“Personalitete frymëzuese në çdo kohë”/ Presidenti Meta vlerëson regjisorë, kineastë dhe aktorë të shquar të kinematografisë shqiptare: Dhanë kontribut të çmuar

Jul 12, 2021 | 20:56
SHPËRNDAJE

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” regjisorë, kineastë dhe aktorë të shquar të kinematografisë shqiptare.

meta

 Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Presidencës, Kreu i Shteti nderoi Xhanfise Keko (pas vdekjes), Kristaq Dhamo, Endri Kekon (pas vdekjes), Edi Luarasi dhe Viktor Gjikën (pas vdekjes).

Sipas Presidentit Meta kata personalitete kanë frymëzuar në çdo kohë dhe kanë dhënë kontribut të çmuar për identitetin kulturor dhe kombëtar.

“Personalitetet  falë talentit të tyre, megjithëse punuan dhe krijuan në një regjim plot kufizime, arritën të jepnin mesazhe të jashtëzakonshme frymëzuese, njerëzore, sociale, përtej fasadave të rreme ideologjike”, tha nder te tjera Kreu i Shtetit.

 

Fjala e Presidentit Meta

“Të nderuar artistë dhe personalitete të kinematografisë shqiptare, Të dashur familjarë,

Miq dhe të ftuar,

Jam shumë i lumtur të jemi sot së bashku, për të vlerësuar me rastin edhe të ditëlindjes së kinematografisë shqiptare, disa prej korifenjve dhe krijuesve të saj.

Rreth 7 dekada më parë, lindi ‘Kinostudio Shqiptare’ që shënoi jo vetëm një ngjarje historike, por edhe që solli një krijimtari të jashtëzakonshme artistike, kulturore, edukative, emancipuese dhe mbi të gjitha frymëzuese për shoqërinë tonë.

Përtej ideologjizimit të skajshëm të sistemit të kaluar, të presionit dhe të klisheve të diktaturës, kineastët, regjisorët, aktorët e skenografët e këtij vendi shënuan arritje të jashtëzakonshme profesionale dhe realizime teknike mbresëlënëse, duke krijuar një fond shumë të rëndësishëm të filmit tonë.

Kinematografia shqiptare ruan në arkivin e saj thesare mbresëlënës. Thesare që, në disa raste janë shpërfillur, anashkaluar apo kanë vuajtur nga mungesa e kujdesit dhe mirëmbajtja, gjatë këtyre 30 viteve.

Është koha për të treguar vëmendje maksimale, për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur këtë fond të jashtëzakonshëm.

Me këtë rast dua të përshëndes për bashkëpunimin Drejtuesen e Arkivit Shtetëror të filmit zonjën Iris Elezi!

E meriton ta përgëzoj dhe njëkohësisht, ta inkurajoj në misionin e saj institucional të ruajtjes së kësaj trashëgimie mjaft të vyer filmike, që nuk është vetëm e jona, por e mbarë historisë filmike botërore, siç po vërtetohet dita-ditës nga shfaqja e filmave për fëmijë të së parës regjisore grua shqiptare, Xhanfise Kekos edhe në ekranet italiane, britanike, amerikane e më tej.

Viti 2022 do të shënojë shtatë dekada që nga dita kur filmi shqiptar nisi rrugëtimin e tij, duke prezantuar në ekran më 10 korrik 1952 të parin krijim të realizuar tërësisht nga kineastë shqiptarë, regjisori Endri Keko, operatorët Hamdi Ferhati, Mandi Koçi, Jani Nano e Sokrat Musha dhe montazhierja Xhanfise Keko.

Nga ajo ditë, kinemaja shqiptare do të prezantonte përpara njerëzve, në qytet e fshatrat më të largëta, qindra tituj filmash dokumentarë e po qindra tituj filmash artistikë.

Bashkë me ta, edhe emrat e regjisorëve, të skenaristëve, operatorëve, piktorëve, kompozitorëve dhe aktorëve që gradualisht, falë talentit, kurajës, pasionit, përkushtimit dhe dashurisë për filmin shqiptar, krijuan dhe shpalosën individualitete të spikatura dhe të adhuruara artistike.

Ndaj duke u bashkuar tërësisht me vlerësimet e profesor Mevlanit edhe unë kam kënaqësinë të shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për këto personalitete, për këto korifenj dhe të nderojmë sot:

Regjisoren Xhanfise Çipi (Keko) – një ndër themelueset e Kinostudios

Regjisorin Kristaq Dhamo – i cili është regjisori i të parit film artistik me metrazh të gjatë në vitin 1956;

Regjisorin Endri Keko – një ndër themeluesit në vitin 1952 të Kinostudios;

Zonjën  Edi Luarasi – Aktoren e talentuar, e cila jo vetëm sfidoi diktaturën, por triumfoi duke vazhduar të jetë një dëshmitare e gjallë e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar, por edhe një figurë frymëzuese për të gjitha vajzat dhe gratë shqiptare;

Regjisorin Viktor Gjika – Dekanin e filmit shqiptar, apo majën e epërme të ekranit siç e vlerësoi profesor Mevlani,  i cili  gjithashtu ka filluar kontributet e tij si regjisor që në vitin 1962, për të na dhënë aq shumë filma, të cilat janë gdhendur fort në kujtesën e të gjithë qytetarëve dhe teleshikuesve;

Personalitetet e sipërpërmendura, falë talentit të tyre, megjithëse punuan dhe krijuan në një regjim plot kufizime, arritën të jepnin mesazhe të jashtëzakonshme frymëzuese, njerëzore, sociale, përtej fasadave të rreme ideologjike.

Ata iu paraqitën publikut me filma cilësorë, që kanë mbetur edhe sot pas kaq vitesh, ndër më të shikuarit nga publiku shqiptar, por mbi të gjitha nga më të pëlqyerit, të gdhendur përjetësisht në kujtesën e artdashësve sqimatarë.

Krijimtaria e tyre ka simpatizantët e vet besnikë në shijet dhe kërkesat e tyre artistike. Ajo ka mbetur e dashur sipas vlerësimeve artistike dhe ende e shumëkërkuar edhe në ditët e sotme.

Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë titujt e krijuar në vite prej tyre, le të kujtojmë sot disa prej tyre. Filmat artistikë ‘Tana’, ‘Vitet e para’, ‘Vendimi’ e ‘Qortimet e vjeshtës’ të regjisorit Kristaq Dhamo’ ‘Rrugë të bardha’, ‘I teti në bronz’, ‘Komisari i dritës’ e ‘Gjeneral Gramafoni’ të regjisorit Viktor Gjika, ‘Beni ecën vetë’, ‘Tomka dhe shokët e tij’, ‘Kur xhirohej një film’ e ‘Taulanti kërkon një motër’ të regjisores Xhanfise Keko, filmat dokumentarë ‘Letër nga fshati’, ‘Në shtigjet malore’, ‘Pranvera e nëntë’, ‘Ringjallje’ e ‘Rruga jote shok’ të regjisorit Endri Keko.

Në përfundim, do të theksoja se vitin e ardhshëm kemi 70-vjetorin e themelimit të Kinostudios.

Prandaj kjo është një ngjarje mjaft e rëndësishme dhe është një përgjegjësi e të gjithë institucioneve dhe jo vetëm e komunitetit artdashës, për të bërë më të mirën, në mënyrë, që ne të mbrojmë vlerat më të mira të krijuara nga artistët, regjisorët tanë, për gati 7 dekada dhe njëkohësisht të kemi mundësi t’ua lëmë si trashëgimi gjeneratave më të reja në të ardhmen.

Në mënyrë që këto themele të forta që ka vendosur kinematografia jonë të vazhdojnë të jenë një element shumë i rëndësishëm i identitetit tonë kulturor dhe kombëtar.

Njëkohësisht të jenë një motiv edhe për krijimtarinë e re dhe moderne, që të orientohet më shumë nga mesazhet edukative sesa thjesht nga komercializmi. Edhe njëherë shumë faleminderit dhe ju uroj të gjithë artistëve që na  nderojnë këtu suksese për kinematografinë tonë dhe artin tonë në të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura