Përurohen dy shkolla të reja, “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qiriazi”; Veliaj: Bizhu që i rrisin edhe më shumë vlerën Njësisë 8

Jan 24, 2023 | 14:25
SHPËRNDAJE

2fc9d776-51e1-48a1-8837-a501d8ccc640

“Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qiriazi” janë dy shkollat më të reja që i shtohen kryeqytetit. Ato u përuruan në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se zona e “Bregut të Lumit”, në rrugën “Besa”, nga një zonë e lënë në harresë, po kthehet në një nga vendet më të lakmuara të kryeqytetit, pasi është shndërruar në një bizhu të arkitekturës dhe hapësirës për qytetarët.

“Zona e ‘Bregut të Lumit’ cilësohej si një realitet jashtë vëmendjes, një zonë e ndërmjetme mes lumit dhe urbanistikës së Tiranës. Çdo gjë përtej Unazës, përtej rrugës ‘5 Maji’, konsiderohej një zonë pa zot, ku ndërtohej kuturu, ku nuk kishte urbanistikë, kanalizime. I kemi harruar këto! E kemi harruar se lumi përmbyste shtëpitë. Tashmë zona e ‘Bregut të Lumit’, me investimet që kemi bërë, duke filluar nga shkolla e parë që ndërtuam, ‘Ardian Klosi’, apo gjithë lagjja e re që po zhvillohet, hapja e aksit të rrugës ‘5 Maji’, po kthehet në një nga zonat më të zhvilluara të Tiranës. Me autostradën që do të kalojë nga ana tjetër e lumit dhe 4 ura, që do e lidhin me zonën e Paskuqanit dhe Kamzës, do e bëjnë këtë zonë portën hyrëse të Tiranës. Do jetë zona ku do ketë më shumë rritje të vlerës së pronës se te 27 njësitë e Tiranës”, tha Veliaj.

Duke folur për emërtimin e dy shkollave të reja, kryebashkiaku tha se Kiço Blushi dhe Sevasti Qiriazi janë dy personalitete.

“Unë e di se, teksa afron fushata në Tiranë, plas një modë patetike e atyre që garojnë, që bëjnë garë për të treguar kush është më ‘tirons’ dhe nuk është i ardhur në Tiranë. A thua se të ardhurit kanë sjellë probleme! Në fakt, të ardhurit kanë sjellë mundësi. Të ardhurit kanë sjellë krah pune, të ardhurit kanë sjellë talent, të ardhurit kanë sjellë sipërmarrje. Ndaj, duke filluar nga këta të ardhurit nga Korça, si Sevasti Qiriazi dhe Kiço Blushi, e deri tek ata të ardhur nga të gjithë cepat e Shqipërisë, unë besoj se ky qytet, nëse dikujt që lindi në fshatrat më të humbur të Tropojës ose në fshatrat më të humbur të Skraparit, i dha shansin që të bëhen kryeministra, president, po punove fort, po ishe anëtar i dobishëm i komunitetit, ti ia del të bësh një histori suksesi dhe respektohesh nga komuniteti”, tha Veliaj.

 

Ben Blushi: “Ka 80 vjet që Tirana pret të ketë një infrastrukturë kaq të bukur dhe kaq mikëpritëse”

Ben Blushi, djali i shkrimtarit, publicistit dhe skenaristit të njohur Kiço Blushi, i pranishëm në përurimin e shkollës që mori emrin e babait të tij, tha se Tirana sot ka një infrastrukturë kaq të bukur dhe mikpritëse për të gjithë.

“Falenderoj shumë Erionin sepse unë e njoh pak infrastrukturën e shkollave të Tiranës. Nuk ka patur ndonjëherë Tirana cilësi më të mirë shkollash se sot besoj. Pra, qytetit po i jepet diçka që e ka merituar ndoshta 80 vitet e fundit që kur është bërë kryeqytet. Ka 80 vjet që Tirana pret të ketë një infrastrukturë kaq të bukur dhe kaq mikpritëse. Sigurisht ajo që mbetet është të ketë nxënës më të mirë që mund ta çojnë Shqipërinë në Europë më shpejt seç patëm mundësi ne të tjerët”, u shpreh Blushi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura