Përurohet shkolla në Durrës, Veliaj: Arsimi profesional, rrugë që garanton punësim

Apr 27, 2015 | 13:23
SHPËRNDAJE

Ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i shkollës së mesme profesionale “Hysen Çela” në qytetin e Durrësit, e cila tashmë ofron jo vetëm ambiente të reja, por edhe pajisje mësimore bashkëkohore. Godina e rikonstruktuar u përurua dje nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili e konsideroi këtë shkollë dhe arsimin profesional në përgjithësi, si një alternativë serioze për të gjithë ata të rinj dhe të reja që kërkojnë kenë një zanat në jetë.

Shkollë profesionale

“Më vjen mirë që prindërit tuaj ju kanë çuar në një shkollë profesionale sepse është e vetmja që garanton punësim në kushtet e një tregu që kërkon zanate sesa diploma”, tha ministri Veliaj.

Veliaj theksoi faktin se si pasojë e reformës së ndërmarrë në këtë fushë, por edhe ambienteve bashkëkohore, u bë e mundur që të rritet me afro 40 për qind numri i nxënësve që regjistrohen për herë të parë në shkollat profesionale në të gjithë vendin.

“Dhe besoj se ky vit do hyjë në histori si viti ku jo vetëm krijuam shkollat më moderne, por edhe si viti ku mentaliteti shqiptar ju kthye punës dhe zanatit, tha ai.

Ministri veçoi si një risi faktin që tashmë edhe falë mbështetjes së partnerëve të huaj dhe sipërmarrjes, në vendin tonë po zbatohet sistemi dual gjerman i mësimdhënies, pra alternimi i teorisë me praktikën në ambientet e bizneseve konkrete.

“Nxënësit do bëjnë 30 për qind praktikë pranë një biznesi. Do kenë një bord drejtues shkolle që drejtohet nga biznesi. Është e vetmja mënyrë që garanton punësim për të gjithë ata të rinj që po studiojnë këtu hoteleri turizëm, dizajn dhe modë, tekstil dhe ata që kanë nisur të studiojnë peshkim”, tha Veliaj.

Veliaj vuri në dukje, gjithashtu, faktin se në në shkollat e mesme, nëndrejtorët do jenë të huaj nga Zvicra, Austria, Gjermania apo SHBA, kjo si një mundësi për të marrë përvojën më të mirë nga këto vende për arsimin profesional.

Në aktivitet i pranishëm ishte edhe kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura