PERSONAZH/ Motrat që garojnë me njëra-tjetrën në kampionatet e shahut

May 18, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Në familjen Shabanaj të gjithë dinë të luajnë shah. Ata janë katër fëmijë, tri motra dhe një vëlla. Nga të katërt, vetëm Irena ka rezultuar më pak e angazhuara, ndërsa dy motrat e tjera, Eglantina dhe Alda, kanë qenë pjesëmarrëse disa herë në kampionate e olimpiada të nivelit botëror.

13226972_985374164909239_9132433659131064230_n

Egla, motra më e madhe, ka 12 tituj si kampione Shqipërie, ndërsa Alda, disa më pak. Babai i tyre ka qenë gjithnjë i apasionuar pas shahut, nga ato shtëpitë që kishin gjithnjë njerëz dhe kryesisht me motivin për të luajtur shah. Vajzat i ka mësuar që në moshë fare të vogël, kur ishin 5 vjeçe. Ato nuk e “njohin” njëra-tjetrën, kur qëllojnë të jenë përballë si konkurrente në tryezën me katrorë e ushtarë. Në jetë secila mori drejtime të ndryshme, Egla u bë stomatologe, ndërsa Alda ekonomiste, mirëpo kudo ku shkuan e çfarëdo që bënë, nuk e lanë shahun.

Egla Shabanaj, në Kampionatin Kombëtar të përpara pak ditëve në Shqipëri mori trofeun e 12-të. Alda fitoi vendin e tretë dhe ndërkaq konsumoi një javë nga ditët e pushimit veror që i lejon puna në Amsterdam, ku punon prej më shumë se katër vitesh. Kemi folur me të dyja për të kuptuar se si jetohet në një familje shahistësh!

Eglantina Shabanaj/ Dentistja që është shpallur 12 herë kampione në Shqipëri

Ju kujtohet ndonjë nga mendimet prej fëmije, në kohët e para kur mësuat shahun?

Mërziteshim dhe mërzitemi akoma kur humbasim ndonjë ndeshje të fituar. Në ato momente mendojmë njësoj se do ta lëmë shahun. Me ndeshje të fituar kam parasysh kur ke epërsi në lojë, por nuk kontrollon mirë fushën dhe humbet ndonjë figurë të rëndësishme.

A mërziteshit me babain pse ju mbante për orë të tëra me “mbretër e ushtarë”?

Në fillim mërziteshim, por kur loja të hyn në gjak, të bëhet pjesë e jotja dhe nuk ndalon dot së garuari. Zakonisht, mërziteshim pse njëra mund të ikte për të fjetur dhe tjetra jo.

Në fëmijëri, jeni grindur ndonjëherë pse fitonte njëra dhe jo tjetra?

Grindje nuk do të thosha. Motrat mund të grinden me njëra-tjetrën, por për shahun jo. Mjaftoheshim duke bërë debate të tipit: E kisha unë lojën më mirë, por gabova në filan lëvizje.

Kur kanë qenë mendimet e para serioze për t’u marrë profesionalisht me shah?

Në një takim që bëra me shahistët e qytetit të Fierit, të gjithë meshkuj. Aty fitova me të gjithë. Për herë të parë m’u dha e drejta për të luajtur në gjysmëfinalet e Kampionatit Kombëtar në vitin 1987.

Mësuesin tuaj, pra babain, cila prej të dyjave e ka mundur?

Me babin kemi fituar kohë më pas, pasi kemi mësuar të luajmë se në fillim sigurisht që nuk fitonim dot, përjashto rastet kur ai luante pa ndonjë figurë kryesore për ta bërë garën më të drejtë dhe më interesante.

Ju keni profesione që nuk i afrohen këtij sporti, (ose, nëse kanë të përbashkëta, tregojini) nuk ka pasur asnjë kohë tranzitore kur jeni lodhur e keni dashur ta braktisni?

Shahu nuk është një sport që të lodh. Është një sport shoqërues. Në shah nuk të lënë fuqitë si në futboll, sa më shumë të luash, aq më i mirë bëhesh. Nuk kam menduar kurrë ta lë, edhe pse nga pikëpamja ekonomike shahu nuk të ofron asgjë. Është sport inteligjent që jo gjithmonë gjen terren në një mjedis të ashpër si Shqipëria.

A keni qëlluar ndonjëherë përballë njëra-tjetrës në kampionat?

Në çdo kampionat ne luajmë përballë njëra-tjetrës. Këtë kampionat na ra shorti që lojën e parë ta bënim së bashku.

Nëse mund të përshkruhet me fjalë, a mundet të tregoni, qoftë pak, për përqendrimin që i duhet një loje të tensionuar?

Në lojën e shahut ka rregulla. Askush nuk mund t’i tregojë lëvizjen tjetrit. Pra, do të thotë që është loja vetëm e jotja. Ata që e ndjekin ndeshjen si spektatorë, e kanë të ndaluar kategorikisht që t’i tregojnë apo t’i flasin lojtarit. Luhet me telefona të fikur dhe kush e harron me zero, e humbet automatikisht lojën. Një lojë shahu ka plan. Pas hapjes së lojës, ti studion kundërshtarin dhe gjen pikat tij të dobëta, ose ai të tuat, varet kush është më i fortë se tjetri. Kështu, ti zhvillon një strategji se si do ta luash lojën dhe e sulmon atje ku ai ka problem.

Më ka qëlluar shpesh të shoh o dëgjoj shahistë (jo profesionistë), që po t’u flasësh gjatë lojës nuk të dëgjojnë asnjë fjalë. Por, ndërkaq, vetë janë duke kënduar (melodi e nënzëshme). A është kjo një metodë për të sfiduar lojtarin përballë, për t’i treguar që ti nuk je në tension? A ka metoda të tjera?

Nuk është një metodë për të sfiduar tjetrin të kënduarit nën zë, apo të parit sahatin kur luan. Ai është përballë teje, por ti nuk sheh atë, sheh fushën. Ti e ke lojën me veten në realitet. Pastaj zakonet e secilit mund të interpretohen me humor nga të tjerët. Ne në familje kemi pasur një mik që luante aq i përqendruar, saqë i varej koka mbi kutinë e shahut. Dhe ne duke qeshur e përdornim si shprehje kur luanim dhe dikush nga ne vonohej për të bërë një lëvizje duke thënë “Lëviz se t’u var koka si X (nuk po ia përmend emrin) mbi mbret”. Ama, sigurisht kur ke përballë një lojtar të fortë je i tensionuar dhe loja do përqendrim.

Sot, krahasuar me të shkuarën, si është situata e shahut në Shqipëri?

Pas viteve 90’-të, shahu e humbi magjinë e tij. Kjo zgjati për disa vite. Lojtarët profesionistë, sidomos shkodranët, që i kishin dhënë shumë shahut, u larguan. Ndërkohë që në ditët tona është rizgjuar një pasion për shahun mes të rinjve. Me idenë që shahu do të futet si lëndë e detyruar në shkolla, besoj që do të marrë një vrull të ri.

Po krahasuar me nivelet europiane apo botërore, dy–tre ndryshime të rëndësishme?

Krahasuar me nivelet botërore duhet thënë se ne luajmë shah si sport, ndërsa në vendet si Rusia, Armenia, Kina, ata e kanë shahun profesion. Sigurisht që nivelet e tyre janë më të larta.

Prej sa vitesh jeni pjesëmarrëse në garat e shahut dhe cilët janë titujt që keni marrë?

Unë kam 30 vite që luaj shah, që nga mosha 5-vjeçare. Jam 12 herë kampione Shqipërie dhe aktualisht ndodhem në Gjakovë, ku po marr pjesë në Kampionatin Europian të 17-të individual të meshkujve.

A është babai juaj krenar për këtë që keni arritur?

Sikur të mos ishte për babin, ne nuk do të ishim fare pjesë e kësaj loje. Një prind nuk merr kurrë shpërblim më të madh sesa kur fëmija e nderon. Themi që ia kemi dalë ta bëjmë krenar.

Luani sot me të?

Sot jetojmë në shtëpi të ndryshme. Kur mblidhemi për darka familjare dhe kemi kohë para se të ulemi në tavolinë për të ngrënë, shkëmbejmë ndonjë lojë. Babi sot stërvit falas disa fëmijë të tjerë.

Alda Shabanaj/ Motra më e vogël që sakrifikon pushimet për të luajtur shah

“Kam mësuar të luaj shah që në moshën 5-vjeçare dhe një nga kujtimet më të bukura të atyre viteve ishte se një mësues në shkollë më kërkonte t’i mësoja shahun. Unë përdorja metodikën që im atë kishte përdorur me mua, mirëpo gjatë lojës profesori buzëqeshte. Unë e interpretoja sikur ai nuk kuptonte gjë, apo unë nuk dija të shpjegoja, por ai në fakt vetëm sa argëtohej. Kur e kam mësuar, më kujtohej që loja ka qenë shumë e strukturuar dhe në një kohë të shkurtër mësova mirë, sado që në javët e para im atë luante pa mbretëreshë dhe pa dy torra, në mënyrë që të kishim mundësi më të barabarta.

 

10428059_730272457040603_8813130316544427017_n

Në qytet u mor vesh menjëherë që ne donim të luanim, edhe sepse babai njihej prej vitesh për këtë gjë. Ndërkohë, ime motër Egla kishte kohë sepse ishte 4 vite më e madhe se unë. Hera e parë që kam marrë pjesë në një kampionat të mirëfilltë ka qenë në klasë të parë në Durrës, në spartakiadat kombëtare. Aty kam arritur rezultatin më të dobët të jetës sepse nuk fitova në asnjë ndeshje. Nëse qëllonte të luaja me Eglën në kampionat, nuk e konsideroja asnjëherë motër, sepse babai si trajner gjënë e parë që na ka mësuar, ka qenë etika sportive ku kompromiset nuk ekzistojnë.

Ai nuk ka bërë kurrë tolerime ndaj nesh, në mënyrë që të luanim siç duhej. Në moshën 8-vjeçare kemi marrë pjesë bashkë me Eglën në Hungari, në 1991, në Kampionatin Botëror për grupmoshat e vogla. Pas atij viti vazhduam të shkojmë rregullisht, derisa kaluam në kategorinë e të rriturve dhe nisëm të përfaqësojmë Shqipërinë në Olimpiadat Botërore, ku unë nisa të marr pjesë në vitin 2000. Në një nga vitet e universitetit kam dalë kampione Shqipërie, por nga ana e trajnimit më humbi pak fokusi për shahun.

Në Holandë jam zhvendosur në 2011 dhe ku jetoj aktualisht, u shkëputa vetëm për një vit, pasi më duhej të ndiqja masterin (International Business Administration), por pasi mbarova, iu riktheva. Nisa të jetoj në Breda dhe aty u angazhova me klubin e qytetit, ku isha femra e vetme mes 80 meshkujsh. Shumë shpejt më bënë anëtare të klubit, por kam mundur vetëm ta ndjek si hobi pas pune ose gjatë fundjavave.

Në klubin tim nuk kishte ndryshim në nivel profesional, por trajtimi i sportit, serioziteti, ishte krejt ndryshe. Në 2014 kam marrë pjesë bashkë me Eglën në Olimpiadën Botërore, ku përfaqësuam Shqipërinë në Norvegji, aty mora titullin “Women Fide Master”. Ky ishte rezultat i jashtëzakonshëm për miqtë e mi këtu në Holandë, por në Shqipëri nuk i jepet rëndësi kësaj gjëje dhe nuk ka asnjë stimul apo mbështetje financiare.

Nëse Federata Shqiptare do të aprovojë, do të marrim pjesë në kampionatin e ardhshëm që zhvillohet në shtator në Azerbajxhan… Me babin luaj vazhdimisht kur vij aty, por ai më mban gjithnjë në korrent edhe me një pasion tjetër timin, matematikën. Më përgatit ushtrime, të cilat duhet t’i zgjidh dhe kjo është një stërvitje më vete.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura