Personazhi i vitit 2017, Hysenagolli: Ja çfarë ëndërroj me Tiranën

Jan 13, 2018 | 22:00
SHPËRNDAJE

Në fillim të muajit dhjetor, “Panorama Sport” publikoi në faqen e internetit sondazhin me pyetjen e thjeshtë për të gjithë lexuesit e portalit se cili ishte personazhi shqiptar i sportit për vitin 2017. Në një listë të gjatë, me sportistë dhe personazhe të tjerë të talentuar e plot suksese nga të gjitha fushat e sportit, lexuesit kishin mundësi të jepnin mendimin e tyre për më të mirin e vitit që sapo lamë pas.

pachulia-zaza-georgia-act-hysenagolli-endrit-albania-aug-2016

Izmir Smajlaj, kampioni i Europës në kërcim së gjati, Igli Tare, i vlerësuar si një nga drejtorët sportivë më të mirë në Itali, apo edhe Sabjen Lilaj, futbollisti më i mirë në Kategorinë Superiore për sezonin që lamë pas, ishin vetëm disa nga emrat e shumtë pjesëmarrës në këtë sondazh.

Gara ishte e fortë, por balotazhi që në fillim vihej re mes basketbollistit të talentuar të Tiranës, Endrit Hysenagolli, si dhe nënkampiones së botës në peshëngritje, Romela Begaj. Në ditët e para të këtij viti të ri, fitues i sondazhit, me një diferencë të ngushtë votash, u shpall Endrit Hysenagolli, teksa la pas peshëngritësen Begaj me vetëm 2% të votave.

hysenagolli

Në total, shtatlarti u zgjodh “sportisti i vitit 2017”, pasi grumbulloi 27% të votave, nga më shumë se 6000 pjesëmarrës në votim. Në një intervistë për “Panorama Sport” është vetë Hysenagolli që shprehet krenar për një vlerësim të tillë që e merr nga vetë publiku, me votat e lexuesve të portalit online.

Sondazhi

Gjithashtu, lojtari i Tiranës ndihet i nderuar që në  këtë sondazh ndodhet krah një kampioneje bote si Romela Begaj. Shtatlarti nuk harron të vërë objektivat edhe për vitin 2018, si dhe një koment për karrierën pasi të lërë parketin, kur pyetet nëse e ka menduar profesionin pasi të tërhiqet nga basketbolli i luajtur.

Personazhi shqiptar i sportit për vitin 2017, nga mbi 6000 votues në “Panorama Sport”. Çfarë emocioni merrni nga ky vlerësim?

Ky është një emocion dhe një kënaqësi shumë e madhe për mua. I falënderoj të gjithë njerëzit që kanë votuar për mua në sondazh. Dua të falënderoj votuesit nga Shqipëria, por edhe ato jashtë vendit tonë, sidomos votuesit nga Kosova. Është një çmim shumë i veçantë dhe i rëndësishëm për mua. Sidomos kur votohesh nga njerëzit dhe sportdashësit e thjeshtë dhe çmimin e merr nga vetë publiku.

Hysenagolli

U renditët i pari në sondazh, teksa rivalja juaj më e fortë në votim ishte nënkampionia e botës në peshëngritje, Romela Begaj. Ju bën krenar kjo gjë?

Për Romelën nuk ka nevojë për shumë komente. Ajo është një kampione bote dhe fjalët janë të tepërta për të. Ajo na ka nderuar të gjithë Shqipërinë dhe ka bërë krenar të gjithë popullin. Për mua është një nder të renditem krah saj në këtë sondazh.

Vitin që lamë pas i fituat të gjitha me Tiranën, Kampionatin, Kupën dhe Superkupën. Si ka qenë ky vit personalisht për ju?

Ky vit ishte i suksesshëm duke parë që i fituam të gjitha trofetë e mundshëm. Edhe për mua personalisht ka qenë një vit plot suksese. Gjithashtu, shto këtu edhe sondazhin tuaj, ku u shpalla “sportisti i vitit”, mund të them se e kam mbyllur me një sukses të madh të gjithë 2017- ën.

Vjet ishte hera e parë për Tiranën në Ligën Ballkanike dhe e mbyllët në vendin e gjashtë. Mendoni se këtë edicion do të arrini një renditje më të mirë?

Te Tirana shpresojmë të gjithë. Dëshira është jashtëzakonisht e madhe, por na mbetet të shohim. Këtë vit kemi arritur tri fitore për momentin, por duhet të presim deri në fund. Duam që ta mbyllim në një pozicion të mirë.

Si ju duket niveli i ekipeve shqiptare përballë komshinjve tanë ballkanas?

Të them të drejtën, ka disa ekipe në Ballkan që janë me të vërtetë në një nivel të lartë. Por, në grupin tonë të Ligës Ballkanike, përveç dy ekipeve, të tjerat janë në nivelin e Tiranës dhe çdo rezultat është i mundshëm.

Sezonin e kaluar u rikthyet te Tirana së bashku me emra të tjerë të rëndësishëm të koshit shqiptar. Si e shikoni gjendjen e basketbollit në vendin tonë?

Sinqerisht, niveli i basketbollit në vendin tonë, duke u krahasuar me komshinjtë tanë, është shumë poshtë. Por, shpresoj që ne me Tiranën ta ngremë sa më lart emrin e basketbollit shqiptar duke qenë pjesë edhe e Ligës Ballkanike.

Hysenagolli

Në 2017-ën u grumbulluat edhe me Kombëtaren për paraeliminatoret e Botërorit, por regjistruat 4 humbje. Shqipëria e pafuqishme në arenën ndërkombëtare?

Të them të drejtën, vitin që lamë pas pësuam katër humbje me Kombëtaren sepse nuk ishim në nivelin e kundërshtarëve që kishim përballë. Na duhet akoma shumë punë për t’i kapur.

Këtë vit keni përpara edhe kualifikueset për Europianin e basketbollit, me Armeninë dhe Danimarkën në grup. Mund të shpresojë Shqipëria?

Na mbetet të punojmë dhe të zhvillojmë ndeshje të mira dhe paraqitje dinjitoze. Pastaj do të shpresojmë, pse jo edhe për ndonjë fitore.

Jeni një nga lojtarët më të mirë të Tiranës, ku në Ligën Ballkanike keni një mesatare mjaft të mirë pikësh, rreth 20 për ndeshje. Keni ndonjë opsion për të luajtur në ndonjë kampionat më të fortë?

Kalova një periudhë katërvjeçare jashtë Shqipërie, ku u aktivizova në kampionatin e Kosovës. Por, për momentin jam i gjithi me mendjen këtu, gjithmonë nëse Tirana vazhdon të marrë pjesë e të luajë në Ligën Ballkanike.

tirana-karpos-sokoli-basket-hysenagolli

Çfarë shpreson Hysenagolli për këtë Vit të Ri 2018?

Këtë vit, synimi është që të përsëris sukseset e vitit 2017 që sapo lamë pas. Flas, si në aspektin personal, po ashtu edhe në ato ekipor me Tiranën.

Për pak muaj arrini të tridhjetat, keni ndonjë plan për karrierën tuaj pasi të lini parketin?

Për momentin jam i përqendruar totalisht vetëm te karriera si basketbollist dhe shpresoj të vazhdoj të luaj edhe për disa vite të tjera. Jam akoma i ri për t’u tërhequr nga parketi. (Qesh.)

RENI KAZIU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura