Përshtypje nga takimi me 90-vjeçarin Gorbaçov dhe historia e Katovicës

Mar 3, 2021 | 11:20
SHPËRNDAJE

Shpetim-Nazarko

NGA SHPETIM NAZARKO

Një lexues i “Konicës”, që kishte parë përshtypjet e takimit me Mihail Gorbaçovin, të cilin e ftova në Tiranë kohë më parë, kishte interes të dinte dhe më pyeti dje a e kisha pyetur atë për Katovicën.

Mund edhe ta pyesja, i thashë, por nuk e bëra këtë gjë. Jo vetëm, thjesht sepse i urrej teoritë konspirative… Në një formë pak a shumë libreske, dija diçka nga një libër që Dritëroi më kishte dhënë për të ilustruar idenë e atij që mund të quhej realisht edhe “Babai i Perestrojkës”, Andrei Gromikos, për një periudhë të gjatë ministër i Jashtëm dhe një nga promovuesit e Gorbaçovit.

Gromiko ishte një nga njerëzit e hollë që i nxjerr me bollëk diplomacia ruse, e të cilët që nga koha e themelimit të saj, prej Ekaterinës së Madhe, nuk lëvizin shumë nga zyrat e shtetit dhe kur ndërrohen sistemet, pra, edhe kur ata janë të tipit të Stalinit. Kohë pas takimit me Gorbaçovin në Terni të Italisë, shefi i Sant Egidios, Imzot Vincenzo Palia, më tregoi një copëz tjetër që mbushte boshllëkun për këtë pyetjen e Katovicës.

Duke më folur për bashkëkohësin tjetër të Gorbaçovit, komunistin Ramiz Alia, më tregoi duke buzëqeshur thelbin e bisedës me të. Zoti President, kam çuar Gorbaçovin te Papa… A e bën dot edhe ti lojën e tij? – Po tha,- pa mëdyshjen më të vogël.. Bile pak më mirë. Në thelb pas kësaj, jo vetëm Vatikani, por edhe amerikanët apo në përgjithësi Perëndimi, u kujdes që t’ia bënin të lehta ndryshimet, pa rrëmujat e njohura.

E pashë vetë këtë gjë kur në zgjedhjet e para të 1991, në darkën e asaj dite, fill një orë pas zgjedhjeve, kur në udhëheqjen PD-së, të gjithë në tavolinë bashkë me Berishën, u tromaksën kur jo vetëm Radio Vatikani e quajti PD-në dhe opozitën një front laraman shumëngjyrësh, pa e lavdëruar për thuajse asgjë. Dhe të njëjtën gjë dhe radiot e tjera perëndimore. Po pse i dhanë këtë mundësi Alisë? Kam idenë se të gjithë që i dinin punët më mirë, po kujdeseshin që këtu, pas rënies së komunizmit, Shqipëria të mos ribinte nën influencat ruse a serbe… apo që preja e vjetër të binte pa bërë më shumë dëme.

Për të dy besoj, Gorbaçovi apo Alia, se ishin nën kujdesin e Perëndimit… Që e dinin mirë sa miell kishte në magjen e kundërshtarit dhe ia lëviznin ngadalë litarin rreth qafës, duke ua përcaktuar fundin. Rusia e Gorbaçovit i kishte rreth 15 miliardë marka borxh Gjermanisë, së cilës i kërkoi po dhe aq, por ajo nuk i dha asgjë më, kur ai në këmbim u lejoi bashkimin me Gjermaninë Lindore.

Thonë që nuk e lanë amerikanët… Shqipëria e Ramiz Alisë kishte vetëm 6 milionë dollarë në janar të 1991 në arkën e shtetit dhe kishte dy vjet që rronte duke blerë me florinjtë e fundit në dorë para se të binte në greminë. Kaq duhet të mjaftonte të kuptosh se të vdekur e të pakallur si Gorbaçovi apo Ramizi nuk mund të bënin gjë, veçse të prisnin lëmoshën apo sëpatën e të mëdhenjve…

Natyrisht që ustallarët e mëdhenj e dinin këtë dhe i mblodhën rripat kur duhej për Gorbaçovin dhe Ramizin dhe i lanë të shijonin pensionin për sjellje të mirë, nëse nuk flasim me ironi. Duke u rikthyer te historia e Katovicës, me aq sa kuptoj unë, besoj se kjo legjendë është ushqyer më së shumti nga vetë ish-komunistët atëherë dhe tani sesa nga ata që vuajtën tmerret e komunizmit.

Duke korrur pa mëshirë klasat e pasura dhe elitën kombëtare, Hoxha projektoi administratën e tij që në ’90-ën, ishte më e arsimuar se ata që kishin vuajtur e ai i kishte lënë të paarsimuar. Një pjesë e bijve të administratës së Hoxhës kishin qenë jashtë dhe kishin parë elementët e tregut.

Një pjesë morën nga pasuria kombëtare më shpejt copat e mbetura dhe hynë më kollaj në lojën e tregut. Nepotizmi dhe dalja e shpejtë nga frika e ndëshkimit për krimet e vjetra, i bënë të guximshëm të avanconin në lojën e re, ku mundësitë, siç thashë, i kishin më të mëdha se për të vuajturit e të persekutuarit… Po të shtosh këtu edhe batakçinjtë që lindin në situata të tilla dhe e ndiejnë ngordhjen e kafshës, e kupton pse nuk duhet të merresh me legjenda të tilla.

Ishte e njëjta skenë si në Rusi, ku mundësitë e ndërmarrjeve shtetërore ishin shumë më të mëdha për të bërë plaçkë nga një vend shumë i pasur në rezerva. Kjo krijoi një administratë po më të pasur dhe më të korruptuar. Por të paditur e të paskrupullt si shumë prej të parëve të tyre, po i shkaktojnë vendit plagë po aq, në mos më shumë vendit se në të kaluarën. Atyre nuk u duhej Gorbaçovi, ashtu si tanëve nuk u duhej Ramizi.

E pashë në Tiranë kur Gorbaçovin, që duhet ta prisnin si shkatërruesin e komunizmit, nuk e priti asnjeri… Kam idenë e plotë se administrata e vjetër, por edhe e reja që mbarte shumë nga tiparet e së vjetrës, e urrente ashtu si dhe Ramizin. U kishte hequr mundësinë të mbretëronin si gjeli në pleh, qoftë edhe me pak gjë, po duke sunduar ama me qetësinë e një njeriu të lig dhe të pagdhendur, që pavarësisht se është në krye të regjimit, mbetet i varfër në mendje dhe i paaftë të hollojë mendjen e racës së tij apo për ta çuar atë apo kombin e tij përpara….

Për t’i dhënë fund kësaj ideje, ripërsëris se legjenda e Katovicës u shërben më së shumti ish-persekutorëve s sa vuajtësve. Kjo, edhe për të mos kërkuar llogari për batërdinë që u bë me pronat apo me idetë që duhet të çonin përpara vendin. Ide që u zëvendësuan me lakminë dhe korrupsionin e paraardhësve të rinj, që i dinin më mirë vrimat e shtetit dhe mundësitë për të bërë plaçkë mbi kufomën e tij.

Gorbaçovi mbush 90 vjeç sot. Megjithëse ai që është kurioz mund të lexojë përshtypjet nga takimi me të kohë më parë, po rikujtoj dy episode të vogla. Sapo kish bërë një operacion në sy dhe katër bypass-e. Dukej se kishte ende shqisa të mira nuhatjeje. Ia kujtova këtë kur po hanim darkë, duke i thënë se do t’i mjaftonte kjo shqisë dhe do rronte shumë… Vazhdon të rrojë.

Më dha përshtypjen e një njeriu të hapur që e donte jetën. Por edhe të trembur nga administrata e re e Putinit, që dukej se e survejonte nga larg sipas rregullave të vjetra, se mos bënte ndonjë gabim më të rëndë sesa duhej. Nuk m’u duk në lartësinë e Andreottit që ishte një univers gjeniu dhe që mblidhte brenda Tajlerand dhe Fushe.

E që e kishte adoptuar këtë univers në një formë, që nuk kopjohet dot nga të tjerë… A ke dëshirë të ftosh në Tiranë Anatoli Karpovin? Apo vetë Mihail Gorbaçovin? Jemi ulur te “Sofra e ariut” në Tiranë dhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut, Iluzhminov, që ka fytyrën tipike të mongolit, po mundohet të më bëjë qejfin. I intereson të bëjë kampionatin botëror individual të shahut për femra në Tiranë dhe e di që kam njëfarë influence në këtë vendim, ngaqë e njoh presidentin e federatës sonë…

Anatoli Karpov, bashkë me Hose Raul Kapablankën, janë për mua idhujt më të mëdhenj në fushën e shahut. Librin e Kapës e kam mbajtur kohë të tëra në shkollë nën jastëk dhe shpesh, kur jam i trishtuar, i drejtohem atij. Librin e Karpovit ma ka sjellë Ed Rama dikur në Lushnjë. E kopjova të gjithin me dorë ngaqë nuk të lejonin ta mbaje për kohë të gjatë…

Dua t’i ftoj të dy,- i thashë Presidentit, i cili, pa e zgjatur, propozon si fillim Karpovin. Gjeniu i madh i shahut, që sot, me sa di, ka një funksion të lartë edhe në Dumën ruse, nuk mundi të vinte dhe më duhej ta takoja tre muaj më vonë në Olimpiadën Botërore të Shahut në Norvegji… Mbetej Gorbaçovi. I thashë në telefon duke qeshur se na e kishte borxh të vinte në vendin apo “dominonë e fundit”, që ra nga koha e komunizmit. Gorbaçovi qesh, e, po ashtu, thotë se nuk mund të vijë në një vend që i ka rrëmbyer dikur çupat e bukura ruse…

“Nuk kisha lindur ende dhe nuk mbaj ndonjë përgjegjësi për to, ndërsa tani jam ca si plak për të bërë zarare”, u përgjigja po duke qeshur. Plaku i vjetër, që është edhe presidenti i shahut në shkolla për gjithë botën, duket se e ka këtë ofiq të ri dhuratë nga Iluzhminovi, apo, ndoshta, një kthim nderi prej këtij të fundit. Gorbaçovi e bëri atë deputet të BRSS aty nga fundi i karrierës. Siç më thanë pak më vonë, kthimi i nderit ishte gjë e rëndësishme në një plan tjetër për Gorbaçovin, i cili rron me vështirësi dhe me të ardhura shumë modeste…

Plaku më tha që do të vinte, por ndoshta në fundin e kampionatit botëror. Kishte bërë operacion në sy dhe mjekët ia kishin ndaluar fluturimin për disa ditë. Ardhja dhe pritja komike Gorbaçovin nuk e pret njeri në aeroport nga shteti. Njeriu që theu komunizmin, në fakt, është i padëshirueshëm nga palët, pavarësisht se nuk e thonë zyrtarisht këtë gjë…

Në Gjermani, megjithatë, kam vënë re që e trajtojnë me respekt dhe këtë, ndoshta në Shqipëri, do të duhet ta bënin ca më shumë. I thashë Berishës dhe Ramës (që në atë kohë ishte vetëm kryetar i PS-së)… Interesimi ishte i vakët, por kishte dhe arsye praktike. Unë isha i padëshirueshëm në këto lloj pritjesh për të djathtët. Sponsori kryesor i udhëtimit dhe presidenti i federatës, Rezart Taci, ishte interesant për të djathtët për paratë që u jepte apo ia merrnin.

Dhe gjysmë i padëshirueshëm për të majtët… Punë dreqi! Berisha i dha një drekë private, më thanë më vonë, e cila për pak u njoftua në shtyp, por vetëm kaq. Po gjithsesi, në aeroportin e Rinasit, Gorbaçovin e famshëm e prisnin vetëm dy njerëz… Plakut të vjetër, që dikur kishte në dorë dhjetë mijë testata nukleare, me të cilat mund të zhdukej planeti në pak sekonda, nuk i bën përshtypje kjo indiferencë.

Mendova që e kishte humbur fillin, kur pas disa minutash në tavolinën e Rinasit tha diçka që nuk kishte lidhje, të paktën me personat që e pritën… “U thashë amerikanëve që kjo nuk punë nuk zgjidhej kështu… Duheshin bërë gjërat bashkërisht… I bënë vetëm dhe, ja, tani le të korrin çfarë kanë mbjellë”… Po llogarisja me mend se duhet të ishte i lodhur.

Jo vetëm udhëtimi me çarter nga Moska, por dhe diferencat në kohë me orën tonë duhej ta kishin bërë të vetën… Pastaj m’u kujtua plaku Balzak, që thotë se edhe mbretërit nuk i lënë vetëm për vetëm më shumë se pesëmbëdhjetë minuta audiencë me dikë, sepse tregojnë sekretet e shtetit… Ndoshta, Gorbaçovi ishte brenda profesionit të tij dhe nuk po na sqaronte neve. Diku kam lexuar se ish-Presidenti i Izraelit, që kishte udhëtuar me Ajnshtajnin në një vapor për ditë të tëra, u ankohej miqve të tij për takimin.

-Ai nuk është mirë nga trutë, – tha për Ajnshtajnin. – Më foli pesë orë për Teorinë e Relativitetit, derisa unë u binda që ai e kishte kuptuar. Më duket se kjo duhej të ishte e vërteta. Plaku nuk kishte punë me ne, por me veten e tij. Për këtë më bindi fare pak më pas. Ca minuta më vonë, duke pirë ujin “Lajthiza”, bëri një vërejtje të hollë për të.

“Është ujë mali,-tha. -Duhet të jetë nga lartësi mbi një mijë metra”. Kur në darkë, po prapë te “Strofa e arirut”, pas një interviste që thuajse e la përgjysmë në televizion, nga lodhja e madhe e po ankohej për shëndetin, i thashë: -Kot e ke këtë merak (në fakt, i ka kaluar të 80-tat dhe ka bërë nja katër bypass-e ). -Pse mendon kështu?,- thotë.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

Comments are closed.