen me kripë e piper e më pas shtoni verën e bardhë për ta lënë deri në avullimin e alkoolit. Shtoni më pas lëngun e mishit dhe lërini të ziejnë të gjitha bashkë për 20 minuta.
Hiqeni nga zjarri për t’i shtuar panën dhe të verdhën e vezës. Këto dy të fundit mund t’i rrihni paraprakisht bashkë e më pas t’ia shtoni supës duke e përzier vazhdimisht që të mos krijojë kokrriza. Hidhni në fund majdanozin, lëreni të pushojë për disa minuta dhe shërbejeni.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura