Përtej shifrave…

May 20, 2016 | 14:00
SHPËRNDAJE

aleksander kocaniALEKSANDËR KOCANI

Përtej shifrave ndodhet … cilësia. Por ajo mund të shihet vetëm me “syrin” e mendjes, pra të hamendësohet. Cilësia mund të “kapet” vetëm me skema apo modele (apo, “rrjeta” po të perifrazonim Popper) teorike, që, si të tilla, për t’u pranuar kanë nevojë që të kalohen paraprakisht në teste rigoroze.

Vetë këto teste nuk do të futin në sprovë cilësinë, sepse kjo është e pamundur, por, si të thuash, “binjakun” e saj sasior, i cili del si produkt i proceseve të operacionalizmit të koncepteve cilësore. Dhe këtu sprova apo testet më rigoroze do të ishin kontrolli statistikor i shoqërimeve të mundshme domethënëse të “binjakëve” të tillë sasiorë. Për fat të keq, janë të pakët ata që hedhin një vështrim të tillë përtej shifrave.

Bindja ime është që, nëse do “vëzhgohej” me “lente” metodologjike kjo cilësi që “fshihet” përtej shifrave, kërkimi shkencor do të merrte një rrugë mjaft efikase. Kjo sepse kështu ky kërkim do të përcaktonte një objektiv racional, do të ndiqte një rrugë logjike për të mbërritur tek ai dhe do të arrinte në përfundime racionalisht të pranueshme, që do të mund të konsideroheshin seriozisht nga bashkësia shkencore përkatëse!

Në këtë mënyrë do të mund të hiqej edhe “manteli i përgjakur” (që sipas mitologjisë greke torturonte Heraklitin) i pozitivizmit që ende i qëndron veshur kërkimit shkencor, ndonëse koha e tij tashmë ka kaluar të paktën prej afro 70-80 vitesh.

Lexuesit të nderuar, që nuk është i familjarizuar me problemet e shkencës, i kërkoj sinqerisht ndjesë që e kam bombarduar me një seri artikujsh me një gjuhë jo të zakonshme, ku trajtohen probleme që lidhen me këndvështrimet se si duhet bërë shkenca. Prandaj, së paku, atij i detyrohem një sqarim të vogël.

Në shkencë ne u vëmë shumë rëndësi metodave dhe metodologjisë, pra konceptimit se si të bëhet shkenca, për një arsye shumë të thjeshtë. Meqenëse, me përjashtim të matematikës dhe logjikës, ne nuk mund të provojmë në shkencë nëse një zgjidhje që propozojmë për ndonjë problem kërkimor është e vërtetë ose e gabuar, atëherë mbetet vetëm kujdesi për të zgjedhur rrugët për t’iu afruar sa më shumë së vërtetës. Dhe të tilla rrugë jepen nga metodat dhe teoria e tyre, metodologjia. Por jo gjithnjë zgjidhen drejt rrugët në fjalë, për shkak të ndjekjes së një metodologjie tashmë të kapërcyer, që i ka shteruar potencialet e saja nxitëse për zhvillimin e shkencës. Në vijim po shqyrtojmë një rast konkret të ndjekjes së një metodologjie pozitiviste në kuadrin e studimeve në shkencat shoqërore.

* * *

Kështu, duke lexuar shkrimin e z. Islami: “Udhëkryq”: 44% të pakënaqur dhe 40% të kënaqur, i cili interpretonte e komentonte të dhënat e një anketimi të zhvilluara paradokohe nga Instituti Demokratik Amerikan, m’u përforcua ideja se ndikimi i qasjes pozitiviste në shkencë është ende i fortë në qarqet e studiuesve shqiptarë. Z. Islami ka një formim shumë solid fiziko-matematik dhe kjo e bën atë shumë të aftë për të “notuar në ujërat e shifrave”, duke bërë “prerje” apo nxjerrje shifrash të tjera bashkë me interpretimet e kuptimit të tyre.

Si fizikan, Ai e di se shifrat janë në instancë të fundit përfundim i një procesi matjeje. Ma ha mendja se Ai di gjithashtu që matjet e tipit sociometrik kanë disa specifika të ndryshme nga matjet në shkencat e quajtura “ekzakte”. Dhe kjo duhet ta bënte disi më dyshues në pranimin apriori si të mirëqena të rezultateve të matjeve sociometrike të realizuara në kuadrin e anketimeve, sepse hamendësoj se nuk është shumë i familjarizuar pikërisht me specifikat në fjalë që lidhen me metodologjinë e kërkimit social. Më konkretisht – me kriteret e skicimit të një kampionimi shkencor dhe mënyrën e realizimit të tij.

Jam i bindur se z. Islami nuk do të pranonte kollaj të dhëna të dala nga matje eksperimentale në fushat e shkencave ekzakte, nëse nuk do të kishte tregues bindës që për nxjerrjen e tyre ishin ndjekur metodika të drejta shkencore. Dhe pa u bindur për besueshmërinë dhe vlefshmërinë e këtyre të dhënave, integriteti i tij shkencor (për të cilin nuk kam asnjë pikë dyshimi!) nuk do ta lejonte që të avanconte më tej në interpretimin e kuptimit që përfaqësonin ato të dhëna. Nuk mund të kërkosh që të “ndërtosh kate të një godine, pa u bindur se themelet e saj janë të shëndosha”.

* * *

Është ky integritet shkencor që, në rast se Ai do të kishte edhe një formim po aq ose të afërt solid në shkencat sociale, sipas gjykimit tim, do ta pengonte që të kalonte në interpretimin e shifrave të nxjerra nga një anketim bazuar thjesht në një konsiderim se ato janë të mirëfillta. Domethënë, duke e konsideruar si të mirëqenë besueshmërinë dhe vlefshmërinë e tyre.

Një formim i tillë shkencor shtesë do t’i lejonte z. Islami që të kuptonte idenë e shprehur nga Karl. R. Popper (Te veprat “Logjika e zbulimit shkencor”, “Mjerimi i historicizmit” etj.) se logjika e kërkimit shkencor në thelb është e njëjtë si për shkencat ekzakte, ashtu edhe për ato shoqërore. Që, më konkretisht, do të thotë se asnjë shkencëtar në fushat e fizikës, kimisë etj. nuk do të ndërmerrte eksperimente pa ndonjë ide teorike paraprake në kokë, thjesht duke përdorur aparatura dhe bërë matje, për të përfunduar në interpretimin e rezultateve të këtyre matjeve.

Një eksperiment në këto fusha (por jo vetëm në to!) është një projekt kërkimor, i cili mbasi ka identifikuar paraprakisht një problem kërkimor dhe propozuar një hamendësim teorik të një zgjidhjeje të tij, përfshin procedura logjiko-empirike për testimin e rrjedhojave që dalin nga zgjidhja në fjalë e propozuar. Në thelb e njëjta skemë metodologjike vlen edhe për kërkimet në shkencat shoqërore.

Që do të thotë se nuk mund të shkohet në terren me “duar në xhepa duke fishkëllyer” për të mbledhur ca të dhëna bazuar në një pyetësor të hartuar, ashtu siç ta thotë mendja! Vetëm në kuadrin e një qasjeje pozitiviste mund të shkosh dhe të mbledhësh çfarëdo të dhënash në terren për të pasur një bazë për interpretime të mëtejshme (kuptohet, subjektive), sepse për këtë qasje, e dhëna është parësore (“është mbret”) dhe mbledhja e të dhënave është procesi më i mirëfilltë shkencor.

Në qasjen e sotme racionaliste kritike, ne shkojmë te përvoja (eksperimenti, vëzhgimi, anketimi) vetëm për të mbledhur ato të dhëna (domethënëse) që vlejnë për të testuar indirekt empirikisht një skemë teorike që kemi paraprakisht në kokë. Domethënë, për të testuar supozime bazë apo hipoteza me anë të kontrollit empirik të rrjedhimeve (apo implikimeve) që dalin prej tyre në trajtë të një parashikimi të mirëfilltë. Kjo është e mundur, sepse çdo parashikim shkencor pranon ndodhjen e një ngjarjeje të caktuar, nëse plotësohen disa kushte të caktuara.

Atëherë po të plotësohen këto kushte, mund të kontrollohet (konstatim empirik ky!) nëse ndodh apo jo ngjarja e parashikuar teorikisht. Po ndodhi, kemi vërtetim empirik të parashikimit. Në të kundërtën, do të pranonim përgënjeshtrimin e tij empirik. Në varësi të rezultatit pozitiv ose negativ të këtij kontrolli empirik të parashikimeve në fjalë, neve do të na duhet në vijim të marrim një vendim për pranimin ose jo të zgjidhjes së propozuar për problemin kërkimor në trajtë të supozimit bazë ose të hipotezës. Dhe në këtë rast marrja e një vendimi është shumë më tepër e justifikuar sesa në rastet kur vendoset të konsiderohen si të mirëqena disa shifra rezultatesh të ndonjë anketimi dhe të kalohet në interpretimin e kuptimit që “fshihet” mbrapa tyre.

Kjo sepse në rastin e fundit, interpretimet në fjalë përfaqësojnë, në rastin më të mirë, supozime bazë ose hipoteza dhe këto nuk mund të pranohen (konsiderohen seriozisht, do të thoshte Popper) pa pasur paraprakisht rezultatet pozitive të kontrolleve rigoroze të tyre. Kurse në rastin e parë, ne kemi këto rezultate dhe mbi bazën e tyre, mund të vendosim t’i pranojmë ose jo ato.

* * *

Le të kalojmë në një “terren” më konkret. Në artikullin e sipërcituar, z. Islami, në sajë të disa operacioneve “mëndjemprehta” (ndryshe, mjaft të “gjetura”) (që mund t’i quajmë shkurtimisht si “prerje”) me përqindjet e dhëna nga sondazhi në fjalë i IDA, nxjerr si interpretim që në shoqërinë aktuale shqiptare ka rreth 44% të pakënaqur ndaj pozitës dhe opozitës, kundrejt rreth 40% të kënaqur ndaj tyre.

Do të ishte shumë më e thjeshtë e korrekte edhe nga ana metodologjike, nëse ky supozim që Ai e nxjerr si interpretim, të ishte hamendësuar që në fillim të studimit të IDA si zgjidhje e propozuar për një problem kërkimor të identifikuar nga realizuesit e tij. Në një rast të tillë, do të kishim një sërë hallkash të lidhura logjikisht që do të shpinin në një pyetësor që grumbullon të dhëna domethënëse për testimin empirik jo të drejtpërdrejtë të kësaj zgjidhjeje të propozuar.

Më tej do të kishim një bazë të dhënash të krijuar nga anketimi (me një kampionim më të qartë për t’u pranuar) dhe nga zbatimi në intervista të këtij pyetësori. Mbi këtë bazë të dhënash mund të ushtroheshin instrumente statistikore që do të lejonin të testoheshin empirikisht rrjedhimet që do të nxirreshin nga zgjidhja e propozuar. Dhe rezultatet e këtij testimi do të ishin shumë herë më të pranueshme sesa ato që dalin nga interpretimi subjektiv i rezultateve të përpunimit të të dhënave me teknikat e statistikës përshkruese.

Kështu, nëse studimi i IDA-s do të përfshinte kontrollin empirik të shoqërimeve statistikore që dalin si parashikim nga zgjidhja e propozuar në fjalë, rezultatet e një kontrolli të tillë statistikor (me teknikat e statistikës inferenciale, që qëndron më lartë se ajo deskriptive) do të mund të konsideroheshin shumë më tepër seriozisht sesa disa rezultate të paraqitura me grafikë dhe tabela përshkruese. Dhe akoma më tepër sesa interpretimet (subjektive) që u bëhen këtyre paraqitjeve përshkrimore grafike dhe tabelore!

* * *

Pra, kushdo që do të bëjë shkencë edhe në fushën e dukurive sociale, le të qartësojë më parë veten se çfarë do (të identifikojë një problem kërkimor). Më tej le të fokusohet në një aspekt të këtij problemi me anën e një pyetjeje kërkimore, së cilës pastaj t’i japë përgjigje në formën e ndonjë supozimi bazë apo një hipoteze.

Meqë këto përbëjnë zgjidhje të pjesshme të propozuara për problemin kërkimor ende të palegjitimuara (pra nuk dihet nëse ato “kanë qëlluar në shenjë apo jo”), lypset që në vazhdim të ndërtojë një proces logjiko-empirik për testimin e tyre (të nxjerrë prej tyre rrjedhime, të parashikojë shoqërime statistikore të mundshme etj.).

Mbi këtë bazë të ndërtojë instrumentin (kampionimin, pyetësorin etj.) që do t’i sigurojë të dhënat e duhura për të testuar rrjedhimet dhe parashikimet statistikore dhe t’i përdorë ato në një proces anketimi. Në fund, mbasi të përdori teknikat e statistikës inferenciale (që teston dhe jo thjesht përshkruan!), të propozojë me argumente pranimin ose jo të zgjidhjes që kishte supozuar për problemin kërkimor në fjalë! Kështu do të kishim një proces korrekt kërkimor dhe rezultate që d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura