Pertef Rusi, mjeku që ndërtoi një kantinë në një rifuxhio

Jun 12, 2016 | 15:26
SHPËRNDAJE

Masat për të strehuar familjet në rifuxhot, ku sot ruhet vera

Të transformosh një vend strehim të kohës së diktaturës, në një kantinë vere, duhet të kesh fantazi të jashtëzakonshme. Të duket e pabesueshme kur e sheh që ekzistojnë ende ato strehime që për disa breza kanë dalë nga memoria.

Kur kujton se për çfarë kanë shërbyer, si janë ndërtuar, por që nuk u përdorën asnjëherë, pastaj braktisja, humbja pa lënë gjurmë, dhe harresa për to… Një nga këto fortifikime e ka nxitur mjekun e njohur Pertef Rusi që, pas shumë dekadash, t’i ndërrojë destinacion. Pasi ka marrë në përdorim vendstrehimin që ndodhet pranë shkollës me emrin e poetit Naim Frashëri, labirintet e rifuxhios i ka shndërruar në një vend ideal për të ruajtur, mbajtur e sistemuar për një kohë të gjatë shishet e verës e rakisë. Në prodhimin e të cilave është angazhuar familja edhe të afërm të tij, atje te “Vreshtat e Pashajt”, ku prodhohet në Leskovikun e largët. Por deri në shndërrimin e këtij vendstrehimi në kantinë vere, është një rrugë e gjatë. Një kthim pas në kohë, te strategjia e mbrojtjes së popullsisë në vitet ’70, mes ndërtimit të vendstrehimeve e bunkerëve, sirenave të alarmit dhe pushtimit imagjinar prej “armiqve imperialistë e revizionistë”, pas daljes nga Traktati i Varshavës…

zdsfsd

NDËRTIMI I KANTINËS

Ideatori i vendstrehimit-kantinë është Pertef Rusi, mjek traumatolog-sportiv, i diplomuar në vitin 1973 në Fakultetin e Mjekisë. Ai filloi punën si pediatër në Spitalin Nr. 3 në Tiranë, ku punoi deri në vitin 1982, (njëkohësisht shërbente edhe si mjek sportiv pranë skuadrës së futbollit “17 Nëntori”). Pikërisht në këtë periudhë shkëputet nga pediatria me një vendim të KKE të Rrethit Tiranë, si njeri që po “dëmton” këtë sektor shëndetësor të kryeqytetit. Fillimisht ishte një kërkesë e bërë nga shefja e Pediatrisë së Tiranës, Pandora Ketri, e cila i propozon këtij këshilli transferimin në Ministrinë e Arsimit të dosjes së Rusit, pasi kërkohej si mjek sportiv në Shkollën Sportive “Loro Boriçi”. Nesip Ibrahimi, kryetar i Komitetit në ato vite, nuk pranoi, duke e anuluar propozimin, por me këmbënguljen e Rusit për t’u transferuar te “Loro Boriçi”, pas 6 muajve Ketri e paraqet kërkesën sërish, duke folur për një mjek që nuk ka “rezultate” në punë. Këtë herë, Ibrahimi dha miratimin. Doktor, jeni rikthyer në vendstrehim? Rikthimi dhe futja te një vendstrehim i diktaturës pas shumë vitesh ishte surprizë.

dfsqf

I kisha harruar ato, ndonëse për brezin tim, janë të pandara për shumë arsye. M’u kujtua vrapi për t’u futur aty bashkë me të tjerët, në pritje të ardhjes së armikut, apo të rënies së sirenave të alarmit. Madje kam marrë pjesë në ndërtimin e tyre, që bëhej me punë vullnetare të dielave, apo në mesditë se duhet të përfundonin shpejt. Nuk e kisha menduar se pas gjysmë shekulli, një e tillë do të më shërbente për tjetër gjë. Çfarë ju shtyu për ta marrë në administrim? Ka qenë ideja e Pandi Sares, ish-nënkryetar i njësisë që përfshin shkollën 8-vjeçare “Naim Frashëri” në kryeqytet, pikërisht ngjitur me murin e saj, ku unë kam klinikën time. Sare, edhe ky ish-sportist e drejtor i Mjeshtërisë Sportive, ku kemi punuar bashkë, më rekomandoi për ta bërë pjesën e sipërme të vendstrehimit një lulishte me pemë, fruta, lule, trëndafila, dhe për këtë më garantoi ndihmën e tij. Propozimi i Sares më pëlqeu dhe menjëherë e zbukurova, ndërkohë që pjesa e poshtme ishte vendstrehimi. Pasi e hapëm, sepse ishte e mbyllur prej shumë kohësh dhe e papërdorur, bisedova për ta administruar.

Ma dhanë me qira për përdorim për 39 vjet, me një pagesë 42 mijë lekë (të vjetër) në muaj. Është e gjatë 100 m, por e ndarë në dy pjesë nga 50 metra, mbi 2 metra e lartë dhe po kaq e gjerë, e gjitha në beton, është ndërtuar në vitin 1968 për vetëmbrojtje. Rifuxhio ka qenë jo vetëm për sistemimin e popullsisë, por aty ka edhe një zyrë, në të cilën ishte menduar të qëndronte komanda, madje edhe një banjë për popullsinë. Ndërkohë nënshkrova edhe një kontratë dypalëshe me Drejtorinë e Njësis Bashkiake Nr. 3 që mbulon kopshtet, çerdhet, gjelbërimin, si dhe strehimin, në pritje për ta blerë e privatizuar. Ndërkohë, ende nuk kisha një ide të qartë se çfarë do të bëja me të. Si ju lindi ideja për ta kthyer në një kantinë pijesh? Pasi e pastrova, sistemova ndriçimin, më lindi ideja për ta kthyer funksional mjedisin e tij.

sdfsf

Pas viteve ‘90 na u njoh pronësia e disa pronave në Leskovik, të cilat na i kishte lënë gjyshi im, Sadetin Zavalani, ish-ministër dhe prefekt në Kukës, këshilltar i Kryeministrit Koço Kote në qeverinë e Zogut. Duke përfituar edhe nga një grant i dhënë nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Zonave Malore Kufitare, punësimin e banorëve të këtyre zonave, u ngritën vreshta ku u kultivuan lloje të ndryshme rrushi. Edhe një fabrikë (në ish-repartet ushtarake kufitare) që shërben e funksionon në përpunimin e varieteve të tij. Aty punojnë banorë vendës, të cilët kujdesen për mirëmbajtjen e vreshtave, mbledhjen e rrushit, sistemimin dhe prodhimin e verës, rakisë dhe shpërndarjen. Si ju duket një gotë verë në rifuxhio? Askush nuk e kupton se aty poshtë në ishrifuxhion e ndërtuar për mbrojtje, është një kantinë vere.

Përveçse një kantinë vere, ato nuk kanë asnjë destinacion tjetër, pasi kanë lagështirë, çka dëmton gjithçka nëse qëndron për një kohë të gjatë. Por, sa herë që zbres, kam ende ndjesinë e më duket sikur është dhënë alarmi e më duhet të nxitoj për të zënë një vend në atë korridorin e gjatë prej betoni.

Duke qenë se e kam ngjitur me klinikën, kujdesem dhe nuk përtoj asnjëherë të futem brenda. Dua të shoh e komunikoj me shishet e verës, ndarëset prej druri që kam përgatitur ku janë vendosur e qëndrojnë ato. Ka qenë një pasion i hershëm, një lidhje me verën, në veçanti nga gjyshi im. Dhe unë vendosa ta mbaj gjallë këtë pasion familjar. Kam një kontingjent modest të pijeve, përveç verës, rakisë edhe produkte të tjera. Vetë nuk e konsumoj, veçse me raste, e kam për miq e shokë, të cilëve ua dhuroj, madje aty ka verë disavjeçare. Çfarë vlere ka sot një vendstrehim i diktaturës? Së pari ka një vlerë historike, si një sistem fortifikues mbrojtës për popullsinë, gjatë viteve të diktaturës. Brezi i ri shpreh habi, sa herë që mëson se përse janë ndërtuar. Kam aplikuar për ta blerë e privatizuar.

sdsd

Kur e mora në përdorim në vitin 2006, çmimi për një metër katror i një rifuxhioje ishte vetëm 2 mijë lekë të vjetër, ndërsa tani shifra është qindfishuar. Kam pyetur e më kanë thënë se një e tillë, në qendër të Tiranës, kushton shumë shtrenjtë, deri në 200 mijë lekë të vjetra m². Duke bërë llogaritë për 50 m² që kam, më duhen 10 milionë lekë për ta blerë e privatizuar atë.

Historia e vendstrehimeve dhe pushtimet imagjinare nga armiku

Zanafilla e një Shqipërie të mobilizuar dhe nevoja për t’u mbrojtur ushtarakisht, lindi pas 18 gushtit të vitit 1968, kur Bashkimi Sovjetik sulmoi Çekosllovakinë, vend i Traktatit të Varshavës. Pas këtij veprimi, Shqipëria do të reagonte përmes një fjalimi të Kryeministrit Mehmet Shehu, më 13 shtator 1968, në sesionin e 6-të të Legjislaturës së 6-të të Kuvendit Popullor në përputhje me vendimet e Plenumit V të KQPPSH-së, për Denoncimin e Traktatit të Varshavës, dhe çlirimin e Shqipërisë nga çdo detyrim që rrjedh prej këtij Traktati. Kështu, Shqipëria Socialiste, e ndarë tashmë nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Lindjes, fillon një fushatë dhe strategji për fortifikimin e vendit, me sloganin për “Mbrojte të popullsisë” nga një sulm armik, bombardimet ajrore, tokësore, ato atomike etj., një mobilizim i gjithanshëm ushtarak, me një strategji gjithëpërfshirëse të popullsisë, pa asnjë dallim. Në qendra pune, lagje, shkolla, universitete, kudo. U përdorën bodrumet e pallateve, duke i sistemuar e pastruar, por filloi edhe ndërtimi i vendstrehimeve që në popull u quajtën “rifuxhio”, si vende të sigurta për të strehuar popullsinë.

HISTORIA E RIFUXHIOVE

U quajtën rifuxhio nga italishtja: një konstruksion që shërben si vend mbrojtjeje nga rreziqet natyrale, i ndërtuar në nëntokë për të mbrojtur persona nga bombardimet apo shpërthimet atomike, helmimet, etj. Të ndërtuara me punë vullnetare nga banorët, ato do të shërbenin si vendmbrojtje në rast pushtimi apo sulmi nga forcat “armike”, nga ajri e toka. Të tilla, me gjatësi deri në 100 metra, gjerësi 2.5 dhe lartësi mbi 2 m, u projektuan në çdo bllok, lagje pranë shkollave, apo qendër banimi. Në të duhet të qëndronin mbi 100 persona, ajo ishte tërësisht në beton, nëntokë dhe me disa tuba për ajrim, njëkohësisht edhe ndriçim. Mirëmbahej dhe çelësat e tyre i mbanin njerëz të autorizuar e besuar.

ALARMET NË MESNATË, PROVA PËR POPULLSINË

Bashkë me ndërtimin e vendstrehimeve, filluan provat sistematike, për të parë gatishmërinë, si dhe kohën e shpejtësinë që, në rast alarmi, popullsia duhej të strehohej brenda 15 minutave. Në pallate, pika të larta të qytetit, në ndërmarrje ishin vendosur aparate alarmi, të cilat me një komandë nga qendra, dhe në veçanti natën, fillonin të ul- ërinin, çka do të thoshte se ishte dhënë alarmi për një pushtim imagjinar. Banorët vraponin me shpejtësi për t’u futur në rifuxhio. Pas një qëndrimi në heshtje për një kohë të pacaktuar, sërish me sirena njoftohej se popullsia duhet të dilte e të kthehej në shtëpitë e tyre. Për shumë kohë ka funksionuar një sistem i tillë, tronditës në aspektin fizik edhe atë psikologjik. Për të ardhur më pas te bunkerët e njohur, ndërtimi i të cilëve filloi pak vite më vonë. Edhe këto ishin pjesë e strategjisë mbrojtëse ndaj një armiku që nuk u shfaq asnjëherë….

EVAKUIM NË FSHAT, MAKINAT ME LISTË

Një plan tjetër ishte ai i evakuimit të popullsisë në periferi të Tiranës drejt fshatrave Farkë, Babrru, Zall-Herr, Mullet etj., pasi krahas sistemimit dhe orientimit për një strehim të shpejtë në rifuxhio, qeveria kishte edhe një plan të dytë: largimin në fshat të popullsisë. Çdo familje kryeqytetase, sipas një planifikimi, u lidh me një familje në fshat, ku do të qëndronte në rast të një invadimi të gjatë. U hartuan lista, njohjet e familjeve që shkëmbenin vizita midis tyre, një organizim i madh dhe i detajuar. Vajtja atje organizohej si një marshim dhe familjet ishin të detyruara të niseshin në këmbë nga Tirana, pasi mjete nuk kishte. Madje edhe targat e makinave, ndonëse jo shumë në qarkullim, ato të ndërmarrjeve, drejtorëve, institucioneve, ishin të skeduara dhe me destinacionin dhe funksionin që do të kryenin në rast lufte.

STUDENTËT, ROJE TE DEPOT E ARMËVE

Për studentët e fakulteteve të ndryshme në Tiranë kishte tjetër strategji. Në rast alarmi, ato do të vraponin për të qenë pranë fakultetit të tyre, për të marrë nën kontroll depon e armatimit. Duke qenë se konsideroheshin si nënoficerë, u besohej edhe një detyrë e tillë e rëndësishme. U krijuan çetat, forcat vullnetare, këmbësoritë, dhe popullsia u instruktua si të përdoren maskat kundër zjarrit, lëndëve helmuese etj. Në tarracat e pallateve u vendosën mitraloza kundërajrorë, si dhe personat që do t’i përdornin ata. Në shkolla filluan teoritë e luftës mbrojtëse, kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, faktorët pozitivë të një terreni malor, jo të favorshëm për armikun, ndërkohë që zboret morën tjetër trajtim dhe gjithçka jetohej, punohej me sytë dhe veshët ndaj një sulmi armik.

HABIA E TË HUAJVE

Jemi në vitet 1968 e në vijim, kur sistemi i alarmit dhe frika nga një agresion armik kishte pushtuar të madh e të vogël, çdo familje. Por, ajo që ishte tejet kurioze, ka lidhje me të huajt që vinin në Shqipëri në ato vite. Në këtë periudhë ka qëlluar skuadra e futbollit Torino, e ardhur në Tiranë në shtator të ‘68-s për t’u ndeshur me Partizanin në Kupën e Kupave. Ndërsa ishin në Hotel “Dajti”, një ditë para takimit, dëgjohet alarmi dhe i gjithë qyteti mbulohet në errësirë. Pa kuptuar asgjë e të shqetësuar, sportistë e drejtues zbresin shkallët e dalin në rrugë, në sheshin përballë “Dajtit”, krejtësisht të boshatisur. Pasi ka përfunduar alarmi, janë informuar për atë çfarë kanë përjetuar. Ndërkohë, situata politike ka tjetër rrjedhë, pasi janë vitet e fillimit të miqësisë shqiptaro-kineze, kur edhe Mao Ce Duni e mbështeti denoncimin e Traktatit të Varshavës, duke u dhënë një garanci shqiptarëve se ata do të ishin në mbrojtje dhe përkrah tyre në aspektin ekonomik, ushtarak, kulturor, në sport, art, infrastrukturë, ndërtim, kudo. U propagandua si një miqësi e pathyeshme në shekuj, por që nuk do të ishte e tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura